Shtatzania 6 Janar 2021

Çfarë është intoleranca ndaj lindjes dhe si veprohet në këtë rast

Shtatzania

Fetusi thuhet se është intolerant ndaj lindjes, kur shfaq vazhdimisht shenja që tregojnë mungesën e furnizimit me oksigjen. Konstatimi i këtyre shenjave, bëhet përmes kontrollit të rrahjeve të zemrës në një monitor elektronik. Ai nuk ngopet me oksigjen, kur niveli i qarkullimit të gjakut nga placenta është i ulët. Kjo do të thotë se nuk po merr oksigjen mjaftueshëm nga nëna. Ndër shkaqet e mundshme të këtij problemi janë ngjeshja e kordonit umbilikal dhe ulja e qarkullimit të gjakut në mitër.

Shkarja e kordonit umbilikal: kur ai rrëshqet përmes hapjes së qafës së mitrës, qarkullimi i gjakut te fetusi mund të ngadalësohet ose të ndalojë (shikoni ilustrimin në faqen 479). Kordoni umbilikal ka më shumë gjasa të rrëshqasë kur fetusi ka peshë të vogël, është në pozicionin podalik, sasia e lëngut amniotik është shumë e madhe ose kur qesja amniotike çahet para se fetusi të zbresë mjaftueshëm në legen.

Trajtimi. Kur kordoni rrëshqet pasi qafa e mitrës është zgjeruar plotësisht dhe ju jeni gati të shtyni, keni ende mundësi të bëni lindje natyrale. Në të kundërt, alternativa më e mirë është lindja me operacion.

Ngjeshja e kordonit umbilikal: kordoni umbilikal mund të ngjishet mes çdo pjese të trupit të fetusit dhe legenit të nënës, nëse sasia e lëngut amniotik pakësohet. Gjatë një kontraktimi, qarkullimi i gjakut te fetusi ngadalësohet ose, në raste shumë të  rralla, mund të ndalojë për një periudhë shumë të shkurtër kohe. Kjo gjendje zakonisht shfaqet kur fetusi ka zbritur mjaftueshëm në kanalin e lindjes. Kur ngjeshja e kordonit zgjat më shumë sesa duhet ose është e rëndë, fetusi mund të shfaqë shenja të furnizimit të paktë me oksigjen.

Trajtimi. Për ta shmangur sa më shumë këtë problem, mund të këshilloheni të ndryshoni pozicion gjatë kohës që jeni me dhimbje. Kështu do të ndryshoni edhe pozicionin e fetusit ose të kordonit umbilikal. Në të njëjtën kohë, mund të merrni oksigjen për të rritur sasinë me të cilën furnizohet fetusi. Mjeku mund të provojë gjithashtu të injektojë solucion fiziologjik në mitër, për të lehtësuar ngjeshjen e kordonit, një terapi e quajtur injektimi i lëngut amniotik. Ka raste kur duhet që mjeku ta nxjerrë fetusin duke përdorur forcepsin ose aparatin thithës me vakum, kurse lindja me operacion është e nevojshme atëherë kur fetusi ndodhet shumë lart në kanalin e lindjes ose kur qafa e mitrës nuk është hapur plotësisht.

Ulja e rrahjeve të zemrës së fetusit: gjatë kontraktimeve, qarkullimi i gjakut përmes mitrës ulet ndërkohë që fuqia e kontraktimit arrin kulmin. Në përgjithësi, fetusi mund t’i tolerojë këto ndryshime të përkohshme në qarkullimin e gjakut, falë rezervave që i ka falur natyra. Por nëse këto rezerva shterojnë, ndryshimet në rrahjet e zemrës së tij mund të tregojnë se nuk mund ta kompensojë vetë mungesën e oksigjenit. Kjo është arsyeja pse rrahjet e zemrës së fetusit kontrollohen vazhdimisht, kur nëna është duke kaluar dhimbjet e lindjes. Në qoftë se rrahjet e zemrës së tij janë shumë të shpejta ose shumë të ngadalta, kjo do të thotë se nuk po furnizohet mjaftueshëm me oksigjen. Falë përdorimit të një monitori elektronik për fetusin, mjeku mund të konstatojë çrregullimet e rrahjeve të zemrës, të cilat janë vërtet për t’u shqetësuar. Disa nga metodat e monitorimit të fetusit janë:

Monitorimi i jashtëm. Gjatë procesit të monitorimit të jashtëm, përreth barkut të nënës vendosen dy rripa të gjerë. Njëri vendoset sipër mitrës, për të matur dhe regjistruar kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë e kontraktimeve, kurse tjetri vendoset përmes pjesës së poshtme të barkut për të regjistruar rrahjet e zemrës së fetusit. Dy rripat janë të lidhur me një monitor, i cili shfaq dhe printon në të njëjtën kohë rrahjet e zemrës, që të vrojtohen bashkëveprimet e tyre.

Monitorimi i brendshëm. Monitorimi i brendshëm mund të kryhet vetëm pasi t’ju kenë plasur ujërat. Me çarjen e qeses së lëngut amniotik, mjeku mund t’ju fusë dorën në vaginë, pastaj në qafën e hapur të mitrës, për të prekur fetusin. Për t’i kontrolluar më mirë rrahjet e zemrës së tij, në kokën e fetusit vendoset një tel i vogël. Për të matur fuqinë e kontraktimeve, mes murit të mitrës dhe fetusit, mjeku fut një tub të ngushtë e të ndjeshëm ndaj shtypjes. Ky tub reagon ndaj shtypjes që ushtron çdo kontraktim. Ashtu si edhe në monitorimin e jashtëm, këto pajisje janë të lidhura me një monitor që shfaq dhe regjistron të dhënat, si dhe amplifikon zhurmën e rrahjeve të zemrës së fetusit.

 

Testi për stimulimin e fetusit. Zakonisht, kur mjeku prek kokën e fetusit, ai lëviz dhe ritmi i rrahjeve të zemrës rritet. Për stimulimin e fetusit mund të përdoren edhe zhurma të ndryshme. Nëse fetusi stimulohet, por rrahjet e zemrës së tij nuk ndryshojnë, ka shumë gjasa që të mos furnizohet mjaftueshëm me oksigjen.

Trajtimi. Ekzistojnë shumë mënyra, falë të cilave fetusi mund të furnizohet më shumë me oksigjen. Mjeku mund t’ju japë mjekime ndërkohë që jeni me dhimbje, me qëllim që të ngadalësojë ose të ndalojë kontraktimet, të cilat rrisin qarkullimin e gjakut te fetusi. Edhe ju mund të merrni oksigjen shtesë, për të marrë frymë normalisht. Në shumicën e rasteve, dhimbjet e lindjes nuk duhet të ndërpriten, madje edhe atëherë kur ka shenja se fetusi po reagon ndaj stresit të përkohshëm. Në situata ekstreme, mosfurnizimi me oksigjen rrezikon jetën e fetusit. Mjeku është trajnuar për t’i konstatuar menjëherë shenjat e stresit të rëndë dhe të marrë masa urgjente, që në përgjithësi, përfshijnë lindjen me operacion. Për çdo gjë që shihni në monitor dhe ju shqetëson, mund të pyesni një nga pjesëtarët e ekipit mjekësor. Mos u habisni nëse nuk kuptoni asgjë nga ato që shikoni. Leximi i monitorit është i vështirë. Disa ndryshime drastike mund të mos jenë arsye për t’u shqetësuar, ndërsa disa të tjera më të lehta, mund të jenë shumë serioze.

Marrë nga libri ‘Udhërrëfyes për një shtatzëni të shëndetshme’

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor