Shtatzania 21 Janar 2021

Lindja e asistuar me forceps dhe vakum; Në cilat raste kryhet

Shtatzania

Në qoftë se dhimbjet e lindjes zgjatin më shumë se ç’duhet ose shfaqen komplikacione, mund të kërkoni ndihmë mjekësore. Për të ndihmuar lindjen, në rastet kur qafa e mitrës është hapur plotësisht dhe fetusi ka zbritur në pozicionin e duhur, por e ka të vështirë të dalë jashtë, mund të përdoren pajisje si forcepsi ose aparati thithës me vakum. Mund të shfaqet nevoja e një lindjeje të asistuar, nëse fetusi nuk është në drejtimin e duhur, nëse rrahjet e zemrës së tij janë të ulëta dhe ai duhet të dalë sa më shpejt, ose nëse nëna është shumë e rraskapitur për të shtyrë. Në këto raste, mjeku mund të ndërhyjë duke përdorur ose forcepsin ose aparatin thithës me vakum. Përdorimi i tyre mund të jetë mënyra më e shpejtë dhe më e sigurt e lindjes së një foshnje.
Lindja e asistuar me forceps: forcepsi ka formën e dy lugëve që kur bashkohen, ngjajnë me kapësen e sallatës. Mjeku rrëshqet lugët ngadalë dhe me radhë në vaginë, të cilat vendosen përreth kokës së fetusit. Dy pjesët bashkohen dhe kapin kokën e fetusit. Ndërkohë që mitra kontraktohet dhe ju shtyni, mjeku e drejton fetusin përmes kanalit të lindjes. Sot, forcepsi përdoret vetëm kur koka e fetusit ka zbritur mirë në legenin e nënës ose është shumë pranë daljes së tij. Nëse koka nuk është pozicionuar si duhet, është e nevojshme që të bëhet një lindje me operacion.
Lindja e asistuar me aparat thithës me vakum: kjo pajisje mund të përdoret në vend të forcepsit, në qoftë se fetusi ka zbritur në legen. Në kokën e tij vendoset një tapë llastiku ose plastike dhe ndërkohë që nëna është duke shtyrë, mjeku e drejton me kujdes për t’ia lehtësuar fetusit rrugën drejt kanalit të lindjes. Tapa e aparatit thithës nuk zë aq vend sa forcepsi dhe mund t’i shkaktojë nënës pak dëmtime, por lindja e asistuar me aparat thithës, paraqet rrezik shumë të madh për foshnjën.
Cilat janë pritshmëritë: procesi i lindjes së asistuar nuk zgjat shumë, por duhen rreth 30 deri në 45 minuta që të bëheni gati për t’iu nënshtruar kësaj procedure. Fillimisht mjeku duhet t’ju bëjë një injeksion anestezik në shtyllën kurrizore, dhe më pas, në fshikëz vendoset një kateter për të zbrazur urinën që mund të jetë aty. Mjeku mund t’ju bëjë një prerje për të zmadhuar hapjen e vaginës (epiziotomi), e cila do të lehtësojë procesin e lindjes. Pajisjet ndihmëse janë mjete të rëndësishme dhe në përgjithësi, janë të sigurta. Duhet të keni parasysh se forcepsi mund të lërë mavijosje ose njolla të kuqe në pjesët anësore të kokës së foshnjës, ndërsa aparati thithës me vakum, mund të lërë mavijosje apo ënjtje në majën e kokës ose mund të shkaktojë gjakderdhje në skalpin e foshnjës. Mavijosjet mund të ikin pas një jave, kurse ënjtja ose njollat e kuqe largohen brenda disa ditësh. Përdorimi i secilës prej këtyre teknikave, shumë rrallë mund të shkaktojë dëmtime të rënda. Është mirë që t’ia lini në dorë mjekut të vendosë se cilën nga mënyrat të përdorë, forcepsin apo aparatin thithës me vakum. Përdorimi i këtyre pajisjeve, është mbrojtja më e mirë kundër komplikacioneve të mundshme.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor