Tendencat e fundit te modes 28 Korrik 2022

Kapelat, aksesori "IN" për të gjitha stinët e zemrës

Tendencat e fundit te modes

"Çdo ditë, dua të dizenjoj kapelat që i bëjnë njerëzit të ëndërrojnë"."- Philip Treacy.

Kjo shprehje më mrekullon, ndez një shkëndijë speciale brenda meje, atë të krijimit. Kjo është ndjesia që unë kam për kapelat, aksesorin gjithmonë "IN" për të gjitha stinët e zemrës.

Asnjëherë nuk zbukuroj një kapele, nuk filloj të punoj për një rreth koke të stiluar "handmade", pa menduar për muzën që do ta mbajë atë mbi kokë. Aksesorët janë energji, gjithçka lidhet me mënyrën sesi ata na bëjnë të ndihemi, sa na frymëzojnë. Janë magnet për mundësi të reja e të bukura në horizont. 

Është një dozë dashurie që marr çdo ditë. Sa herë shoh një kapele në vitrinat e qyteteve më të mëdha të botës, mendoj për atë që fshihet pas ngjyrës dhe dizajnit. Është një proces frymëzues, mistik, tërheqës, i paqtë, i errët si mendimet e natës. Sa më shumë njoh botën e klienteve, aq më shumë kuptoj sesi ndizen në shpirt yjet, ato yje që unë më vonë do ua qendis kapelave.

Kapelat ose beretat franceze janë të preferuarat e vajzave shqiptare. Vajzat tona nuk janë vetëm të bukura, janë vajza plot atmosferë, që luajnë me stile dhe role të ndryshme dhe kapela të ofron gjithmonë një "rol" të ri.

Mund të "fshihesh" nën strehën e saj duke u kthyer në një grua tmerrësisht tërheqëse.

Kur shoh një vajzë me kapele instiktivisht më vjen të mendoj që ajo është një vajzë që lexon libra dhe jeton disa jetë njëkohësisht. Është romantike, e fortë, por edhe e brishtë si një lule vere.

Ajo çdo ditë është një personazh i veçantë, duke mos e humbur asnjëherë vetveten. Kjo e bën atë të paparashikueshme aq sa të pakopjueshme. 

A keni kaluar ndonjëherë pranë dikujt që ka aromë të mrekullueshme? Është njësoj si kur kaloni pranë një zonjushe që mban mbi kokë një kapele mbresëlënëse.

Kjo është magjia që i bën bashkë parfumet dhe kapelat, kanë energji mistike, janë fshehtësia e elegancës shpirtërore të një gruaje, janë ndjesi e parezistueshme, që i reziston kohës.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor