Cfare te vizitosh ? 16 Prill 2021

Shtigjet që të çojnë në kishën më të vjetër të Shqipërisë janë shëtitja më e bukur e pranverës

Cfare te vizitosh ?

Përgatiti ANI JAUPAJ

Kishën e Ipapandisë, një nga 30 kishat e Dhërmiut, gjatë dimrit dhe tani në prag vere do ta gjeni të mbyllur. E mban të hapur vetëm gjatë tre muajve të verës, një nga banorët e fshatit që dimrin e kalon në Athinë. Të dhënat historike tregojnë që kisha e Ipapandisë, ndërtuar për Ana Komnenën, është rindërtuar në shek XV mbi një kishë të ndërtuar në shek. Xll.

Megjithatë, pranë kishave, kudo nëpër fshatra, është thuajse gjithmonë dikush aty, rastësisht ose jo, për të të treguar ca gjëra që nuk i di! Vasili, për shembull, edhe pse i ka parë qindra herë pikturat e njërës prej kishave të fshatit të tij, nuk resht së çudituri me bojërat që kanë përdorur kimistët e për t’i realizuar.

Shenjtorët janë ende të dallueshëm edhe pse askush nuk është kujdesur për t'i mirëmbajtur. Vasili nis të flasë edhe për kishën më të vjetër të fshatit që sipas disa historianëve, është edhe më e vjetra e Shqipërisë.

Është kisha e Shën Stefanit, e rindërtuar në shek XII mbi themelet e një kishe më të vjetër që thuhet se ka qenë e shek Vll. Vasili përpiqet të na i tregojë kishën nga tarraca e kishës së Ipapandisë, por nuk duket asgjë. As kur i afrohesh orientimit. Kisha e Shën Stefanit është në Ilias dhe për ta parë duhet të ngjitesh shkëmbinjve, që nisin të lartësohen në fund të vijës së bregut të Dhërmiut,  e më pas shtigjeve të malit mbushur me ullinj. Shtegu nuk ka drejtime orientuese. Rrugës, përveç zhurmës së gjinkallës, nuk do të gjeni të papritura frikësuese.

Shtegu ngushtohet shpesh, diku bëhet rrëshqitës, por asgjë e paparashikueshme. Rrugës, pemët hapen dhe zbulojnë detin që lartësia e bën të jashtëzakonshëm.

Me ritme mesatare duhet të ngitesh rreth 40 minuta përpara se të shfaqen rrënojat dhe Manastiri i restauruar. Përveç jehonës së ca zërave që s'dihet se nga vijnë, nuk dëgjohet asgjë. Nëse vazhdon ecjen mund të dalësh në Vuno, por kthimi është më i sigurt, sidomos kur nisesh pa ujë. Në ditët e nxehta këto shëtitje nuk janë shumë të mençura, por përgjatë prillit dhe majit, kur nuk ka shi, janë shëtitjet më të bukura që mund të bëni.

Edhe mëngjeset herët të verës janë një mundësi e mirë për të bërë edhe pak aktivitet fizik! Përpara nisjes, do t’ju duhet patjetër që ndonjëri prej banorëve që mund të hasni rastësisht, t’ju tregojë drejtimin e rrugës e cila më pas, me pak nuhatje, ju udhëheq vetë. E gjithë rruga, pa u sforcuar, do të bëhet për rreth 1 orë e gjysmë. Nëse merrni ushqime me vete mund të bëni një piknik përpara pamjes që pëlqeni më shumë gjatë rrugës. Përzgjidheni vetë!

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor