Personazh 4 Shkurt 2021

Ermali, trashëgimtari i vetëm i gurgdhendësve që ndërtuan Gjirokastrën

Personazh

Nga ANI JAUPAJ

Dyqani i vogël në Qafën e Pazarit, në Gjirokastër, mund të gjendet nga zhurma e çekiçit. Përpara se ta shohësh, do ta dëgjosh. Në dimër nuk ka zhurma turistësh dhe Ermali është nga të parët që hap dyert e dyqanit ku tashmë, pas humbjes së babait, gdhend i vetëm gurin. Gjyshi i tij ka nxjerrë gurët që mbajnë qytetin, babai, që prej moshës 10 vjeçare, gjithashtu. Tani është vetëm për të përcjellë historinë e familjes dhe për të ruajtur traditën e gdhendjes së gurit.


Deri pak kohë më parë, në vend të tij ishte i ati, mjeshtri Muhedin Makri që punoi deri sa u largua nga kjo botë. Edhe ai ishte djali i një gurgdhendësi.  Gjirokastra është ndërtuar nga baballarët dhe gjyshërit e tyre, qoftë me gurë të zi, qoftë me gurë të bardhë. Godinat më të rëndësishme të qytetit i kanë ndërtuar paraardhësit e tyre.



Punimet më të rëndësishme, Ermali nuk i shet, i ka kujtim nga i ati që u mësoi jo vetëm djemve por edhe nipërve, zanatin e qytetit të gurit. Gjenden qindra punime, që nga lulet, kafshët, figurat patriotike etj. Kur shkuam për ta takuar, Ermali po punonte pemën e jetës. Në fillim nuk e nisi me dëshirë të madhe, por malli dhe nostalgjia për babanë, e bënë të shkonte përditë e përditë. Tani turistët e dinë ndalesën.

"Kam dhe jashtë punime të kalasë së Gjirokastrës apo dhe të shtëpive të Gjirokastrës, mirëpo ç’është e drejta është gur dhe nuk ka shumë vlerë. Edhe turistët që vijnë e blejnë nxjerrin pretekstin e avionit, për shkak të peshës që ka, ndërsa preferojnë më shumë Gjirokastrën me përmasa të vogla. Kemi pak shitje kështu që përqendrohem te punët e vogla që janë praktike për tu transportuar, të tjerat i bëj me porosi. Turistët e kanë më të thjeshtë të fotografojnë se të ngrenë gurin nëpër shëtitje. Çmimet variojnë në varësi të punës, nga 5 euro, 10 euro, 20 mijë lekë etj.

Sa më e madhe të jetë puna dhe sa më vështirë aq më shumë kërkohet. Periudha që ka më shumë shitje është periudha e gushtit, sepse atëherë vijnë dhe turistë familjarë, sepse vijnë për të bërë një xhiro dhe shikojnë dhe kalanë e Gjirokastrës. Ashtu si shumë profesione në Shqipëri që nuk sjellin të ardhura të mjaftueshme, është dhe profesioni i gurgdhendësit. Ermali ka provuar të bëj edhe punë të tjera, por është kthyer sërish te tradita e familjes.

Përvoja e babait të Ermalit në punimet e dorës, është shpërblyer dhe me çmime të ndryshme. Ka qenë shpesh pjesëmarrës në konkurse, që në kohët e shkuara. "Kjo punë do punë, do vullnet, do përkushtim të madh dhe nuk e bën kushdo këtë punë. Është punë e vështirë, do intuitë, do të kesh haber nga skulptura, nga piktura". Të gjitha i ka fituar me kohën, me ndihmën e babait dhe me durim, por nëse do të ishte më i nxitur nga fitimi, me siguri do punonte me gjatë, në stolin e vogël pranë derës së dyqanit, me goditjet e lehta që lajmërojnë adresën. 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor