Showbiz 24 Nëntor 2022

Mbërthyen para ekranit me mijëra teleshikues në vitet 2000, ku janë tani aktorët e " Njerëz dhe Fate"?

Showbiz

Ishin vitet 2002-2003 kur, “Njerëz dhe Fate” mbërtheu para ekranit të gjithë shqiptarët. Historia tragjike e një familjeje shqiptare që përballej me vështirësitë e kohës, si dhuna në familje, trafikimi apo droga, tërhoqi vëmendjen e shqiptarëve që hasnin të njëjtat probleme të atë kohë.

Asokohe u fol në media se “Njerëz dhe Fate” nuk do të kishte vetëm 20 seri, por edhe dy episode të tjerë, që deri tani duket se kanë mbetur ëndërr në sirtar. Po ku janë sot aktorët dhe personazhet tuaj të preferuar: Flori, Era, Lola, Durimi, Betimi, Xhema, Didi, Bosi, etj?

Robert Ndrenika

Të kesh pjesë të kastit një prej emrave më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare, atëherë gjysmën e suksesit e ke të garantuar. Kështu ndodhi edhe me Robert Ndrenikën, i cili ishte pjesë e padiskutuar e suksesit të kësaj telenovele. Ai interpretonte rolin e një ish-regjisori të vjetër të Kinostudios, “Durim Guri”, që ishte baba i tre fëmijëve, Lola, Era dhe Flori.

Pavlina Mani

“Drita” është roli i Pavlina Manit në telenovelën më të famshme shqiptare. Mani dhe Ndrenika ndërtuan çiftin ideal të aktorëve duke interpretuar me aq thjeshtësi dhe origjinalitet bashkëshortët intelektualë, që patën shumë probleme me fëmijët e tyre. Aktorja Pavlina Mani u shpërngul vite më parë në Amerikë, së bashku me bashkëshortin e saj aktorin Pirro Mani.

Arben Derhemi

Ai ka interpretuar edhe në moshë të re (ka luajtur një rol në episodik në filmin “Një vajzë dhe një djalë”), por publiku shqiptar e njeh më së shumti me rolin e Florit, djalin çapkën në telenovelën “Njerëz dhe Fate”. Derhemi duket se u fut menjëherë nën lëkurën e djemve “problematikë” dhe të shkathët shqiptarë, duke e sjellë shumë pranë realitetit personazhin e tij. Për aktorin Derhemi rrjedha e aktrimit ka vijuar normalisht në kinematografi e teatër, madje ai ka eksperimentuar duke sjellë në skenë edhe monodramën “Johan Padan dhe Amerikat”.

Eni Jani

E kush nuk e mban mend Erën, gjimnazisten e shkëlqyer e cila kishte shumë ëndrra për jetën. Aktorja Eni Jani pas këtij personazhi, u bë sigurisht më e famshme dhe më e njohur për publikun shqiptar. Duket sikur karriera e Janit pas kësaj telenovele u përqëndrua më shumë në teatër ku ka interpretuar në vepra të famshme “Vdekja e një mbretëreshe”, “10 vjet martesë”,” Me dyer të mbyllura”, etj. Ajo ka sjellë gjithashtu si regjisore disa vepra në skenën e Teatrit. Jani është martuar me aktorin Genc Fuga dhe janë prindër të dy fëmijëve.

Valbona Imami

Lola, vajza e madhe e familjes Guri, interpretohej në këtë telenovelë nga aktorja Valbona Imami. Imami është larguar prej kohësh nga Shqipëria dhe ndan jetën mes Amerikës dhe Nigerisë. Aktorja është shumë e tërhequr jo vetëm nga ekrani, por edhe nga rrjetet sociale.

Arta Muçaj 

Në fillimet e karrierës së saj ajo ka interpretuar rolin e Rozarias në shfaqjen “Gënjeshtarja”, më pas në rolin e Lusit te “Vdekja e Dantonit”, ndërsa Kiço Londo i ofroi një rol në “Kujdes, kafshon”, ku aktorja luajti përkrah aktorëve të njohur Ndriçim Xhepa dhe Yllka Mujo. Por aktorja kosovare, Arta Muçaj u bë e njohur në Shqipëri nëpërmjet rolit të “Didit” në këtë telenovelë. Aktorja jeton tashmë në kontinentin e largët australian, ku pas divorcit nga bashkëshorti vijon karrierën si aktore atje./Diaspora

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor