Njihuni me personazhet e njohur shqiptarë që agjërojnë muajin e shenjtë të Ramazanit
Muaji i bekuar dhe i shenjtë i Ramazanit për besimtarët muslimanë ka shumë vlera. Ashtu sikurse njerëzit e thjeshtë që...
Anija është simbol i Kuvajtit dhe ne e kemi marrë këtë “anije” për të lundruar në ujëra të largëta dhe ekzotike. U njohëm me bashkëshorten e ambasadorit, Reem Al-Sharaah, një zonjë e dhënë pas gatimit, e cila përgatiti enkas për “Living” një meny speciale. Një pasdite ndryshe nën tingujt e muzikës orientale dhe aromës së bakhoor-it...
Rezidenca e Ambasa dorit të Shtetit të Kuvajtit, ndodhet në rrugën e Elbasanit, në një zonë me vila të ndërtuara pas viteve ‘90. Me t’u hapur dyert e jashtme, përpara nesh zbulohet një arkitekturë që rreket të ruajë origjinalitetin arab, me shkallë ovale prej mermeri të bardhë si gëlqere. Në krye të tyre na pret stafi dhe zonja Reem Al-Sharrah, bashkëshortja e ambasadorit. Tradita e do që të shtrëngosh duart qysh në hyrje, mandej zonja na udhëheq drejt sallonit të pritjes. Aroma e bakhoor-it, një esencë druri arabe, mobiliet ngjyrë ari, shallet e mëndafshit të hedhur aty këtu, argjendurinat e skalitura e perdet e kadifenjta, të fusin menjëherë në atmosferën ekzotike. Me t’u rehatuar, në filxhanë të vegjël e pa bisht, na shërbehet kafeja tradicionale e Kuvajtit. Zonja Al-Sharaah, si për t’i paraprirë kureshtjes sonë, na shpjegon se kjo kafe e veçantë bëhet me kardamom dhe shafran, erëza që i japin shijen unike. Siç do të kuptonim më vonë, erëzat përdoren gjerësisht në pijet dhe gatimet kuvajtiane. Gjatë drekës, në limonadën e thjeshtë, ca copa të grira menteje do të bënin ndryshimin; po aq e rrallë ishte edhe shija e ëmbëlsirave me erëza pikante, që të ndezin gojën.
Reem është një zonjë sportive, e qeshur, me një elegancë të natyrshme. Kush i ka vizituar vendet e Gjirit Persik e ka vënë re bukurinë tipike të femrave arabe. Ato duken si anije me vela që vozisin në një det të përshkuar nga puhi, aq bukur dhe ledhatueshëm u shpalosen në trup pashminat e mëndafshta dhe lezeti i tingujve që lëshojnë stolitë e florinjta. Reem ka rreth tre vite që ndodhet në Shqipëri dhe flet për të sikur të ketë jetuar tërë jetën. Më tregon se fillimisht kishte ardhur ajo para të shoqit, me fëmijët dhe kishte jetuar më shumë se gjashtë muaj në hotel. Nuk donte që ata të fillonin më vonë se shokët në shkollë, për këtë arsye erdhi të vinte gjërat në vijë. “Përpara kësaj, kemi jetuar në Zvicër, ku im shoq ka qenë Shef Misioni (Konsull i Përgjithshëm) dhe në Vietnam, ku ka shërbyer si zëvendës ambasador, e për ne ishte një ndryshim i madh Tirana, por pak a shumë e dinim se ku po vinim”, shton. Për herë të parë niste punën në Shqipëri Ambasada e Shtetit të Kuvajtit dhe për të e bashkëshortin ishte një nder i madh. “Me Shqipërinë na lidhin shumë gjëra”, thotë Reem, ndërsa me çajnikun ngjyrë floriri na ofron sërish kafe arabe, “por mbi të gjitha na lidhin vlera të përbashkëta, si dashuria dhe respekti që kemi për familjet tona, ndjenja e të ndihmuarit dhe të qenit në krah të të afërmve, shokëve, etj. Nuk e gjen shpesh në botë këtë, ndaj unë këtu ndihem mirë”. Ndërkohë mbërrijnë dy va jzat e sa j, Jana, 11 vjeçe dhe Joud, 7 vjeç, të veshura me kostume kombëtare shqiptare. Si Sheherazade të vogla, me një hap diku ndërmjet drojës dhe guximit, më afrohen e më zgjasin butësisht dorën. I afrohen nënës së tyre, duke iu mbështjellë në thoub-in e saj (veshje kuvajtiane). “Jeta diplomatike”, thotë Reem, “është e vështirë për një grua, që i duhet të tonë, ndaj nuk u rezistonim dot”, thotë Reem. Në sy më bie edhe prania e një objekti që e shoh shpesh në sallën e hyrjes, aty ku janë vendosur fotografitë e Emirit të Kuvajtit, Sheikut Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah dhe vëllait të tij, Princ i Kurorës. Bëhet fjalë për një anije të cilën e has në forma dhe përmasa të ndryshme. Kureshtja nuk më lë pa pyetur të zonjën e shtëpisë përse dhe çfarë nënkupton anija. Reem thotë se është simboli i emblemës së Shtetit të Kuvajtit, e traditës detare të kuvajtianëve, të cilët brez pas brezi kanë qenë të lidhur kryekëput me detin. Pas disa momentesh, turi nëpër dhomat e muret mbushur plot histori të shtëpisë së Reem, hyn z.Najeeb Abdulrahman Al-Bader, bashkëshorti i saj, ambasadori i Shtetit të Kuvajtit; ai na buzëqesh dhe uron mirëseardhjen e mirënjohjen e tij për vizitën. Shkojmë në kopshtin pas vilës dhe në “muhabet e sipër” flasim për Shqipërinë, vendet e bukura që kanë parë. Pyetjes sime nëse kanë vizituar qytete shqiptare, z.ambasador i përgjigjet duke buzëqeshur. “Mund t’ju them cilat qyteza nuk kam vizituar. Shqipërinë e njoh me pëllëmbë dhe e adhuroj. Me pëlqen Gjirokastra, por po ashtu edhe malësia e Tropojës, Razma në Shkodër, Dardha e Korçës, bregdeti juaj i magjishëm. Nuk di çfarë t’ju përmend! Ndihem vërtet mirë këtu! Për të mos përmendur ushqimin, sepse unë e adhuroj kuzhinën”. Këtu “më dolën në shteg”, mendoj. Si zoti ambasador, ashtu dhe zonja e tij, janë të dy të dhënë pas gatimit. Dhe për t’i dhënë bisedës sonë më pak nota formale, pyes se cili prej të dyve gatuan më mirë. “Tani ndoshta unë”, përgjigjet Reem, “sepse kam gjithë këto vite në kuzhinë, por im shoq më ka mësuar, sepse kur u martova me të, nuk dija të zieja qoftë dhe një vezë”. Z.ambasador, shton se e ka pasur vërtet qejf gatimin, por dhe kishte qenë i detyruar të mësonte kur ishte student. As ai vetë nuk dinte të bënte asgjë në fillim dhe merrte të ëmën në telefon për t’i kërkuar receta dhe udhëzime. “Tashmë”, shton Reem, “e kam kënaqësi gatimin. Vërtet kam një zonjë që më ndihmon në kuzhinë, por jam e pranishme që nga zgjedhja e përbërësve e deri në përgatitjen e pjatës për familjen dhe të ftuarit e mi. Për ne është një moment gëzimi kur fëmijët mblidhen rreth tavolinës dhe tregojnë, familja ndan çastet e kaluara gjatë ditës.
Dhe kur ke pranë diçka të shijshme e të gatuar me dashuri, edhe problemet më të mëdha kalojnë. Është traditë për vendin tonë, por edhe në vendet fqinje, që të gatuhet pa masa. Çdo gjë me sy, pasi nuk gatuajmë vetëm për vete. Duke qenë një kuzhinë ku mbizotërojnë erëzat dhe aromat, çdo gjë që gatuhet në kuzhinat dhe mbi mangallët tanë ndihet te komshinjtë. Ndaj gatuajmë edhe për 6-7 familje që kufizohen me oborret e shtëpive tona. Kjo është tradita”. Zoti ambasador ndërhyn dhe shton: “Nuk do të ishte aspak e sjellshme dhe e këndshme nëse nuk do të ndanim “bukën” tonë me fqinjët”. Ç’traditë e bukur! Më kujton fëmijërinë, kur ndanim me fqinjët tanë një copë kek me sherbet dhe ata na e kthenin mirësinë me dy copa byrek ditën e diel, ose gjatë dyjavëshit që kalonim në plazh.
Vjen një moment dhe zonja Reem shkëputet për në kuzhinë. “Kam një zakon kur pres miq”, thotë. “Bëj gjysmë gati disa gjëra dhe pastaj i bashkoj përbërësit, ose gatuaj sallatat, vetëm pak minuta para se të shërbehen. Kjo është e rëndësishme, sepse kur i lë ushqimet për një kohë të gjatë, ato fitojnë aciditet dhe e humbasin shijen”. Në dhomën e ngrënies, në tryezën e madhe të rrumbullakët, zbukuruar me lule në qendër, fajancat zyrtare me stemën e Kuvajtit shkëlqejnë. Zonja Reem, duke na zgjatur pjatat të gjithëve një nga një, tregon se kjo është tradita kuvajtiane, pra, që të zotët e shtëpisë t’u zgjasin të ftuarve pjatën e t’i ftojnë në banket. Ndërkohë, në tryezë na pret surpriza e radhës... Një meny në nder të revistës “Living”, printuar në letër dhe vendosur pranë çdo seti. Në të janë shkruar emrat e pjatave të sotshme. Ulemi për të provuar shijen kuvajtiane, me tingujt e muzikës orientale në sfond dhe aromën e bakhoor-it, që është aq e fortë, sa na shoqëron deri këtu. Tek shijojmë gatimet e zonjës së shtëpisë, mendoj se sa shumë prej atyre vlerave dhe traditave tashmë janë zbehur, ashtu si kujtesa e një bote më të komunikueshme, më pranë familjes e shoqërisë Reem ka gatuar pjata të shijshme, të cilat i gjen pak a shumë dhe në kuzhinën shqiptare. Mbi të gjitha, më bie në sy muhalebia me lëng trëndafili, zbukuruar me shegë, por dhe një lloj qulli prej gruri, hares, që e kam ngrënë në Peshkopi e që dibranët e quajnë qeshqek. Po ashtu, sallata me patëllxhanë të fërguar, salcë kosi dhe peta të shkërmoqura byreku. Nuk di çfarë të provoj me parë... Edhe Manjola, asistentja e zotit ambasador dhe zonjës së tij, e cila ishte personi që na organizoi këtë takim, mrekullohet nga ushqimi dhe prezantimi i pjatave që e zonja e shtëpisë ka rezervuar për ne. E kështu, të ëmbëlsuar me kujtime, histori të dy vendeve tona, shijojmë një të premte “xhumah” të ëmbël arabe, si në përrallat e “Njëmijë e një net”.
Muaji i bekuar dhe i shenjtë i Ramazanit për besimtarët muslimanë ka shumë vlera. Ashtu sikurse njerëzit e thjeshtë që...
Kushedi se çfarë surprizash do të na rezervojë moti për festën e Pashkëve, por një gjë është e sigurt...
Albano dhe Baby G, teksa qëndrojnë në oborrin e “Ferma VIP”, kanë treguar historite e tyre të dashurisë ndër vi...