Aktualitet 14 Tetor 2021

Shqipëria gdhihet në dimër, zonat e Korçës dhe Pogradecit zbardhen nga bora

Aktualitet

Temperaturat e ulëta, reshjet e shiut dhe të borës në zonat malore kanë përfshirë gjithë vendin. Dy ditë më parë ra  bora e parë për këtë dimër duke zbardhur majën e Gjallicës, kurse mëngjesin e sotëm edhe zonat malore në juglindje të vendit janë gdhirë nën bardhësinë e dëborës.

Në orët e para të mëngjesit, reshje bore ka pasur në Malin e Gramozit në Kolonjë dhe në Mokër të Pogradecit.  Reshjet kanë qenë të lehta dhe nuk kanë shkaktuar probleme.

Sipas MeteoAlb, vendi ynë do të përfshihet nga një sistem i dendur vranësirash, i cili do të sjellë reshje të bollshme në territor. Zonat Veriore dhe Qendrore do të jenë me reshje me intensitet të ulët dhe mesatar.

Ndërsa në zonat Jugore reshjet herë pas here do jenë me intensitet të lartë. Po ashtu, ky sistem vranësirash do të sjellë reshje dëbore në zonat malore Verilindore dhe Lindore.

Temperaturat e ajrit do të ulen ndjeshëm në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 1°C deri në 19°C.

Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi mbi 65 km/h nga drejtimi VeriLindor duke sjell në det dallgëzim mbi 5 ballë.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor