Personazh 4 Janar 2021

Llambrini Dëna, skulptorja që po u mëson turistëve të Beratit të krijojnë në qeramikë

Personazh

Nga ANI JAUPAJ

Llambrini Dëna është përfaqësuese e artit në Berat. Studioja e saj është e tejmbushur me krijime me motive shqiptare. Ngjarjet më të rëndësishme që prekin vendin, skulptorja i sjell në mënyrën e saj të derdhura në qeramikë e terakotë.

Punët me zaje janë gjithashtu pjesë e rëndësishme e artit të saj. Me gurët që mbledh vetë, kryesisht nga ato që nxjerr Osumi, Llambrini u jep formë ngjarjeve që e prekin. Pandemia, tërmeti, lufta e Kosovës, gjenden të gjitha aty, mes gurësh. Një kënd të posaçëm kanë punimet e turistëve të huaj që nuk do ta kuptonin aq mirë Beratin nëse nuk do të ndaleshin te Llambrinia. Jo se shqiptarët nuk e vizitojnë, por të huajt janë më të interesuar. Sidomos kohët e fundit që Llambrini nuk mjaftohet më duke ju ofruar vetëm vizitën në galeri. Prej dy vitesh, në shtëpinë e saj, Llambrinia ka shtuar edhe disa dhoma për turistët. Të gjitha të mobiluara me dru te ricikluar nga arkat e municioneve, në zonë.

Në muret e dhomave janë të ekspozuara edhe punët e skulptores. Kur largohen, turistët mund të marrin një nga punët me vete, për të mos e harruar vizitën në shtëpinë e Llambrinisë, në Berat. Ata që duan, kanë rastin të bëjnë punën e tyre të parë në baltë, nën kujdesin dhe mësimet e skulptores.

Dy orë duke punuar me Llambrinin do të ngelen të paharruara në shëtitjen e një fundjave. Më pas ajo kujdeset ta pjekë e ta ruaj punën në galeri, si shenjë e gjithë turistëve nga e gjithë bota.

Krijimet në muajt e pandemisë

Në këto kohë pandemie të Covid-19, kur më shumë se kurrë të gjithë kanë nevojë për ndikimin e artit, skulptorja nga Berati, Llambrini Dëna, u ka ofruar shqiptarëve ekspozita virtuale të punimeve të saj. Përmes punëve me zaje, ajo sjell marrëdhëniet njerëzore, “Paqen” në një familje, por edhe i fton njerëzit të reflektojnë për sjelljen e tyre e të qenit të përgjegjshëm e human ndaj tjetrit dhe natyrës.

“Është koha për ndërgjegjësim e reflektim ndaj vetes, shoqërisë e natyrës”, ndërsa shpalos me delikatesë përmes zajeve një “Vorbull maskash njerëzore”, që bien e ngrihen në shoqëri, si në historinë e Sizifit. Mjaft interesante janë edhe punimet në terakotë të artistes, ku motivet popullore vijnë të përshtatura në kohë. Portrete medituese, statura të brishta e ngjyra të ngrohta që të afrojnë butësisht me tradicionalen.

Llambrini Dëna i është kushtuar kësaj pune prej 30 vitesh, që kur la mësuesinë. Fillimet nuk ishin kaq te ngjeshura sa sot, punët ishin më të pakta, por koha dhe reagimet e të gjithëve që vlerësonin punët, e rritën atë vetë dhe galerinë, një nga ndalesat më interesante sot në Berat.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor