Personazh 1 Mars 2021

Elektra Çapaliku na tregon sekretet e recetave të vjetra e të rralla shkodrane

Personazh

Përgatiti Ani Jaupaj

Kur një qytet është i pasur në tradita, në këtë rast i referohemi gatimit, nuk është e vështirë të frymëzohesh për ta ndarë me të tjerët. E nxitur pikërisht nga larmia që ka karakterizuar qytetin e saj në kuzhinë, Shkodrën, Elektra Çapaliku vendosi t’i mbledhë e t’i botojë pasuritë e tryezës me të cilën janë rritur ndër breza shkodranët e saj.

“Duke qenë e këtij qyteti, kam pasur dëshirën për të kontribuoj aty ku e ndiej veten më të fortë, ku kam një lloj pasioni, siç është gatimi. Fillimisht kam bërë librin “Në tavolinë me Koliqin” dhe me kalimin e kohës e kam pasuruar me gjëra të tjera që sollën këtë botim të dytë. Ideja për ta pasuruar librin edhe me informacione të tjera më ka ardhur prej faktit se qyteti është i pasur me histori dhe një numër të madh komunitetesh fetare që kanë bashkëjetuar me njëri tjetrin. Tregtia e zhvilluar ka qenë një tjetër element në favor të pasurimit të tryezave por edhe teknikave, konsullatat gjithashtu. Pra duke u ndërthurur shumë kultura, ku futet edhe pjesa e ushqimit, edhe baza e traditës zgjerohet e shtohet”- tregon Elektra. Sot në Living kemi zgjedhur disa prej recetave të saj që, me siguri, në Shkodër përdoren nga shumë familje njësoj si dikur. “Bukë, krypë e zemër” është libri i saj me receta dhe shënime historike nga Shkodra. 

Recetat 

Jahni me mish viçi ose lope: 1 kg mish lope e ndajmë në copa. Grin imët për së gjati 2 qepë, i hedh kripë e i shtyp mirë me dorë. Vë qepën në një tenxhere me pak vaj dhe shton aty mishin, 5-6 thelpinj hudhër, ujë, salcë, kripë, piper, pak sheqer, një copë pistil ose kumbulla të thata, gjethe dafine. Shton ujë dhe e lë të ziejë në zjarr të avashtë duke kontrolluar herë pas here për sasinë e ujit. Kur mishit ë jetë zier shton në tenxhere 2 lugë gjelle miell dhe gjysmë filxhani kafeje me uthull të fortë, të përziera më parë në një tas. I jep një valë jahnisë duke e përzier dhe e largon nga zjarri. 

*Familjet katolike blinin nga një gic të vogël dhe e mbanin në ambientet ndihmëse të shtëpisë. Kur gici rritej bëhej derr, andej nga fillimi i dhjetorit, e prisnin. 

Fërgesa: Nga mishi i derrit të sapotherur, ndan një sasi mishi të kuq dhe të bardhë. Po ashtu merr edhe mëlçitë e derrit. Të gjitha bashkë, priti në copa të vogla dhe kaurdisi në një tenxhere të madhe ku shton kripë, piper, gjethe dafine. Më pas shton nga pak ujë derisa mëlçitë të zbuten. I lë në zjarr të shterin e të ngelen në yndyrën e vet. Kjo quhet *fërgesa e gostës së thiut që shërbehet në sofër bashkë me mezet dhe sallatën ruse turshi, shoqëruar me raki rrushi.

*Atë ditë që therej derri, i zoti i shtëpisë ftonte për drekë ndonjë mik të ngushtë, komshi apo të afërm dhe kjo quhej “Gosta e thiut”. Gatimi që përgatitej për këtë drekë ishte fërgesa. 

Ushuji dhe zhiglat: Mishi për ushujin merret nga peshqiri i derrit dhe pjesët e tjera të bardha. Priten këto pjesë në copa të vogla dhe skuqen në një enë të thellë, duke i shtuar herë mbas here nga pak ujë që të mos errësohet, por të ruajë ngjyrën e bardhë. Masa e bardhë rri sipër në tenxhere, mblidhet me lugë dhe ruhet në një enë, për t’u përdorur gjatë vitit. Kjo yndyrë quhet ushuj dhe përdoret në gatime me zarzavate, për skuqjen e vezëve, te paçamuri, për të lyer bukën e thekur etj. Pjesa që mbetet në fund të tenxheres pasi është hequr ushuji janë zhiglat të cilat kanë marrë një ngjyrë të kuqërremtë. Pasi hiqen nga tenxherja hahen të ngrohta me pak kripë, hidhen tek veza e skuqur ose ruhen për t’i hedhur sipër pulendrës. 

Mish derri me qumësht: Mishin e derrit pasi e ndan në copa e vë të skuqet në një tenxhere me vaj. Pastaj i hedh pak ujë dhe kur mishit ë jetë gjysmë i zier, shton qumësht, kripë, piper dhe e lë të ziejë sa të mbetet me pak lëng. 

Proshutë derri me erëza: Proshuta e derrit, meqë është shumë e kripur, përpara servirjes, në disa familje iështë nënshtruar këtij përpunimi: në një tenxhere me ujë zien disa gjethe dafine. E lë të ftohet dhe pastaj merr kofshën apo shpatullën e thatë të derrit dhe e shpëlan me këtë ujë që të largohet sasia e madhe e kripës. Në një tas, përgatit këtë përzierje: hudhra të shtypura, piper, spec djegës pluhur dhe pak vaj. Pasi I ke përzier mirë bashkë, këtë salcë ia ngjesh kofshës në të gjitha anët. E var dhe një herë proshutën në tra që të thahet dhe të përthithë erëzat. Pastaj e shërben të prerë në feta të holla si antipastë.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor