Personazh 5 Shkurt 2021

Aldo Mehmeti, historia e një shefi që ëndërronte të gatuante që 8 vjeç

Personazh

Ani Jaupaj

E gjithë loja që po bën sot marketingu botëror, në të gjitha nivelet, me thejshtësinë, si më të lartën e vlerave, ka filluar nga kuzhina. Shefa nga e gjithë bota, meritat e standardit të shijes ia delegonin të gjitha thjeshtësisë, dhe do të kishin të drejtë nëse produktet me të cilat krijojnë (pa folur për teknikat e recetave që nuk i thonë asnjëherë siç janë) nuk do të kushtonin qindra euro! Por kjo është vetëm një gjë! Aty ku çalon më shumë propaganda e thjeshtësisë, është te sjellja. Nëse kanë mbërritur në etapën që flasin për të, e tregojnë si përbërës magjik, thjeshtësia do të vij në faturë, por nëse është vërtet fryma me të cilën është krijuar e realizuar një pjatë, ke për ta kuptuar e vlerësuar, ende pa provuar ushqimin. Aldo Mehmeti nuk të flet për thjeshtësinë, por e bën buzëqeshja e tij mikpritëse, prezantimi i mënyrës së punuarit dhe ushqimi që të sjell në tryezë. Me një recetë të plotë, në aroma e shije, me karakteristika të Labërisë, Aldo, në vend që të flasë për veten, të sjell një ravioli të mbushur me perime të tymosura dhe ragu qengji. Nëse ju duket e ndërlikuar, nuk është! Janë të gjitha cilësitë e tokës ku ai vetë është rritur, të paraqitura me nuhatjen dhe qiellzën e një njeriu që u gjend mbi sobë, që fëmijë. Është një pjatë e pastër, autentike, e realizuar nga përkushtimi i shumë viteve punë.

Në vitin 1997, furnizimet më të ngutshme të shtëpive, njësoj siç edhe në 2020, ishin me miell. "Mielli ishte i paketuar në format 1 kilogramësh, i mbledhur më pas nga një paketim plastik që kishte brenda edhe një revistë të ilustruar me receta që kishin bazë brumin. As sot nuk e kam harruar ndjenjën që përjetova, gëzimin dhe çudinë nga ky zbulim që m'u duk i jashtëzakonshëm. Babai im kishte gatuar gjithnjë në shtëpi, i tërhequr edhe ai nga pasioni, por kush kishte parë makarona të freskëta apo biskota nga më ndjellëset!" Kjo ka qenë marramendja e parë e Aldos prej kuzhinës, vetëm nga figura dhe ëndrra për ta pasur fotografinë të vërtetë!
"Të gjitha recetat në revistë ishin me bazë brumi, sepse reklamonin përdorimin e miellit, kështu që edhe provat e mia të para ishin biskotat, keku dhe makaronat e freskëta që më vonë zbulova se i kisha bërë vetëm në teori".
Çfarë mund të bënte një fëmijë aq i vogël?!
Megjithatë, fati ndoqi rrugën e ëndrrës së tij. Prej një problemi shëndetësor, Aldo Mehmeti u shpërngul te të afërmit, në Itali. Në ç'vend tjetër do të dëshironte të jetonte një njeri që mendon vetëm si të kombinojë përbërësit e një recete?!


"Jetova aty për pesë vjet dhe, në atë pikë, kur kisha nisur shkollën, s'kishte kuptim të kthehesha pas. Në Itali nisa shkollën për hoteleri turizëm".
Rruga e Aldos nuk është ajo tipikja e shefave që e kanë nisur karrierën nga larja e pjatave, për të shkuar te tiganët. Shkolla të mundëson kapërcimin e kësaj faze, të jep bazat, pjesa tjetër është përvojë. Kuzhinieri i ri e fitoi atë duke punuar me shefa të rëndësishëm në Itali, kryesisht në Firence, derisa u ndje i gatshëm të provonte kombinimet e tij dhe të fitonte sigurinë e një kuzhinieri që mund ta drejtojë vetë restorantin. Shëtiti nëpër disa restorante përpara se të vendoste të kthehej në Shqipëri. "Në fillim, kur erdha, mendova të hapja diçka timen, por nuk mund të refuzoja një propozim kaq të madh sa ç'ishte drejtimi i restorantit Mandarin, në Marina Bay dhe kam bërë shumë mirë. Është e vështirë të gjesh një strukturë të tillë, me këto standarde në Shqipëri dhe fakti që e ngrita kuzhinën nga 0 më bën krenar"- tregon Aldo.

Që një shef të mbërrijë deri këtu, sa të jetë ndër emrat më të rëndësishëm të vendit të tij, nuk do të thotë që e ka kryer punën. Kuzhina nuk përfundon asnjëherë! Sot, për Aldon, mësimet dhe frymëzimet janë librat e pafund që porosit në internet, kurset virtuale dhe udhëtimet. Mund t'i ngacmojë receptorët edhe një ushqim i shpejtë në rrugë, edhe një aromë në aeroport, edhe një shëtitje në mal. Asnjëherë nuk mund ta dish nga do të të vijë ngacmimi fillestar për të krijuar, pas disa provash, një pjatë të re. Njësoj siç ndodh me krijuesit e të gjitha degëzimeve të artit. Mund t'i shfaqet një shije në ëndërr dhe ka për ta realizuar, njësoj siç realizoi dikur ëndrrën e djalit 8 vjeçar.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor