Aktualitet 28 Korrik 2022

Ekspertët e sigurisë "Sulmet kibernetike janë problem ndërkombëtar, të ndihmojë kush të mundet"

Aktualitet

Këto ditë kur Shqipëria është gjendur përpara sulmeve të paprecedenta kibernetike, informacioni, ai i sakti, është jetik. Prandaj edhe në morinë e lajmeve shpesh të paqarta, të paplota e të pasakta, mendimi i ekspertëve të fushës bën diferencën. Ekspertët e IT dhe ata të sigurisë janë njerëzit më të besueshëm e që kanë informacionet kyçe në lidhje me atë që po ndodh këto kohë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën.

Dhe ekspertët kanë folur në rrjetet sociale, median online dhe ekrane televizive, duke u takuar në një pikë të përbashkët: që çështja të mos politizohet, që me të të mos abuzohet dhe në këtë moment delikat, kush mundet, përmes ekspertizës së tij, të ndihmojë vendin për të tejkaluar këtë moment të vështirë.

Që edhe qytetarët të kuptojnë se çfarë po ndodh, më poshtë po sjellim disa opinione dhe argumente ekspertësh të sigurisë, të cilët i kanë mbështetur ato me fakte dhe analiza profesionale. Kështu, eksperti i sigurisë, Ermal Jauri, u shpreh gjatë një interviste për Euronews Albania, se sulmet kibernetike janë rrezik po aq i madh sa ato fizike, duke iu referuar këtu luftës Ukrainë-Rusi. Më tej ai solli shembullin e Stoltenberg, i cili në një samit të NATO-s u shpreh po njësoj, madje pas kësaj koncepti i ri strategjik i NATO-s ndryshoi.

Nisur nga situata e fundit në Shqipëri, kur sistemet u pezulluan, Jauri u shpreh se i bënte përshtypje sesi, në një sulm me armë çdo i ri do ishte paraqitur për të marrë armën e për të luftuar, ndërsa në këtë rast, askush nuk u paraqit për të dhënë ndihmë.

“Kemi inxhinierë të mrekullueshëm, të cilët punojnë nëpër kompani shqiptare, kemi inxhinierë, IT dhe specialistë të jashtëzakonshëm që janë në sektorë të ndryshëm privat në Shqipëri dhe askush nuk u vetofrua që sot jemi përballë një agresori që ka sulmuar Shqipërinë”, u shpreh eksperti. Ai shtoi gjithashtu se, fatkeqësisht, as në Shqipëri, as në botë nuk investohet sa duhet në fushën e mbrojtjes kibernetike.

Ndërkohë, eksperti i IT, Gentian Progni, u shpreh pak ditë më parë në MCN se “Mbyllja ose fikja e sistemit ka qenë veprimi i duhur në mënyrë që të shmanget vjedhja e të dhënave. Eksperti paralajmëroi se nëse nuk bëhemi gati për këtë luftë të së ardhmes do kemi dëme kolosale, në ekonomi dhe jo vetëm.” Ai shtoi gjithashtu se shumë nga portalet dhe bizneset që ai menaxhon janë sulmuar gjithashtu, çka tregon se shënjestra e hakersave nuk ka qenë thjesht qeveria shqiptare, por Shqipëria në tërësi.  

Një tjetër ekspert i sigurisë, profesor Xhavit Shala, u shpreh se lajmet për sulme në Shqipëri janë normale, duke qenë se në vendin tonë janë të strehuar refugjatë që i përkasin organizatës “Opozita Iraniane.” Shala ka theksuar se  nuk është çudi që shërbimet inteligjente të kenë rekrutuar njerëz nga Shqipëria, duke qenë se dhe objektivi është vendi ynë. Sidoqoftë, ai pohoi se agjencitë e zbatimit të ligjit po punojnë vazhdimisht për të parandaluar ngjarje të tilla. Në këtë linjë analize ishte në intervistën dhënë për Top Channel edhe Fabian Zhilla, ekspert për çështjet e drejtësisë dhe sigurisë.

“Me shumë gjasa ky është një sulm nga hackers të sponsorizuar nga shteti iranian. Tipologjia e sulmeve të mbështetura nga Irani ndërmerret nga hackers të Gardes Revolucionare. Këta kryesisht sulmojnë institucione të rëndësisë së veçantë për të mbledhur të dhëna inteligjence”, tha Zhilla.

Pas sulmit rus në Ukrainë, edhe ekspertët ndërkombëtare po flasin për një rritje të rrezikut të sulmeve kibernetike në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë. Pas Shqipërisë që u sulmua me të njëjtat metoda (Ransomware) me të cilat aktorët keqbërës kanë vepruar gjatë sulmeve të vitit të fundit, mbi domain-et qeveritare e private edhe në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Hollandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit, sulmet kibernetike “shënjestruan" edhe vende të tjera të Evropës, duke hakëruar së fundmi, vetëm pak ditë më parë faqet qeveritare në Itali dhe Belgjikë./Burimi "DOSJA.AL"

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor