Shtatzania 20 Gusht 2021

Vonimi i dhimbjeve të lindjes; Çfarë duhet bërë?

Shtatzania

Ndonjëherë, dhimbjet e lindjes nuk nisin vetë. Nëse ndodheni në këtë situatë, mjeku mund të vendosë t’i stimulojë ato.
Ai mund të vendosë kështu nëse, fetusi është gati për të dalë, por kontraktimet nuk kanë nisur ende, ose nëse mendon se shëndeti juaj dhe i fetusit është në rrezik. Më poshtë do të gjeni disa nga situatat ku mund të stimulohen dhimbjet e lindjes:
 ka kaluar data e parashikuar e lindjes. Jeni ose po i afroheni javës së 41-të të shtatzënisë;
 ju kanë plasur ujërat (membranat janë këputur), por nuk ju kanë filluar ende dhimbjet;
 keni infeksion në mitër;
 mjeku është i shqetësuar sepse fetusi nuk po rritet më, nuk është mjaftueshëm aktiv ose sasia e lëngut amniotik është pakësuar;
 keni probleme shëndetësore, si tension të lartë ose diabet, që mund të vënë në rrezik jetën tuaj dhe të fetusit;
 keni probleme rezusi. Kjo do të thotë se gjaku juaj mund të mos përputhet me atë të fetusit.
Nëse kishit shpresuar se dhimbjet e lindjes do t’ju fillonin në mënyrë të natyrshme, por në fakt mjeku është i detyruar t’i stimulojë ato, mundohuni ta shikoni këtë si diçka pozitive. Ndonjëherë është më mirë që lindja të bëhet me planifikim, sesa të prisni derisa natyra të marrë vendimin e saj. Falë stimulimit mund të jeni më të përgatitura, si nga ana mendore, ashtu edhe ajo fizike.
Stimulimi i dhimbjeve të lindjes:mjeku mund t’i stimulojë dhimbjet në shumë mënyra, por qafa e mitrës duhet të jetë duke u zbutur, holluar dhe zgjeruar. Në qoftë se asnjë nga proceset e mësipërme nuk është duke ndodhur, mjeku mund të marrë masa të tjera për t’i nxitur ato.
Barnat. Për zbutjen dhe zgjerimin e qafës së mitrës, mund të përdoren barna të ndryshëm dhe dy prej tyre janë: misoprostoli (Cytotec) dhe dinoprostone(Cervidil, Prepidil). Shpeshherë, ata përdoren edhe për stimulimin e dhimbjeve të lindjes, kështu që nuk është e nevojshme të përdoren agjentë të tjerë për nxitjen e tyre, siç është oksitocina (Pitocin). Nëse duhet që qafa e mitrës të stimulohet, ju mund të shkoni në maternitet një natë para, që mjekimi të ketë mjaftueshëm kohë të bëjë efekt.
Teknikat mekanike. Një teknikë ka të bëjë me vendosjen e një kateteri të vogël me një tullumbace të mbushur me ujë, i cili kalon përmes qafës së mitrës dhe përfundon në mitër. Kjo e fundit ngacmohet nga tullumbacja dhe e nxjerr atë jashtë në mënyrë graduale përmes qafës së mitrës, duke e zbutur dhe e hapur nga 2 deri në 4 centimetra.
Plasja e ujërave. Kur plasin ujërat, qesja amniotike që mbështjell fetusin, çahet dhe lëngu fillon të rrjedhë jashtë. Kjo tregon se shumë shpejt foshnja do të lindë. Zakonisht, çarja shoqërohet me rritjen e kontraktimeve të mitrës.Një nga mënyrat për të stimuluar apo përshpejtuar dhimbjet e lindjes, është çarja në mënyrë artificiale e qeses amniotike. Për këtë, mjeku fut një grep të gjatë e të hollë plastik përmes qafës së mitrës dhe bën një vrimë të vogël te membranat. Kjo procedurë është pak a shumë e ngjashme me kontrollin vaginal. Ndodh që nëna ta ndiejë lëngun e ngrohtë kur rrjedh. Kjo nuk shkakton as dëmtim dhe as dhimbje, as te ju dhe as te fetusi.
Oksitocina: një metodë e zakonshme për stimulimin e dhimbjeve të lindjes, është përdorimi i medikamentit oksitocinë(Pitocin, Syntocinon), i cili është një variant sintetik i hormonit oksitocinë.
Gjatë shtatzënisë, trupi prodhon nivele të ulëta oksitocine dhe kur futeni në fazën e dhimbjeve, niveli ngrihet.
Në përgjithësi, oksitocina merret në rrugë intravenoze, pasi qafa e mitrës është zgjeruar dhe zbutur disi. Një kateter intravenoz futet në një nga venat e krahut ose në kurrizin e dorës.
Me të lidhet një pompë, e cila dërgon doza të vogla dhe të rregullta mjekimi në sistemin e qarkullimit të gjakut. Për të ndryshuar fuqinë dhe shpeshtësinë e kontraktimeve, dozat mund të ndryshohen, derisa dhimbjet të fillojnë rregullisht. Kontraktimet duhet të fillojnë 30 minuta pas marrjes së dozës së duhur. Ato mund të jenë më të rregullta dhe më të forta se kontraktimet që mund të ndieni nga dhimbjet që fillojnë natyrshëm.
Oksitocina është një nga mjekimet më të përhapura që përdoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo mund të nxisë dhimbjet e lindjes si dhe të përshpejtojë procesin, në qoftë se kontraktimet ndërpriten në mes të dhimbjeve ose që pas nisjes së tyre, procesi nuk ka ecur aspak. Kontraktimet e mitrës dhe rrahjet e zemrës së fetusit mbahen nën kontroll për të shmangur çdo komplikacion të mundshëm.
Në qoftë se stimulimi i dhimbjeve rezulton i suksesshëm, do të vëreni shenjat e para të dhimbjeve, si: kontraktime që zgjasin më shumë, që janë më të forta dhe më të shpeshta, zgjerimin e qafës së mitrës dhe çarjen e qeses amniotike, nëse nuk është çarë ende.
Procesi i stimulimit të dhimbjeve, duhet të bëhet vetëm për arsye të forta mjekësore. Në qoftë se shëndeti juaj ose i foshnjës është në rrezik, mjeku mund të vendosë të bëjë ndërhyrje të tjera, si për shembull, një lindje me operacion. Veç këtyre që përmendëm, stimulimi mund të zgjasë disa orë, sidomos në shtatzëninë e parë.

Marre nga libri 'Udherrefyes per nje shtatzeni te shendetshme'

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor