Personazh 10 Shkurt 2021

Irena Negri Bakalli i iku qytetit për të ushqyer veten duke zbuluar natyrën (jo vetëm të Shkodrës)

Personazh

Përgatiti Ani Jaupaj

Kur e kam takuar për herë të parë Irena Negri Bakallin, njohja e ndikimit që ka natyra në ekuilibrat e njeriut, nuk ishte kaq popullore sa sot. Mbingarkesa e qyteteve nuk ishte kjo që është sot. Mbase prandaj nuk e kuptoja dhe aq mirë Irenën kur fliste për xhirot me biçikletë që kishte vite që i bënte, nëpër terrene të vështira, bashkë me të shoqin, Gilman Bakallin dhe grupin e tyre të miqve.Aventurat e saj në natyrë, më ngacmuan atëherë një lloj zilie të paformuar që shpërtheu pak më vonë.

Tani vonë, që e ripashë Irenën në rrjetet sociale, gjëja e parë që mendova ishte të zbuloja, përmes fotografive, nëse vazhdonte të zbulonte natyrën. Nuk ishte nevoja të kërkoje shumë për të kuptuar që udhëtimet e Irenës vetëm sa ishin shtuar, dhe, parë nga një amator, vështirësuar. Majat e maleve që kanë ngjitur janë bërë më të larta, shtigjet e biçikletave, më të gjata. Prandaj i kërkova Irenës ta ndante këtë nevojë të qendrueshme për të qenë afër natyrës, si një udhëtim gjatë të cilit nuk ndihet pesha e qytetit. 

Irena, nuk të kisha parë për disa kohë. Tani që u rilidhëm në rrjetet sociale shoh që që aventurat e tua nëpër natyrë qenkan zhvilluar.

Tashmë më shumë se kudo, njerëzit po takohen e ritakohen nëpër rrjetet sociale. Ngadalë, po kthehemi në qenie virtuale të vetmuara, duke humbur shumë nga qenia jonë zanafillore reale. Natyra, për mendimin tim, na ndihmon ta ushqejmë këtë qenie tonën reale, ndjesitë dhe emocionet tona reale, pavarësisht se, secili prej nesh, kush ma shumë e kush ma pak, vrapojmë te tastiera për t’i vendosur “vulën e virtualitetit” pothuajse çdo përjetimi real që bëjmë.
Askund ma shumë se në prehnin e natyrës nuk ndihet fuqia e jetës, ekzistenca jonë e përnjimendtë. Ndoshta një mekanizëm i pavetëdijshëm, për të mos humbur qenien time reale, të cilën e kam shumë për zemër, më ka shtyrë gjithnjë e ma shumë drejt ngjitjeve malore, lundrimit me kanoa e shtigjeve të biçikletave. Për diçka që don, gjehet gjithmonë koha.



Si është jeta jote sot? Po jeton në Shkodër apo në Tiranë?

Jeta midis Shkodrës e Tiranës krijon mundësinë me marrë ma të mirën prej secilës. Me Tiranën kryesisht më lidh puna që bëj si administratore e një kompanie, si edhe miqtë që kam, të cilët, të them të drejtën, shpesh “tentoj t’i josh” drejt Shkodrës me dhuratat që natyra i ka falur atij qyteti. Ndërsa me Shkodrën më lidh shumëçka. Shkodra për mu është si ai rasti “hall me të e hall pa të”. 

Me Shkodrën më lidhin kujtimet, miqtë e mbi të gjitha mundësitë e daljeve në natyrë, të cilat ky qytet iofron me bollëk në një distancë 30-40 min larg: alpet, liqeni, tre lumenj e deti. Personalisht, si shkodrane, ndihem e përkëdhelun prej kësaj mundësie.

Si ka qenë rruga jote profesionale, që mbërrite deri këtu: në luksin e zgjedhjes së të jetuarit edhe pranë punës, edhe pranë natyrës?

Pas studimeve për matematikë-fizikë në Universitetin e Shkodrës, profesioni im fillestar ka qenë mësuese, duke bërë eksperiencat e para në  zonat e thella malore  "ku kishte nevojë Atdheu",  si gjithë brezi im. Me vonë kam kaluar në pozicione drejtuese në sistemin arsimor. Paralelisht me këto, si shumica e shqiptarëve që nuk janë mjaftuar me një punë, kam punuar në organizata të huaja dhe vendase si trajnere punësimi (coaching for employment) për të cilën jam certifikuar në Universitetin e Lucerne-s në Zvicër. Aktualisht, prej katër vitesh, punoj si administratore në një kompani e cila ndërmjetëson punësimin e infermiereve në Gjermani nëpërmjet kompanisë gjermane, DEKRA.

Na trego disa nga udhëtimet e reja që ke bërë, ato më sfidueset?

Nji korrigjim të vogël nëse më lejon. Në raportet e mija me natyrën nuk ka sfida. Jam krejt e vetëdijshme që natyra pa ne jeton, e madje edhe ma mirë, kurse ne pa natyrën, e sigurt që jo. E kam të vështirë të veccoj vetëm një dnër udhëtimet e mia.

Disa nga daljet e vitit që kaloi, mund të përmend: Via Ferrata Deçan – një eksperiencë e veçantë në kacavjerrje me litarë, maja e Harapit (2217 m) dhe maja e Alisë (2471 m) në Theth, maja e Çardakut në Bogë (2250 m), maja e Golishit në Selcë (2025 m), maja e Radohimës (2568 m), Biga e Gimajve (2232 m) në Gimaj, maja e Jezercës (2694 m), Kollata e keqe (2556 m) nga Valbona, maja e Trojanit (2147 m) në Lëpushë. Me biçikletë kam shëtitur në Dedaj-Theth (45km), Shkodër-Velipojë (31 km), Shkodër-Ulqin (42 km). Me kanoa, përgjatë lumit Bunë nga Shiroka deri në Pentar (25 km).

Lexohet përmes fotografive ndikimi i mirë që ka natyra te ty!

Secili ka mënyrën e vet se si i qaset natyrës. Mënyra jeme është ajo e “lypses dinjitoze”, lypse, sepse marr energjinë që ajo më dhuron dhe dinjitoze, sepse më jep e i jap dashni. Sa ma në heshtje t’i afrohesh natyrës, aq ma mirë ndihet zani i saj.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor