Pjata kryesore 13 Dhjetor 2021

Lepur me mollë të egra, ftonj dhe qepë

Pjata kryesore

Pjata e sotme, përgatitur mjeshtërisht nga Luga e Argjendtë, është një gërshetim i çomlekut shqiptar dhe një recete të vjetër të kuzhinës piemontese. 

PËRBËRËSIT: 1 lepur gati 1 kg,  5/6 kokrra mollë të vogla të egra ose 2 mollë jeshile të mëdha, 7-8 qepë të vogla të shtypura në anë, 1 kokërr ftua, 1 degë selino, 1 degë rozmarinë, 1 degë nenexhik i freskët, 15-16 kokrra dëllinjë e zezë (juniper), 1 degë trumzë, 3-4 karafil,  4-5 thelpinj hudhra, 200 ml verë Kallmet ose çdolloj verë e kuqe fortë, 1 kokërr limon, pak spec djegës, 2-3 gjethe dafinë, 10 g stika pishe, 100 ml vaj ulliri, 30 g gjalpë, 100 g pancetë dhe kripë.

PËRGATITJA: Presim lepurin në copa (thela). Me ndihmën e një thike presim shumë imët rozmarinën, dafinën, trumzën, nenexhikun dhe specin djegës. Mbulojmë copat e lepurit me këtë përzierje dhe i vendosim për 2-3 orë në frigorifer. Në një tigan me bazë të gjerë shtojmë gjysmën e masës me vaj ulliri e gjalpë, dhe kaurdisim qepët. Më pas shtojmë fetat e ftonjve dhe mollët e egra. I kriposim dhe e mbulojmë tiganin me kapak. Harxhin e lëmë të gatuhet në zjarr të avashtë për gati 10 minuta. Pasi lëngu është shterur, e shuajmë me pak lëng mishi (1 litër të përgatitur më parë). E mbulojmë me kapak dhe e gatuajmë në zjarr të avashtë derisa ftonjtë të jenë zbutur.
Ndërkohë në një tigan tjetër shtojmë pancetëm dhe e lëmë të karamelizohet derisa ti shkrijë gjithë yndyra. Sistemojmë copat e lepurit, dhe hedhim gjithë marinimin e tyre në tigan. Shtojmë karafilat, dëllinjën dhe nisim kaurdisjen. Në momentin që mishi është skuqur, e shuajmë me verë dhe e mbulojmë me kapak. Shtojmë limonin në feta dhe më pas e rregullojmë me kripë. Marrim një tavë dhe në të shtojmë mishin e lepurit me lëngun e vet. Më pas shtojmë harxhin e qepëve me mollë dhe ftonj dhe stikat e pishave. E spërkasim me vajin e ullirit të mbetur dhe e fusim në furrë të mbuluar me letër kuzhine në temperaturë 200 gradë për gati 45 minuta. Largojmë letrën e kuzhinës nga tava(tigani) dhe e pjekim për disa minuta të tjera. E nxjerrim tavën nga furra dhe e shërbejmë të ngrohtë.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor