Aktualitet 31 Korrik 2021

Vaksinim i detyruar? Përgjigjet zëvendësministrja Mira Rakacolli

Aktualitet

Që pas hyrjes së variantit “Delta” të Covid-19 në Shqipëri, rastet e infektimeve janë rritur. Lidhur me situatën e krijuar në vendin tonë ka folur zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli. Ajo u shpreh për “A2” se Komiteti Teknik i Ekspertëve po diskuton vaksinimin e fëmijëve dhe vaksinimin e detyruar të arsimtarëve.

Përsa i përket vaksinimit të detyruar për të gjithë qytetarët, zv/ministrja tha se shumë shtete po e diskutojnë, por nuk sqaroi nëse Komiteti Teknik i Ekspertëve e ka marrë në shqyrtim diçka të tillë. Rakacolli theksoi se vaksinimi është e vetmja mënyrë për të mbrojur veten dhe të afërmit.

“Ka vende që e kanë nisur vaksinimin e fëmijëve, ndërsa ne e kemi në diskutim. Shumë shpejt do të ketë vendimmarrje për këtë. Sa i përket vaksinimit të arsimtarëve, nuk ka asnjë urdhër nga Ministria e Shëndetësisë për ta bërë të detyruar. Por, ka një proces sensibilizimi që të kryhet vaksina. Vaksinimi i detyruar është debat i gjerë dhe filozofik do të thoja, sepse ka të bëjë me lirinë e dikujt duke mos cenuar lirinë e dikujt tjetër. Kur jetojmë në komunitet, nuk kemi përgjegjësi vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Populli shqiptar e ka kulturën e vaksinimit dhe unë besoj në këtë kulturë. Ka një rritje të lehtë të rasteve të reja dhe të shtruarve në spitale, por raporti i rasteve të reja me të shtruarit nuk është njësoj si në fillim.

Arsyeja që nuk kemi shumë raste është ecuria e mirë e vaksinimit. Ne mendojmë se kemi një situatë të kontrolluar, por ka një shqetësim si kudo në rajon, Evropë dhe botë. Ajo që mbetet të bëjmë tani është të vaksinohemi. Vaksina të mbron dhe kjo është dëshmuar nga të gjitha vendet. Edhe në rastet që infektohesh kur je vaksinuar, sëmundja kalon pa simptoma apo me simptoma të lehta. Duhen mbajtur edhe maskat në ambiente të mbyllura. Epidemia nuk ka mbaruar ende, duhet sforco që t’i mbajmë”,tha Rakacolli.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor