Aktualitet 7 Prill 2021

Tromboza nga AstraZeneca? Ja përgjigja nga Agjencia Evropiane e Barnave

Aktualitet

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) deklaron se rastet e trombozës pas injektimit të vaksinave “AstraZeneca” janë një efekt anësor i mundshëm, por shumë i rrallë.

Pasi vlerësoi rastet e trombozës pas administrimit të vaksinës “AstraZeneca”, EMA arriti në përfundimin se mund të shoqërohet me disa raste të trombeve të pazakonta, të cilat “janë shumë të rralla”. Në çdo rast, EMA theksoi se përfitimet e kësaj vaksine tejkalojnë rreziqet duke rekomanduar vijimin e vaksinimit.

Komiteti mori parasysh të gjitha të dhënat e disponueshme, përfshirë këshillën e një paneli ekspertësh, duke arritur në përfundimin se mpiksjet e pazakonta të gjakut me trombocitet duhet të raportohen si efekte anësore shumë të rralla.


Si të shpjegojmë efektin e mundshëm anësor

Shefi i EMA Emer Cook tha në një konferencë shtypi se agjencia “konfirmoi që përfitimet e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit tejkalojnë çdo rrezik që paraqitet nga efektet anësore”.

Cook theksoi se një “shpjegim i mundshëm” për këto raste të rralla të trombozës mund të ketë të bëjë me sistemin imunitar që i përgjigjet vaksinës.


Ai shtoi se vaksina është treguar shumë e efektshme në parandalimin e vdekjes dhe shtrimit në spital dhe se rreziqet e trombozës janë “shumë të rralla” megjithëse ato duhet të përfshihen si një efekt anësor i mundshëm për të gjitha moshat.

Çfarë rekomandon EMA për ata që janë vaksinuar

Ata që kanë marrë vaksinën duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë nëse përjetojnë simptoma të këtij kombinimi të trombozës dhe trombociteve të ulëta. Komisioni hetoi 62 rastet e trombozës cerebrale dhe 24 raste të trombozës arteriale të raportuara në Bashkimin Evropian që nga 22 Marsi, 18 prej të cilave ishin fatale. Rastet erdhën nga një total prej 25 milionë personave të cilët janë vaksinuar në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar./abcnews/

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor