Personazh 30 Dhjetor 2020

Pandeliu dhe Olimbia, çifti i të moshuarve të Zvërnecit që feston vetëm me flamingot

Personazh

Nga ANI JAUPAJ

Pandeliu i ka përherë sytë nga dera. Ka vendosur një karrige në oborr për të parë nga rruga. Nuk pret njeri, por ku i dihet?! Fëmijët i ka në Gjermani. Marsin e shkuar do shkonte edhe ai, bashkë me Olimbinë, të shoqen, por u mbyllën rrugët, fëmijët patën frikë kështu që biletat që blenë u dogjën. Mbesën e vogël nuk e njohin, e kanë parë vetëm në kamera, edhe pse kanë kaluar 5 vjet që kur ka lindur. "Ja, e shohim këtu, por as na flet asgjë, ka lindur atje, nuk di as shqip. Por kënaqemi që e shohim. Të shkoj t'i shoh një herë atje, si jetojnë, pastaj le të vdes".

Dajë Pandeliu, siç i thërrasin në Zvërnec, prej nga nuk ka marre mundimin të largohet asnjëherë, kur shikon njeri t'i hyjë në derë, i mbushen sytë, sado që përpiqet të qesh. Të mos jetonte në lagunë, nuk do të kishte asgjë. Shtëpia e tyre është e fundit e fshatit, me një portë hyrëse nga rruga dhe një dalje në ujërat e Zvërnecit. Aty kanë varkën e vogël të drunjtë për të kapur peshk. "I kemi të gjitha, asgjë nuk na mungon, duam vetëm të shohim njerëz. Mishin, peshkun, perimet, frutat, asgjë nuk duam!"

Në oborrin e tyre, tani në dimër kanë ngelur vetëm preshi, lakra, qepët e ca speca djegës. Vreshti është tharë ndërsa agrumet nuk mbahen nga kokrrat. Kushdo që ju shkon në shtëpi e ka të pamundur të largohet pa ca portokalle e limona me vete. Pak ditë ka që kanë mbaruar punën te ullinjtë. Të dy, burrë e grua, edhe pse në moshë, shkonin përditë për t'i mbledhur. Pandeliu bënte vajin ndërsa Olimbia përgatiste kokrrat për të ngrënë. Shumicën ia dërgojnë fënijëve në Gjermani. "Më tha djali mos i pastro nga bërthamat sepse i hamë me grushta"- thotë Olimbia ndërsa del nga dhoma e zahireve me një enë plotë me ullinj.

Këta dy-tre muaj i kalojnë më tepër brenda. Era e fortë e jugut nuk të lejon të qëndrosh gjatë jashtë. Mirëpo, prej dhjetorit, u vijnë te deriçka e pasme edhe miqtë më të bukur që mund të afrohen ndonjëherë; flamingot e bukur ngjyrë rozë.

Pandeliu me Olimbinë zgjohen në orën 6. Me të dalë nga dera hedhin sytë nga laguna për të parë nëse i kanë flamingot aty. Për shkak të erës, ata janë përherë në lëvizje, por edhe nëse nuk janë afër derës, duken me sy të lirë, ca më larg. "Flamingot shtegëtojnë, tani në dhjetor vijnë më shumë në këtë pjesë të lagunës. I shohim sa zgjohemi, e pimë kafen bashkë. Flamingot u zhdukën nga laguna për vite të tëra. Pas '97 nga zhurmët e armëve dhe ngaqë i qëllonin, nuk erdhën më. Vetëm këto dy vite kanë ardhur. Zgjedhin zonat që nuk ka banorë, nuk ka lëvizje njerëzish".


Flamingot e ndiejnë menjëherë nëse përpiqesh t'u afrohesh. Edhe varkat pa motor e kanë të pamundur sepse ngrihen si re rozë në fluturim, sapo ndiejnë ujin t'iu turbullohet. Banorët nuk kanë qejf t'iu tregojnë njerëzve se ku janë flamingot sepse i trembin dhe i largojnë nga laguna. "Dikur i kanë qëlluar, i kanë keqtrajtuar. Tani janë të qeta. Këtë vit që nuk ka pasur fare lëvizje ka pasur më shumë se vjet. Kanë ardhur fotograf të huaj këtu te shtëpia jonë për t'i fotografuar".


Ata nuk dijnë gjuhë të huaja, por janë marrë vesh me shenja. Duhet t'i sinjalizojnë vizitorët të mos bëjnë zhurmë, të ecin me ngadalë, që mos t'iu tremben miqtë. Flamingot janë pas dere, me kokat e zhytura nën ujë, në kërkim të ushqimit. "Ushqehen me një lloj karkaleci të kuq që gjendet në këto ujëra, prandaj kanë ngjyrë rozë"-tregon Pandeliu. Ato nuk shqetësohen nga shiu apo era e fortë, mjafton të gjejnë një qoshe të mbrojtur. Të moshuarit e Zvërnecit, kanë dhuratën më të bukur në dhjetor, për të harruar pak vetminë e mungesës së fëmijëve. Megjithatë, me t'u siguruar që flamingot janë aty, kthejnë sytë e njomë nga dera.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor