Personazh 14 Janar 2021

Adelina, qëndistarja duarartë që ndihmoi artizanët e Beratit të njiheshin brenda dhe jashtë vendit

Personazh

Nga ANI JAUPAJ

Thuajse 10 vjet më parë, kur u gjend pa punë, Adelina Theodhori nuk u mbyll në shtëpi. Iu rikthye punës që kishte mësuar nga paraardhëset e saj, qëndisjes. Bashkë me dy gra të tjera në Berat, ku jeton e punon, nisën të bënin pajat e vajzave, të gjitha me dorë. Mirëpo kaq nuk mjaftonte. Adelina e dinte që çdo prag i Mangalemit kishte një grua që bënte një punë si e saja, mirëpo nuk i njihte.

Kishte dëgjuar prej të atit që kishte punuar për vite në muze, se zanatçinjtë nuk mungojnë. "Ato vite ishte lënë giithçka në harresë. Kishte gra që realizonin punë të vogla në shtëpi, por vetëm kaq, askush nuk i promovonte. Pastaj mundësia për t'u lidhur me tregun apo për të ekspozuar punët, nuk ishte si sot."-tregon Adelina për fillimet e saj.

E nxitur nga mendimi se puna e dorës duhet të promovohet, të njihet e të ruhet, Adelina trokiti në çdo portë të Mangalemit për të njohur historinë e zanatçinjve të Beratit. Një kontakt solli tjetrin, nga Mangalemi u shpërnda në të gjithë Beratin e mandej në fshatra apo edhe qytetet përreth. Iu deshën dy vite që të njihej me shumë njerëz dhe të bënte bashkë rreth 20 artizanë të specialiteteve të ndryshme.

"U njoha me histori të rralla. Për shembull, jo shumë larg nga sot kemi humbur një nga thurësit më të mirë të thuprës, një nga zanatet më të vjetra të Berati,t që është mbajtur edhe për eksportin e shportave. Duke kërkuar rashë në gjurmët e Ndërmarrjes Artistike. Gjeta mjeshtra të samarëve apo të bakrit".

Me gjithë këto thesare që zbuloi, Adelina duhet të kalonte në fazën tjetër, atë të ekspozimit. Nisi aktivitetet e vogla në qytet derisa gjeti mundësinë që përmes Ministrisë së Mirëqenies, të merte pjesë në një panair në Tiranë. Mjeshtrat e punës që dikur rrinin qosheve tashmë gjetën mundësinë që të ndanin punët e tyre me të tjerët, por më e rëndësishmja, të shisnin. Njëri aktivitet pasoi tjetrin. Qëndistaret e Beratit po gjenin mundësinë të shtonin klientët dhe të tregonin punën që bënin e bëjnë me aq shumë mundim. Sot, mjafton të lidhesh me Adelinën dhe të njeh me secilën prej tyre.

"20 artizanët e dikurshëm u bënë shumë shpejt 50. Panairet u shtuan, arritëm të ngrinim edhe disa shtëpiza druri në pedonale ku artizanët shisnin produktet. Fillova të bëj guida me turistët duke i çuar nëpër punishte apo në shtëpitë e artizanëve. Me kalimin e kohës arrita që të bëj bashkë edhe fëmijët e artizanëve duke ngritur klasa ku mund të mësonin traditën e Beratit".

Kjo është Adelina Theodhori që edhe kur ngeli pa punë e askush nuk e përkrahu, arriti t'i ''krijojë'' punët vetë, ndërsa sot është adresa e vetme e gjithë jugut të Shqipërisë, nëse dikush është i interesuar për çdo lloj specialiteti të artizanatit. Edhe përmes saj, qëndistaret e Beratit shtojnë porositë brenda dhe jashtë vendit.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor