Personazh 18 Shkurt 2021

Aurela nisi thurjen me lule të thata nga dhurata më e bukur që i bëri partneri

Personazh

Përgatiti Ani Jaupaj

Aurus është emri me të cilin Aldo, partneri i Aurelës, i shprehte ndjenjat, pa qenë nevoja për fjali të gjata. Vazhdon të jetë kështu, edhe sot. Aurus i thotë të gjitha, është kodi i tyre, emocionet e kujtimet, që nga ditët e para të dashurisë. Aurus është edhe ëmbëlsirë, e krijoi Aldo Mehmeti, i frymëzuar nga ëmbëlsia e artë e të dashurës së tij. Semifredo me shafran u quajt Aurus dhe po këtë emër ka marrë sot edhe biznesi që ka krijuar Aurela, sepse edhe ai u nxit e u frymëzua nga një dhuratë unike e Aldos. Një arush gjigant me 300 trëndafila natyralë, që nuk mund të hidhej poshtë kur të humbiste freskinë.

"Isha gjendur edhe më parë duke bërë kompozime me lule të freskëta. I kisha provuar rastësisht, meqë kisha pasur lule rreth e përqark në shtëpi dhe kisha provuar t'iu jepja forma të tjera, por vetëm sa isha argëtuar aty për aty, pa menduar se një ditë do të bëhej puna ime. Vetëm kur mora dhuratën e Aldos, arushin me trëndafila, nisa të mendoj seriozisht për krijimet me lule të thata". Aurela ka studiuar për biologji dhe ishte njohur që në shkollë me procesin e tharjes së bimëve, kështu që nuk e pati shumë të vështirë t'i vinte në praktikë idetë e saj. Bëri kërkimet e duhura në internet dhe nisi nga puna. Do ''shpëtonte" arushin me çdo kusht.


"U interesova për të gjetur solucionet e duhura që ndihmojnë në tharjen e luleve dhe kam hequr çdo trëndafil nga kompozimi, e kam tharë dhe e kam vendosur sërish në vend, deri sa e përfundova. E kam ende edhe sot në shtëpi, në gjendje shumë të mirë". Kaq u desh që Aurus të mos ishte më emri i dashurisë së tyre, por edhe një markë që do të zgjerohej përditë. Aurela nisi kërkimet e thelluara për t'u pasuruar me ide të cilat asnjëherë nuk i zbaton siç i sheh, i mjaftojnë vetëm si frymëzim për punët që do të krijohen më vonë. Rrugës u njoh me Olga Prinkun, krijuesen e shpikësen punëve në gjergjef.

"Kur e pashë u mahnita! Aq të bukura m'u duken sa mendova menjëherë që edhe unë mund ta bëj këtë"-tregon Aurela.
Gjeti materialet që i nevojiteshin dhe, siç ndodh tashmë në botën virtuale, shitjet e para u bënë pikërisht duke u ekspozuar aty.


Aurela nuk ka asnjë punë "gjendje". Të gjitha bëhen të personalizuara. Shumicën e luleve që përdor në kornizat e saj, e thanë vetë. Kur porositë vijnë njëra pas tjetrës e koha nuk premton, mund të furnizohet edhe me lule të thata. Lulet që përdor janë nga më të ndryshmet. "Përgjithësisht mund t'i thash të gjitha përveç disave. Kam provuar të thaj një luledielli por nuk ka rezistuar. Petalet delikate dhe pjesa e farave që nuk mund të thahet plotësisht, e vështirësojnë procesin. Megjithatë lulet janë të shumta, ke mundësi të bësh krijime të shumëllojshme. Më shumë përdor Limonium, Gypsophila, Statice, Bounganvillea, Helichrysum, Hydrangen, Daises, Fern, Trendafilat e balsamosur dhe te thate". Prej dy vitesh tashmë me këtë punë, Aurela ka marrë edhe dikë tjetër ta ndihmojë, sepse porositë janë shtuar në faqen e saj të Instagramit aurus_flower_art. Ajo vetë vazhdon të jetë në kërkim të ideve të reja që plotësohen edhe me punët me qëndisje e thurje. Rrugën e gjeti, dashuria ia bëri më të lehtë, tani vetëm do vazhdojë ta shtrojë...me lule.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor