Astroliving 18 Janar 2021

Nga vendi i parë në të 12-in, zbuloni si do të renditet shenja e juaj e horoskopit gjatë datave 18-24 janar

Astroliving

Dashi: Nuk parashikohet që këto të jenë ditë të mbara në sferën e dashurisë për të lindurit në shenjën e Dashit. Në krye të javës do të mbizotërojë pasioni, por më pas do t’ju duhet të përballeni me çështje të së shkuarës, që dukej se ishin harruar. Në aspektet e tjera të jetës gjërat duken më në ekuilibër. Dashi këtë herë do të mbajë vendin e dhjetë.

Demi: Dashuria do të triumfojë. Venusi në bashkëpunim me Hënën dhe Neptunin do t’i dhurojnë shenjës së parë të tokës ditë të bukura, gjatë së cilave do të kenë fat, veçanërisht në dashuri. Aty nga e mërkura dhe e enjtja do të kaloni çaste të paharrueshme në shoqërinë e partnerit. Jo më kot do të renditeni në vend të tretë.

Binjakët: Yjet parashikojnë mbarëvajtje në çështjet e punës. Do të jeni të favorizuar në këtë aspekt, sidomos të lindurit e dhjetëshit të parë të shenjës. Me siguri që do të arrini t’i realizoni synimet që do t’i vini vetes, edhe për gjërat që më parë ju dukeshin utopike. Vendi i dytë për ju këtë javë.

Gaforrja: Do të jeni në humor shumë të mirë. Do të arrini të përshtateni me gjithçka, pavarësisht se Diellin do ta keni në prapavijë. Pas një muaji të kaluar mse zënkash dhe gjatë të cilit jeni përballuar me gjëra të paparashikuara, më në fund do të ndiheni të çliruar. Hëpërhë nuk pritet të keni të reja në sferën profesionale. Gaforrja do të jetë në vend të shtatë.

Luani: Edhe pse viti sapo ka filluar, kjo pritet që të jetë një ndër javët më problematike të 2021-it, si në aspektin familjar edhe në atë profesional. Kërkohet maturi, që të shmangni të papriturat e pakëndshme. Kujdes edhe me ofertat që do t’ju bëhen, sepse mund të rezultojnë të pafrytshme për të ardhmen. Siç mund ta merrni me mend, këtë herë do të mbani vendin e 12-të.

Virgjëresha: Pritet që kjo të jetë një javë me ulje e ngritje. Do të hasni vështirësi në aspektin profesional. Disa çështje të prapambetura do t’ju hapin probleme. Eprorët tuaj do t’i mëshojnë fort respektimit të afateve. Në fundjavë do të keni takime të këndshme. Do të jeni të renditur mes shenjave të mesit, në vend të gjashtë.

Peshorja: Pritet që gjatë këtyre ditëve të keni probleme komunikimi. Aty nga mesi i javës, të lindurit e shenjës së dytë të ajrit duhet të ndryshojnë qëndrim në marrëdhënie me të tjerët. Tregohuni më të përzemërt dhe më pak racionalë, në mënyrë që të mos humbni mbështetjen e njerëzve të dashur. Peshorja do të mbajë vendin e pestë. 

Akrepi: Duket se gjatë këtyre ditëve  gjithçka do t’ju shkaktojë nervozizëm. Hëna do të jetë në prapavijë dhe kjo do të ndikojë më së shumti në sektorin profesional. Mos bëni rolin e provokatorit, në mënyrë që të mos prishni ekuilibrat. Kujdes edhe me mënyrën si shpreheni me kolegët dhe eprorët! Këtë herë do të mbani vendin e 11-të. 

Shigjetari: Yjet ju këshillojnë që të qetësoheni. Shkak për gjendjen tuaj të vështirë janë bërë problemet në punë dhe lodhja që po ju mundon. Ndoshta do t’ju bënte mirë një pushim për disa ditë. Mundohuni që problemet e punës të mbeten aty, pasi në fundjavë mund t’ju krijojnë nervozizëm në çift. Shigjetari do të jetë në vend të 9-të.

Bricjapi: Duke filluar që nga dita e martë, shenja e Bricjapit do ta humbasë mbështetjen e Diellit. Me këmbënguljen dhe kokëfortësinë që ju karakterizon, me siguri që do t’ia dilni mbanë në çështjet e punës. Vetëm me vullnet të fortë do të mund të arrini objektivat që do t’i vini vetes. Këtë herë do të mbani vendin e katërt. 

Ujori: Edhe këtë javë gjërat do të ecin mbarë për Ujorin. Më datë 19, Hëna do t’i bashkohet trinomit Pluton-Saturn-Jupiter, duke ju favorizuar më së shumti në sferën e financave. Të paktën në këtë aspekt do të merrni frymë të lehtësuar. Rruga drejt suksesit do të jetë e ngadaltë, por e sigurt. Ujori do të jetë në vend të parë.

Peshqit: Këto ditë do t’ju pëlqejë që më së shumti të rrini të vetmuar. Herë-herë, do t’ju pushtojë nostalgjia. Në mendje do t’ju kthehen histori të vjetra, të cilat ishin mbuluar nga pluhuri i harresës. Tregohuni mendjehapur dhe kini parasysh se koha mbetet gjithmonë ilaçi më i mirë. Peshqit këtë herë do të mbajnë vendin e tetë.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor