Aktualitet 15 Qershor 2021

Ky është qarku ku është konfirmuar një vatër tjetër e Gripit të Shpendëve

Aktualitet

Konfirmohet gripi i Shpendëve edhe në qarkun e Elbasanit. Shërbimi Veterinar i Elbasanit ka treguar se rastet janë identifikuar në fshatin Garunjë në Njësinë Administrative Karinë, në bashkinë e Peqinit.

Shërbimi Veterinar ka konfirmuar se janë kryer testet dhe në përfundim të tyre kanë rezultuar pozitiv me virusin e rrezikshëm të paktën 181 shpendë, të gjitha nga një fermë. Autoritetet kanë njoftuar se janë marrë të gjitha masat për asgjësimin e menjëhershëm të shpendëve të infektuar dhe të gjithë tufës si dhe dezinfektimin e fermës.

Shefi i Shërbimit Veterinar për Qarkun e Elbasanit, Fatmir Ozuni ka deklaruar se infektimi mund të ketë ardhur nga shpendët migratorë. Fermerëve iu është bërë thirrje që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos tregtojnë shpendë për një periudhë të caktuar kohore. Por sipas Ozunit, kjo thirrje po kundërshtohet nga fermerët të cilët kanë thënë se për sa kohë nuk kanë raste të dyshimta mund të vijojnë me punën e tyre dhe se me atë tregti mbahen ekonomikisht.

Nuk flitet për rrezik të madh ndaj shëndetit të popuollatës, por konsumimi i mishit të infektuar mund të çojë në probleme shëndetësore tek konsumatorët. Doktoreshë Silva Bino pak ditë më parë tha se nuk ka problem nëse mishi gatuhet mirë. Këshillohet që mishi të gatuhet në temperatura mbi 70 gradë celcius në mënyrë që të shmanget çdo rrezik i mundshëm.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor