Personazh 5 Janar 2021

Historia e 'Portretit' në artin shqiptar, emrat më të rëndësishëm në ekspozitën e Artan Shabanit

Personazh

Ani Jaupaj

"Që në moshë të vogël të gjithë kalojmë kohë duke parë të hukatur përreth gjërave, një  proçes ky që na stimulon vëmendjen dhe imagjinatën. Në vitet e rinisë vështrimi ynë binte shpesh mbi portrete të varura për dekada nëpër mure. Kjo ndjesi sot më gacullon imagjinatën! Kur ndodhesha përballë një portreti, pyesja gjithnjë e më intensivisht vetveten: nëse nuk më shikon mua, kë po shikon? Çfarë mendon? Vështrimet e portreteve humbisnin në pafundësi. Ndoshta ishin portrete të fotografuara si në ëndërr? Ndoshta në një kujtim? "- të gjitha hamendjet e të gjitha pikëpyetjet, e çuan kuratorin Artan Shabanin drejt ekspozitës "Portretizime" në galerinë Promenade që vetëm prej pak muajsh ka hapur në Vlorë, duke qëndruar kështu përherë i lidhur, përmes artit, me qytetin e tij. Deri në 25 janar, portretet e emrave më të rëndësishëm të pikturës në vend, do të jenë të ekspozuara në galerinë që e ndryshon dritën e temën nëpër sezone.

"Ne shqiptarët kemi të kornizuar në kujtesën kolektive portrete si ai i udhëheqësit, i cili gjendej brenda dhe jashtë banesave tona, i stolisur me korniza ne pirografi apo të gdhendura nga ndonjë artizan. Në qytete përballeshim me portrete të realizuara nga sektori i dekorit, që kujdesej të “mbillte” në sa më shume ambiente portrete minatorësh, metalurgësh, heronjsh, partizanësh e kështu me rrallë. U rritëm me vështrimin e tyre, ndërkohë që propaganda e kohës kujdesej me shumë zell të portretizonte gjithçka sistematikisht. Ato imazhe sot janë të zhigmuara si letrat e akuarelit të zverdhura nga vitet.

Në shkollat artistike portretet ishin pjesë e rëndësishme dhe prezantuese për studentët, prandaj dhe imazhet e atyre punimeve na shoqëruan gjatë. Portretet e sjella së bashku në “Promenade Gallery” ngjasojnë si portretet e mjeshtrit italian Benozzo Gozzoli. (rr. 1420 – 1497)"-tregon Shabani.

Ekspozita “PORTRETIZIM ” bën bashkë artistë nga breza të ndryshëm të artit shqiptar që nga periudha e vetizolimit e deri te shprehjet bashkëkohore të ditëve tona. Mund të përmendim disa nga veprat e ekspozitës duke filluar nga vizatimi i Sofia Zengos tek skulptura plot shprehje dhe forcë e Arben Bajos, nga portreti elegant i dardhares së Mumtaz Dhramit tek piktura e Zef Shoshit me portretin e vajzës, nga portreti i partizanit tek Beteja e Mushqetasë i Guri Madhit tek portretet e kompozimit dedikuar masakrës së Borovës së Lec Shkrelit, nga minatori i Ramazan Memishit tek portreti delikat i Llambi Blidos, nga profili plot karakter i Lekë Tasit tek ai djaloshar i Adrian Çenes, nga portretet plot shprehi të Alkan Nallbanit tek portretizimi në grafikë i Agron Polovinës, nga vizatimet e Petro Kokushtës tek portreti me shikim të largët i Lumturi Blloshmit, nga portreti i vajzes me sy blu i Denis Golgota tek portreti plot freski i Jozita Shkrelit, nga vetëportreti plot jetë i Roland Aranit tek portreti i Lulit të vocër i Dhimitër Theodhorit, nga portreti në kërkim të dritës i Dritan Çelaj tek portretet e stilizuara të Shyqyri Sakos.Te shume janë artistet që portretizojnë ketë ekspozitë, plotësohet ky pazëll me Ardit Boriçin dhe Qazim Kërtushën, me Agron Jakupin dhe Julian Bletën I cili sjell një diptik nga portretet e tokës së kripur të lagunës vlonjate, dhe mirëseardhjen e ekspozitës kush me bukur se portreti i veçantë mbi piedestal, autor Ilmi Kasemi Beati.

Historia e portretit në artin shqiptar

Në historinë e artit tone, portretet e para i gjejmë tek Kol Idromeno, Simon Rrota, Pjetër Marubi, Ndoc Martini, Zef Kolombi, Spiro Xega, Sofia Zengo Papadhimitri, Androniqi Antoniu etj.. “Motra Tone” (1883) mbetet emblematike për trajtimin të portretit të femrës shqiptare në pikturë, plot bukuri dhe hijeshi, një punim i përkorë i mjeshtrit Idromeno, i cili, përtej pikturës, la gjurmë edhe si arkitekt, urb anist, fotograf dhe skenograf. Ky artist e bën atë figurë një ndër veprat e para dhe më domethënëse të pikturës laike shqiptare.

Jo më pak të arrira janë portretet e realizuara nga artistët e tjerë të asaj periudhe si Andrea Kushi, Sadik Kaçeli, Vangjush Mio, Janaq Paço, Kristina Koljaka, etj. Këta autorë mbeten të rëndësishëm për artin e pjesës së parë të Nëntëqintës shqiptare edhe për frymën europiane që i dhanë atij në Shqipëri, meqenëse ishin formuar kryesisht në akademitë e Romës, Firences, Athinës. Veprat e tyre bëjnë pjesë në trashëgiminë e patjetërsueshme kulturore të vendit tonë.

Nisur nga këndvështrimi kohor, në ekspozitën “Portretizim ” gjejmë një vepër të viteve ’40, të punuar me laps nga Sofia Zengo Papadhimitri, përfaqësuese e denjë e grupit të artistëve të traditës. Ndihmëse e zellshme e të atit, Vangjelit, edhe ai piktor, dhe nxënëse e talentuar e mjeshtrit Vangjush Mio, Sofia Zengo së bashku me të motrën, Androniqi, të dyja të diplomuara në Akademinë e Arteve të Athinës, lanë një trashëgimi të pasur dhe përkujtohen si piktoret e para profesioniste në historinë e artit pamor shqiptar. Vepra e pranishme në këtë ekspozitë sjell ëmbëlsisht një portret femre, që mbart botëvështrimin dhe gjurmët e një kohe të largët.

E mbyllim ketë qerthullim duke sjellë një nga shembujt më të bukur të portretit në artin botëror: “Xhokonda”, e njohur edhe si Mona Liza, realizuar në 1503 nga Leonardo da Vinçi dhe që konservohet në Muzeun e Luvrit në Paris. Bëhet fjalë për një pikturë të rrallë, të cilën gjenialiteti i Da Vinçit ka arritur ta shndërrojë në portretin më të famshëm të historisë.  Buzëqeshja e padukshme e vajzës së portretizuar, me atmosferën e saj misterioze, ka frymëzuar ndër shekuj kritikë, shkrimtarë, studiues dhe artistë të të gjitha epokave, duke arritur deri të mbizoterojë në imagjinatën kolektive si një vepër ikonike dhe enigmatike të pikturës botërore.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor