Aktualitet 28 Qershor 2022

Lia e majmunit, mbërrijnë testet e para në vendin tonë

Aktualitet

Në Shqipëri nuk ka raste të dyshuara me linë e majmunit, por të hënën mbërritën 250 testet e para që do të bëjnë të mundur diagnostikimin e infeksionit. Ministrja e Shëndetësisë tha se testimet do të kryhen në Institutin e Shëndetit Publik.

“Në laboratorin e referencës në Institutin e Shëndetit Publik tashmë ne kemi bërë të mundur që për 250 rastet të para që mund të jenë të dyshuara, të kemi dhe testet specifike në këtë laborator.

Pra, do të kemi mundësi që pikërisht në këtë laborator, pa i çuar në laboratorët e referencës, të mundet të testojmë raste të dyshuara dhe gjithashtu kontaktet e dyshuara të rasteve”, bëri me dije Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Deri më tani në vendin tonë nuk ka raste të dyshuara. Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, tha se situata është nën monitorim.

Duke folur për situatën epidemiologjike, ku ditët e fundit është vënë re një rritje e rasteve pozitive me Covid19, Manastirliu i bëri apel qytetarëve që të vijojnë të vaksinohen.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor