Ambasador 10 Shkurt 2016

Lea Stancic / I’m from sLOVEnia

Ambasador

liv amb slooo

Prej pak kohësh, Lea Stancic është emëruar ambasadore e Sllovenisë në Shqipëri dhe na u duk interesante të intervistonim dike si ajo, që ende s’e njeh mirë vendin tonë. Gjithmonë, me zonjat ambasadore apo bashkëshortet e ambasadorëve kemi folur për Tiranën, por në këtë rast na u dha mundësia të përqendroheshim në vendin prej nga vjen ambasadorja, si edhe tek ajo personalisht. E takojmë Lean në
rezidencën në periferi të Tiranës, ku ajo jeton me të shoqin, Igorin. Zonja Stančič ka veshje e sjellje elegante, ndërsa bashkëshorti është i sjellshëm e mikpritës, teksa na shoqëron në sallonin ku ka ndezur oxhakun. Po mendoj I kënaqur sa mirë që më në fund erdhi dimri tamam e tani do ndizet zjarri, kur Igori më ndërpret mendimet, duke më treguar se ai ka hedhur në zjarr bashkë me drutë edhe degë e gjethe dafine. Ato do t’i japin sakaq një aromë të mirë dhomës së pritjes. Duke qenë se zonja Lea ndodhet prej pak kohësh në Tiranë, nuk ka
mundur t’i sjellë të gjitha sendet personale nga Sllovenia, por ka disa gjëra domethënëse për kulturën e vendit të saj apo për atë personalisht, të cilat i kanë dhënë jetë ambientit të ri ku jeton e ku ende nuk është familjarizuar plotësisht. Si për shembull, një sënduk i vjetër, i cili i përkiste stërgjyshes e që është restauruar nga i shoqi, Igori. Sënduku, dikur i çmontuar, ishte gati për t’u djegur në zjarr
kur Igori e mori dhe e solli në gjendjen aktuale. Kujdesi për objektet e vjetra të këtij lloji është një ndër pasionet e tij, përpos fotografisë. Vera është dashuri tjetër, si për çdo slloven, pasi në Slloveni ajo është një simbol. Masa Šiftari,  zëvendës ambasadorja, e cila na shoqëron në këtë takim dhe është një nga ato zonjat që do ta quanim “punëmbaruar”, pasi i organizoi të gjitha gjërat për këtë rubrikë në kohë rekord dhe në mënyrë të përsosur, thotë se vera zë një vend të rëndësishëm në kulturën sllovene, veçanërisht në raste familjare. Duke buzëqeshur, ajo shton: “Të gjithë kur ishim fëmijë, e kemi provuar ndonjë gllënjkë. Por mua nuk më ka pëlqyer aspak (asokohe)”. Igorit i them të bëjë një foto me të gjitha dashuritë e tij. Të ulet në sëndukun që ka restauruar, një gotë verë e kuqe mbështetur sipër tij dhe aparati fotografik. Por Masa ndërhyn sërish me batutën e radhës dhe shton se, nëse Igori duhet të bëjë një fotografi me të gjitha dashuritë e tij më të mëdha, pa dyshim që në të duhet të jetë edhe e shoqja, Lea. Ndonëse takimi në rezidencën e ambasadores ishte i shpejtë dhe i shkurtër, mësuam plot gjëra interesante rreth kulturës e jetës sllovene. Ajo më foli për panelet e koshereve të bletëve e më tha se në Slloveni ekziston një traditë që ato pikturohen. Kjo është traditë vetëm sllovene, askund tjetër s’e has. Ndërkohë, më tregon një tjetër copëz druri në formë zemre, të gdhendur nga brenda. Aty tradicionalisht vendosej dikur gjalpi, që të merrte formë të bukur. Më duhet të them se të shndërruarit në art të objekteve e sendeve që përdoren për ushqime, është diçka tipike sllovene. Një gjë për të cilën ky vend është gjithaq i famshëm janë kristalet, ja pse
zonja ambasadore, midis pak gjërave që ka sjellë të parat prej vendit të saj, janë setet e kristalit. Nuk është rastësi kjo për një vend ku vera është simbol. Ku ka verë, ka gota! Por ku ka verë, ka edhe çokollatë e Sllovenia shquhet për çokollatat.

Living127
Ama mua, në morinë e ëmbëlsirave të ardhura nga Lubjana, më shumë më tërheq njëra me kripë. Ëmbël-sira sikur nuk rri mirë me kripën?! Zonja Lea na tregon se në vendin e saj gratë gatuajnë mirë, ndonëse ajo vetë, për nga natyra nuk është amvisë e shkëlqyer. Në shtëpinë e tyre gatuan më tepër bashkëshorti. Zonja ambasadore ndihet e mikluar në këtë pikë. Ndërkohë që është tip sportiv. Del për vrap, madje ka marrë pjesë në maratona, mirëpo I shoqi është i qetë dhe s’e ndjek dot në këtë pasion. Ata kanë dy djem, njëri 19 dhe tjetri 21 vjeç, që jetojnë në Lubjanë. I vogli ka vizituar Shqipërinë dhe i ka pëlqyer. Si ai, ashtu edhe Lea me Igorin, janë befasuar se sa ndryshe ishte vendi ynë nga imazhi që ka në botë. “Tim biri i pëlqeu aq shumë Tirana, sa do kthehet këtu me miqtë e tij”, thotë ambasadorja; së afërmi do ta vizitojnë në residence edhe e ëma me mbesën. “Sa keq që vjen pas disa ditësh e nuk do të keni mundësi të provoni gatimet e saj të mrekullueshme”, shton ajo me keqardhje, megjithatë, një çaj jeshil dhe biskotat e mbushura me xhel frutash nuk janë keq për një bisedë të këndshme këtë pasdite të ftohtë nëntori...

Përpara se të vinit në Shqipëri me mision diplomatik, cilat kanë qenë angazhimet tuaja në Slloveni?
Nisa punë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, menjëherë pas diplomimit për drejtësi në Universitetin e Lubjanës. Në fillimet e karrierës jam marrë me bashkëpunimet bilaterale me vendet fqinje. Detyra e parë jashtë vendit ishte ajo si Konsulle e Konsullatës Sllovene në Trieste të Italisë. Më pas kam shërbyer si zëvendës ambasadore në ambasadën sllovene në
Dublin, Irlandë. Para se të emërohesha ambasadore e Sllovenisë për Shqipërinë (post të cilin e kërkova me dëshirën time), kam punuar në sektorin për zhvillim dhe bashkëpunim në Ministrinë e Jashtme. Një prej qëllimeve të mia ishte zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit me vendin tuaj, kryesisht sepse Sllovenia ka shumë për t’i dhënë atij, në kontekstin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Kemi luftuar për liberalizmin e vizave dhe duam të ndajmë përvojën e njohuritë tona për t’ju mbështetur që të arrini objektivat tuaja. Por natyrisht që Shqipëria duhet të bëjë pjesën e saj. Marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona kanë qenë gjithnjë të shkëlqyera. Kemi qenë dy vende mike dhe dua ta çoj edhe më tej këtë lidhje. Shpresoj të mund t’I kthej këto përpjekje në projekte konkrete për forcimin e lidhjeve ekonomike, politike e kulturore. Gjithashtu, dua të mësoj më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kam mbërritur këtu në fillim të shtatorit të këtij viti dhe jam ende në fazën e përshtatjes. Kisha qenë vetëm një herë në Tiranë, 18 vjet më parë, kështu që nuk dija ç’të prisja. Por m’u bë qejfi kur pashë që kishte ndryshuar për mirë. Arritjet e Shqipërisë gjatë këtyre viteve janë të mahnitshme.

Living125

Ju pëlqen Tirana?
Po! Njerëzit janë miqësorë. Fjala e parë që mësova në shqip, është fjala “miqësi”. Kjo është simbolika e ndjesisë sime për Shqipërinë. Kultura është e pasur, klima e mirë, ushqimi e natyra, të shkëlqyera. Ndihem shumë mirë këtu!
Si është jeta e një ambasadoreje?
Është punë që të sjell avantazhe. Kur jeton në vende të ndryshme bën miq, pavarësisht se më pas ndahesh me ta për të shkuar në një vend tjetër. Por lumturohesh kur qëllon t’I takosh sërish, gjë më ndodhi në Shqipëri, ku pas 16 vjetësh u ritakova me një diplomate shqiptare, Mimozën. Ishte një surprizë e bukur për të dyja. Unë e njoha sapo e pashë. Por nga ana tjetër, të qenët grua diplomate
ka sfidat e veta, sepse përveç punës duhet të koordinosh jetën private, të qenët nënë e bashkëshorte. Pastaj, duhet të kesh edhe mbështetjen e familjes. Fëmijët e kanë të vështirë të mësohen me vende e gjuhë të reja, po ashtu me miqësi e mënyra të reja jetese çdo katër vjet. Edhe bashkëshorti nga ana tjetër, duhet të sakrifikojë punën dhe karrierën, gjë që s’është përherë e lehtë. Por unë jam me fat sepse kam mbështetje maksimale nga bashkëshorti dhe dy djemtë.
Kanë ndonjë zakon shqiptarët që ju ka bërë përshtypje dhe nuk ju ka pëlqyer?
Deri tani kam dëshmuar mikpritjen dhe kam parë bukurinë e peizazhit. Por do të doja që ju vetë ta vlerësonit më tepër këtë dhe të mos e ndotni ambientin. Siç e përmenda, Shqipëria ka bërë përparime, por ka ende shumë për të bërë, sidomos në fushën e drejtësisë, në drejtim të korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
Cilat janë pasionet tuaja?
Kolegët e mi në Ministrinë e Punëve të Jashtme Sllovene e dinë se më pëlqen të lexoj dhe kur u nisa për këtu më dhuruan një libër të Ismail Kadaresë. Kështu, them se e kam nisur me pjesën më të bukur të artit tuaj që para se të vija në Shqipëri. Gjithashtu, si një admiruese e madhe e operës dhe baletit, kam pare disa shfaqje të mrekullueshme në Tiranë. Ju keni artistë të mrekullueshëm! Por mua më pëlqen edhe të merrem me alpinizëm dhe ski. Më pëlqen të gatuaj vakte të shpejta e të shëndetshme. Për fat të mirë, ndonjëherë im shoq më përkëdhel me ndonjë gatim të sofistikuar. Më pëlqen vera, sidomos e kuqja. E dinit se Sllovenia, ndonëse një vend i vogël, ka tre rajone të ndryshme për verën? Kemi shumë vreshtari dhe shpresoj t’i prezantoj verërat tona edhe në Shqipëri.
Po për kuzhinën sllovene, çfarë duhet të dimë?
Ushqimi ynë është i larmishëm dhe është ndikuar nga relievet e ndryshme, klima dhe kulturat e vendeve fqinje. Duke qenë i lagur nga Adriatiku, në kuzhinën tonë është i pranishëm peshku e molusku, shnicel nga veriu e gulash nga lindja.
Kemi edhe gatime që hahen me lugë, por s’duhet të humbisni as llojet e zgnaci-t ose salsiçeve carniola. Megjithatë, ajka e kuzhinës sllovene janë ëmbëlsirat. Potica (lloj keku slloven me arra), është ëmbëlsira jonë më e famshme për raste të veçanta, por bëjmë edhe kremšnita, prekmurskagibanica, krofi (donuts) e të tjera. Kemi shkolla të mira kulinarie dhe pastiçerë të shkëlqyer.
Emri i kryeqytetit tuaj, Lubjana, a ka lidhje me dashurinë, meqenëse fjala “ljubiti” në sllovenisht do të thotë “dashuri”?
Në fakt, i gjithë vendi ynë ka lidhje me dashurinë. Sllovenia është shteti I vetëm në botë që ka fjalën dashuri në emër: s-LOVE -nia. Nuk është e rastit që në qendër të kryeqytetit tonë, Lubjanës, kemi statujën e poetit më të shquar, France Prešeren, i cili ka shkruar edhe himnin kombëtar. Shqipëria ka mbretër e ushtarë të mëdhenj, por heronjtë tanë janë poetë.
Cili është vendi i parë që na këshilloni të vizitojmë nëse shkojmë në Slloveni?
Vështirë të zgjedh mes aq shumë vendeve të bukura, por pa dyshim duhet të vizitoni Lubjanën dhe kështjellën e saj. Po ashtu liqenin “Bled” dhe ishullin në mes të tij. Thuhet se po t’i biesh kambanores së kishës tri herë e të thuash një dëshirë, do të plotësohet. Edhe shpella Postjona duhet të vizitohet, sepse është shpella më e madhe nëntokësore e hapur për publikun, në botë. Madje ka edhe tren brenda. Pirani është një qytet i vjetër në bregdet, një ndër më të bukurit e bregdetit Adriatik. Por nuk duhen harruar spa-të në lindje të Sllovenisë. Ne kemi ujëra termale të shkëlqyera, me trajtime luksoze. Jam e sigurt se gratë shqiptare do t’i pëlqenin shumë. Sidomos në dimër, kur s’mund të kryesh shumë aktivitete në ambiente të hapura. Së fundmi, të mos harrojmë mikpritjen sllovene.

Living128
A ka diçka të veçantë që e merrni gjithmonë me vete kur shkoni jashtë vendit?
Sa herë lëviz, marr me vete disa sende personale që janë të dashura për mua. Të parat janë gjithmonë disa fotografi familjare dhe fotografi nga Sllovenia, të realizuara nga im shoq. Ai është fotograf shumë i mirë. Nuk harroj asnjëherë baulen e drunjtë të bërë nga stërgjyshi im, që në vitin 1831. Vajzat sllovene tradicionalisht i kanë përdorur baulet për të bërë pajën. Marr gjithmonë me vete një kostum kombëtar slloven të rajonit Gorenjska, në veri të vendit, krijuar në fundin e viteve 1920 e që ka kaluar ndër breza nga kumbara e nënës sime, Cilka. Unë doja ta vishja për ceremoninë e kredencialeve me presidentin e Shqipërisë, por atë ditë bëri vapë dhe ai kostum është për mot më të ftohtë.

Nga Gentian Minga, Fotot Armand Habazaj

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor