Aktualitet 24 Qershor 2022

Hueyda El Saied dekorohet me titullin "Mjeshtër i Madh", në ceremoni i pranishëm i biri dhe bashkëshorti

Aktualitet

Vdekja e parakohshme e Hueyda El Saied i tronditi të gjithë disa muaj më parë. Ditën e sotme presidenti Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” artisten e spikatur shumëdimensionale, si dhe mbrojtësen e të drejtave të njeriut, Hueyda El Saied (pas vdekjes).

Në ceremoninë e dekorimit, duke iu drejtuar familjarëve, kolegëve, artistëve dhe personaliteteve të shumtë të artit të pranishëm, Presidenti Meta u shpreh:


“Në vlerësim të kontributit të pasur si artiste shumëdimensionale në fusha të ndryshme si balet, pikturë, televizion e teatër. Me mirënjohje të veçantë për përkushtimin e saj social e human, si gazetare dhe juriste e të drejtave të njeriut, duke pasuruar karrierën e saj profesionale dhe angazhimin në shoqëri, si dhe duke dëshmuar vlerat më të mira njerëzore, jemi mbledhur të nderojmë një personalitet shumë të dashur për shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, një piktore, shkrimtare, prezantuese televizive, balerinë profesioniste, një juriste dhe një aktiviste në fushën e të drejtave të njeriut si Huejda el Sajed (Hueyda El Saied).

Jeta e Huejdës ka qenë shumë dinamike. Nga diplomimi në Liceun Artistik te studimet e larta për drejtësi, e ato pasuniversitare për ‘Bashkëpunim Ndërkombëtar, të Drejtat e Njeriut dhe Politika Europiane”.


Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkruan se “mes shumë emocioneve, vlerësova sot në praninë e dhjetëra artistëve, intelektualëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, një personalitet shumë të dashur për shqiptarët, një simbol të mirësisë dhe suksesit, që na mungon të gjithëve, artisten, juristen dhe aktivisten e shquar të të drejtave të njeriut, të paharruarën Hueyda El Saied.

Huejda u largua shumë shpejt nga jeta, kur kishte ende shumë për të dhënë. Megjithatë ajo përmbushi me dinamizëm ciklin e një jete të tërë, plot arritje dhe shkëlqim.
Kontributi shumë i pasur në art dhe përkushtimi i saj i vazhdueshëm human e për të drejtat e njeriut, dëshmojnë në thelb dëshirën dhe dashurinë e saj për jetën dhe për ta jetuar atë.

Me mirënjohje të veçantë për përkushtimin e saj social e human, si gazetare dhe juriste, duke pasuruar karrierën e saj profesionale dhe angazhimin në shoqëri, si dhe duke dëshmuar vlerat më të mira njerëzore, i akordova Titullin “Mjeshtër i Madh”, duke ja dorëzuar djalit të saj të vogël Gabriel dhe bashkëshortit Thierry.

Gjithmonë do ta respektojmë kujtimin dhe trashëgiminë artistike të Hueyda El Saied, një model i përhershëm frymëzimi dhe referimi për të rinjtë!”.

Fjala e plotë e Presidentit Meta 

“Jemi mbledhur sot së bashku, të nderojmë një personalitet shumë të dashur për shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, një piktore, shkrimtare, prezantuese televizive, balerinë profesioniste, një juriste dhe një aktiviste në fushën e të drejtave të njeriut si Huejda el Sajed (Hueyda El Saied).

Jeta e Huejdës ka qenë shumë dinamike. Nga diplomimi në Liceun Artistik te studimet e larta për drejtësi, e ato pasuniversitare për ‘Bashkëpunim Ndërkombëtar, të Drejtat e Njeriut dhe Politika Europiane’.

Ajo ndërtoi një karrierë tepër të pasur artistike e profesionale dhe pati privilegjin të punonte në fusha dhe zhanre të ndryshme, si në balet, pikturë, televizion e teatër, gazetari, dhe si juriste në fushën e të drejtave të njeriut.

Huejda ishte një artiste shumëdimensionale. Ajo filloi të pikturonte në vitet 1990-të dhe puna e saj ra shpejt në sy të agjentëve dhe adhuruesve të pikturës.

Ekspozitat e saj janë hapur në shumë vende të botës si: Dubai, Luksemburg, Paris, Stokholm, Nju-Jork, Zyrih, etj.

Huejda el Sajed u bë e njohur për stilin unik dhe talentin e saj në zgjedhjen e tematikave dhe në kombinimin e ngjyrave. Përmes punimeve të saj shprehëse, do të transmetonte gjithmonë mesazhe sociale.

Huejda ka pasur gjithmonë një karrierë të pasur në televizion, si prezantuese e lajmeve, apo dhe në drejtimin e shumë emisioneve.

Të gjithë e kujtojmë Huejdën si balerinën aq profesioniste në shfaqjen televizive ‘12 vallëzime pa një të shtunë’.

Si balerine e talentuar spikati edhe në Itali e në Francë, ku u zhvendos e ku vijoi karrierën e saj edhe si koreografe.

Përkushtimi i saj social e human, si gazetare dhe juriste e të drejtave të njeriut, ishte një tjetër aspekt i figurës së saj.

Huejda ka qenë nga artistet e para, që në bashkëpunim me Organizatat e Shoqërisë Civile, organizoi ankandin e parë bamirës të pikturave, në ndihmë të fëmijëve.

Ndërkohë që angazhimi në aktivitete kundër trafikimit të qenieve njerëzore apo artikujt në media të ndryshme për çështje sociale e qytetare, e pasuruan me një tjetër dimension jetën e saj.

Huejda u largua shumë shpejt nga kjo jetë, kur kishte ende shumë për të dhënë, por në këtë hark kohor të shkurtër, ajo përmbushi me dinamizëm ciklin e një jete të tërë, plotë arritje dhe shkëlqim.

Kontributi shumë i pasur në art dhe përkushtimi i saj i vazhdueshëm human e për të drejtat e njeriut, dëshmojnë në thelb dëshirën dhe dashurinë e saj për jetën dhe për ta jetuar atë.

I përjetshëm kujtimi i Huejda el Sajed (Hueyda El Saied)!

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor