Personazh 17 Shkurt 2021

Çifti i të huajve që lanë karrierën në Barcelonë për të zbuluar Beratin dhe gjithë vendet e UNESCO

Personazh

Përgatiti Ani Jaupaj

Historitë e aventurave e aventurierëve që dëgjohen sot, nga Shqipëria e nga bota, janë të shumta, por në thelb mbeten të njëjta, me qëllimin për të zbuluar botën e bashkë me të edhe veten. Jana dhe Mathias janë çifti që po zbulon vendet e pashkelura prej tyre më parë, por me një fokus të caktuar, të njohin e vizitojnë vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Me një profil në Instagram, GuideVenturous, me çantë shpine dhe shumë fotografi, Jana nga Çekia dhe suedezi Matthias që ka lindur në Gjermani, po na tregojnë këndvështrimin e tyre vlerave historike. Ditët që ishin në Shqipëri, i kaluan kryesisht në Berat, sepse ai ishte qyteti që iu la më shumë mbresa.

Me gjithë udhëtimet që kanë bërë nëpër botë, veçimi i Shqipërisë për natyrën, ushqimin, mikpritjen është vlerësim që u shërben edhe ndjekësve të tyre të shumtë, sepse, në fund, ky është edhe objektivit, që të jenë nxitës për të tjerët. Jana dhe Matthias janë të parët që kanë në fokus vendet e UNESCO-s, prandaj profili i tyre është i ndryshëm dhe tërheqës. Fotografitë nuk përcjellin vetëm çastet e tyre të gëzimit, por historinë e vendit që vizitojnë. Destinacionet e tyre janë 1121 ndërsa tani janë vetëm në fillim të rrugës.



Vendet që kanë vizituar më parë tashmë u shërbejnë edhe për të fituar të ardhura sepse të dy, kur nuk zbulojnë vende të reja, bëjnë guidën turistike për grupe që i kërkojnë. Kjo ka qenë dëshira dhe puna që i ka çuar deri në  Indi, Meksikë, Laplandi të Suedisë, Zanzibar, Tenerife, Filipine, Marok, Islandë, Kepin i Gjelbër, Sri Lanka, etj.



Në Shqipëri,  Matthias pëlqeu veçanërisht Beratin, vendndodhjen e tij buzë lumit të Osumit, rrugicat me kalldrëm në lagjet historike të qytetit, Mangalem e Goricë dhe kështjellën në majë të malit. Jana pëlqeu fshatrat e vegjël si Linin në Pogradec. Edhe Korça, Këlcyra e Llogaraja mbetën në kujtimet e dëshmitë e tyre fotografike, si momente për t'ia rrëfyer ndjekësve nga e gjithë bota.

Megjithatë, Barcelona, vendi ku jetojnë kur nuk janë duke udhëtuar, ngelet vendi i tyre më i sigurt, prandaj, nëse dikush mendon të udhëtojë drejt Spanjës, mund t'i marrë si guidë personale për të zbuluar gjëra që pak turistë mund të shohin.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor