Aktualitet 7 Gusht 2022

Sa kushton të dukesh e bukur në Shqipëri/ Nga ndërhyrjet tek produktet e kozmetikës

Aktualitet

 


Të dukesh mirë do të thotë diçka ndryshe për secilin prej nesh. Për një person është të kesh një trup gati për plazh, ndërsa për një tjetër janë flokë të mrekullueshëm.

Dikush tjetër mund të mendojë se bukuria ka të bëjë me të pasurit lëkurë të përsosur. Një gjë që ne të gjithë kemi të përbashkët është se jemi të përmbytur me imazhe se si “duhet” të dukemi. Ne nuk mund të lundrojmë në rrjete sociale, të shohim një billbord ose të ndezim televizorët tanë pa u përballur me idealet e gërshetuara të ekzemplarit të përsosur njerëzor.

Në këtë kontekst, prej disa dekadash, shumë njerëz i janë drejtuar kirurgjisë estetike për t’i ndihmuar të kenë pamjen e dëshiruar. Ka shumë operacione të disponueshme në epokën e sotme moderne dhe ju mund të ndryshoni pothuajse çdo pjesë të trupit tuaj.

Megjithatë, në vend që të kalojnë nën thikë, gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin një opsion më modern dhe trajtimet kozmetike estetike vazhdojnë të ndryshojnë industrinë e bukurisë.

Është e kuptueshme që trajtimet estetike jokirurgjikale priren të jenë një opsion më popullor këto ditë dhe shumë po përfitojnë nga trajtimet e jashtëzakonshme të disponueshme, për shkak të zhvillimit të kësaj industrie.

Tendenca, “ujë e sapun”

Mungesa e lëvizjes, ndryshimi i jetesës prej pandëmisë patën ndikim të madh në mënyrën se si njerëzit e konsiderojnë mirëqenien fizike dhe pamjen personale. Ata nisën të trajtonin çështjet e pamjes në thellësi. Por, estetika nuk lihet pas dore.

Liposuksioni, rinoplastika, transplantet e flokëve, zmadhimi/liftimi i gjirit, reduktimi i gjirit, heqja e qimeve me lazer, trajtimet me Botox, balonat e stomakut, heqja e lëkurës së tepërt të fytyrës, kirurgjia e qepallave, zmadhimi i buzëve, operacioni për korrigjimin e veshëve, operacioni i nofullës, heqja e barkut, operacioni për riformimin e vitheve janë disa nga trajtimet më të njohura që ofrohen në klinikat shqiptare.

Shumica e klientëve janë shqiptarë, por ka edhe shtetas të huaj që kërkojnë këto shërbime, sipas aktorëve të tregut. Pjesa më e madhe e procedurave kryhen nga mjekë të kualifikuar shqiptarë apo të huaj nga Italia, Turqia dhe Greqia, me çmime më të volitshme krahasuar me vitet e mëparshme.

Sot është e rrallë të shohësh një femër që nuk aplikon “elementet magjike”, të cilat përmirësojnë pamjen e jashtme, duke e tjetërsuar fytyrën dhe duke i dhënë bukurisë një tjetër kuptim. Po të marrim një mesatare prej 15 minutash në ditë përkushtim për kozmetikën, një femër përllogaritet të shpenzojë 91 orë në vit, ose ndryshe 4 ditë në çdo vit të jetës së saj.

Pagat më të ulëta se shumë vende të tjera në rajon nuk i pengojnë shqiptarët të shpenzojnë një pjesë të mirë të të ardhurave për të blerë produkte kozmetike.

Në mesin e shqiptarëve, po vihet re rritje kërkesash për ndërhyrje jo evazive. Të huajt vijojnë që të kërkojnë kryesisht rimodelimin e hundës dhe operacionet e rritjes së gjoksit. Po shqiptarët?

Të joshur nga çmimet e lira që ofrohen në treg, duke trajtuar një operacion nga i cili individi pret një punë sa më të kënaqshme, duke qenë se është një rezultat i përjetshëm, bien pre e të ashtuquajturave klinika.

Ato premtojnë çdo rezultat që ti dëshiron, pa marrë parasysh fizionominë, rreziqet shëndetësore dhe në fund, i japin pacientit zhgënjim, dështim nga ana profesionale, por edhe para të shpenzuara, të cilat mund të kenë vite që kursehen për kauzën e pacientit.

Situata si këto dëshmohen çdo ditë e më shumë në klinikën tonë, ku paraqiten raste me dëmtime nga më të ndryshmet, vetëm për faktin se gënjehen nga çmimet ‘e lira’ dhe premtime nga më të ndryshmet.

Rasti i fundit ishte i një vajze, e cila iu nënshtrua ndërhyrjes së rinoplastikës për herë të tretë, nga dy dështime të mëparshme dhe ëndrra e saj ishte vetëm të kishte rezultatin që duhet të kishte që në ndërhyrjen e parë”- thotë dr. Hoxha.

Dr. Silvana Vishaj, mjeke kirurge plastike, thotë se vitet e fundit, zhvillimi teknologjik dhe përdorimi në mënyrë efikase me metodat më të fundit, i ka dhënë mundësi sektorit dhe njerëzve që të kryejnë ndërhyrje jo invazive, të cilat duket se janë shtuar në mesin e shqiptarëve.

“Me bumin e madh të shkencës së kirurgjisë plastike dhe mjekësisë estetike, një pjesë e mirë e ndërhyrjeve, që dikur kryheshin nëpërmjet bisturisë, sot kryhen me metoda që nuk dhembin dhe aspak invazive, të cilat i ofrojnë pacientit komoditet të jashtëzakonshëm.

Nëpërmjet këtyre metodave kaq të shpejta, të cilat nuk shkaktojnë dhimbje, mund të arrihet rinimi dhe përsosja e portretit. Këto metoda nuk kërkojnë rikuperim, zgjasin 30-45 minuta dhe pacienti mund të kthehet menjëherë në aktivitetin e tij të zakonshëm”, – thotë dr. Vishaj.

Prof. dr. Rudina Thanasi, mjeke dermatolog-venerolog, pohon se ka ardhur koha e ndërhyrjeve estetike jokirurgjikale, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e shqiptarëve që kërkonin rritjen e gjoksit apo buzëve në përmasa të mëdha, janë reduktuar.

Sipas saj, informimi ka bërë që të kërkohen më shumë trajtimet pranë natyrales dhe këtë duhet ta përdorim si një aset edhe për të huajt, duke qenë se trajtime të tilla janë të shkurtra në kohë, si procedurë dhe në rikuperimin pas.

“Duhet të dihet se vetë BOTOX-i kohën e përgjysmimit e ka 14 ditë, eliminohet plotësisht për 28 ditë nga trupi. Efektin estetik e ka nga 45 ditë deri në 6 muaj, sipas llojit të firmës prodhuese, zakonit të mimikës së pacientit, mjekimeve të tjera, që ka marrë përpara dhe pas injektimit me BOTOX dhe zonës gjeografike (zonë e nxehtë apo e ftohtë).

Ndaj, dhe trajtimet e fytyrës me Botox-in (Botulinium Toxina) mund të përdoren si tërheqje edhe për të huajt, duke qenë se është alternativa më e leverdishme për pacientin me rrudha mimike. Është një metodë shumë elegante, joinvazive dhe pa nevojë për kohë rikuperimi”, – thotë dr. Thanasi.

Korrigjimet e formës së hundës dhe zmadhimi i gjoksit janë dy operacionet më të kërkuara, por nuk mbeten pas edhe kërkesat për korrigjime të kapakëve të syve, lifting të fytyrës, rregullim të formës së veshëve apo ngritje të vetullave. Gjithashtu është rritur kërkesa për botox-in dhe rikonturimin e formës së trupit nëpërmjet liposuction-it, si te femrat, ashtu edhe te meshkujt.

Pranë qendrës “Nisa Esthetic” pohojnë se, për zonjat me të ardhura mbi mesatare, të cilat sigurojnë mbi 50 mijë lekë të ardhura në muaj, prirja për trajtime është për mirëmbajtjen e lëkurës së fytyrës.

Problemet e fytyrës janë përparësi edhe për vajzat adoleshente, të cilat në këtë rast me portofolin e prindërve priret të zgjidhin çështjen e akneve, apo puçrrave.

Mbipesha është gjithashtu shqetësim për moshat e reja. “Prej më se dy vitesh, vihet re interesimi i moshave të reja mbi 20 vjeç që kërkojnë me çdo kusht të kujdesen e të parandalojnë shtime të mëdha peshë apo celulit të gradës së tretë”, thotë estetistja Anisa.

Burimi: INSTAT

Në botë, 81% e konsumatorëve kërkojnë në internet para se të marrin një vendim për blerje. Ndaj, vlerësohet se konsumatorët janë duke investuar shumë më tepër se më parë, pikërisht në këtë fazë të procesit të blerjes.

Me qasje në oferta të tilla të ndryshme të produkteve online, konsumatorët po shpenzojnë kohë për të hulumtuar kozmetikë përmes vlogs, tutoriale online dhe forume.

Konsumatorët po kërkojnë të eliminojnë çdo rrezik para blerjes dhe duan të dinë se si të përdorin një produkt. Nga kjo frymë që po ndihet prej disa vitesh në Shqipëri, huazuar nga jashtë, duket që po përfitojnë një grup i caktuar në tregun e kozmetikës që janë pikërisht: vlogerat.

Sara Karaj, një ndër vlogerat më të ndjekura të momentit, pohon se videot e saj në YouTube arrijnë deri në dhjetëra mijë shikues.

Kjo nxit zhvillimin e bizneseve të reja në koncept, që kanë pasur zhvillim të lartë kudo në botë vitet e fundit: kompanitë më të mëdha në botë paguajnë dhe furnizojnë me produkte vlogerat, të cilët kanë ndikim të madh në promovimin e disa produkteve të ndryshme dhe në shitjen e tyre.

Në botë, shembull është fondatina e Estee Lauder, e cila kushton 40-45 dollarë, shitjet e së cilës kanë ‘fluturuar’ vetëm nga promovimi i vloger-ave online.

Ngritja pas ‘rrëzimit’

Pandemia shkaktoi ndryshime të thella në sjelljet e konsumatorëve, por edhe ndikimi i krizës së rritjes së çmimeve është i dukshëm në bizneset e kategorisë së estetikës dhe kozmetikës.

Menaxherë të disa prej qendrave estetike në Tiranë, thonë se prej gati një pesëvjeçari po u duhet të tolerojnë në çmime për të mbajtur pas tyre klientët e rregullt.

Me zhvillimin teknologjik dhe njëkohësisht konkurrencës së shtuar, çmimet priren të pësojnë rënie, sidomos në formë paketash oferte. Një vit më parë, ulja e çmimeve ishte deri në 20%, dhe vetëm pak nga qendrat më të mëdha u rezistuan uljeve.

Tashmë, dhjetë seanca dobësimi kushtojnë 26 mijë lekë, në vend të 30 mijë lekëve, ashtu si dhe një abonim njëvjeçar për trajtimin mujor të fytyrës. Për këtë të fundit, kostoja luhatet mes 3-4 mijë lekë për një seancë, në varësi të produkteve të përdorura.

Kjo është zgjidhja direkte që kanë bërë një pjesë e qendrave, ndërsa jo pak të tjera po zgjedhin mënyra joshëse me paketa shërbimesh.

Trajtim plus konsulencë, vetëm për çmimin e trajtimit, ose paketë e plotë dobësimi apo anticeluliti bashkë me trajtimin e fytyrës, kur u duhet të paguani vetëm të parën. Pakot e shërbimeve po funksionojnë mes gjithë qendrave estetike.

Së bashku, një trajtim specifik fytyre për 60 minuta, masazh relaksues 40 minuta dhe thonj me rimbushje, kushtojnë rreth 5 mijë lekë.

Pranvera ka rikthyer interesin për t’u përgatitur për një paraqitje sa më të mirë gjatë sezonit të ngrohtë dhe kjo vlerësohet të jetë arsyeja e rritjes së kërkesave këto ditë. E ndërsa po përpiqen të shfrytëzojnë sa më mirë këtë periudhë, sipërmarrësit kanë filluar të mendojnë për ditët e vështira të verës, kur klientët do t’i braktisin në këmbim të bregdetit.

“Trajtimi estetik, por edhe palestrat janë kthyer në biznes sezonal, pasi klientët vijnë, shkëputen, për t’u kthyer sërish më vonë”, thotë përfaqësues Vipline, të cilët shtojnë se trajtimet anticelulit dhe ata të dobësimit në aparatura janë ndër më të kërkuarat në periudhën prill-qershor.

Efekti “buzëkuq” mbështetet në teorinë se kur përballen me një krizë ekonomike, konsumatorët do të jenë më të gatshëm për të blerë mallra luksoze më pak të kushtueshme.

Në vend të blerjes së palltove të shtrenjta me materiale cilësore si pellushe apo lëkurë për shembull, femrat do të blejnë buzëkuq të shtrenjtë. Supozimi themelor, sipas teorisë, është se konsumatorët do të blejnë mallra luksozë edhe nëse ka një krizë.

Kur besimi i konsumatorit në ekonomi është i ulët, njerëzit do të blejnë mallra që përmbushin kërkesat luksoze “pa thyer” bankën, thotë teoria. Jashtë tregut të kozmetikës, konsumatorët mund të blejnë pije të shtrenjta ose të zgjedhin një Audi mbi një Ferrari.

Psikologjikisht ndodh kështu: është shumë më e lehtë që një pjesë e të ardhurave të shkojë për një darkë dhe film të bukur, se sa për pushime verore jashtë.

Katër fusha që po evoluojnë në normalitetin e ri për industrinë e kozmetikës

-Kujdesi për veten: Produktet e kujdesit po bëhen edhe më të vlefshme gjatë kësaj kohe, pasi njerëzit i kushtojnë më shumë rëndësi mirëqenies.

-Përshpejtimi dixhital: Roli i tregtisë elektronike po rritet, pasi konsumatorët janë të detyruar të përdorin kanale online për t’u njohur me produktet e bukurisë.

-Shpejtësia, konsumatorët po kërkojnë mënyra alternative për të ruajtur pamjen e tyre

-Komunikimi, në një situatë që ndryshon me shpejtësi, konsumatorët kërkojnë nga markat për të shfaqur përshtatshmëri, ndjeshmëri dhe rëndësi./Monitor/

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor