Personazh 28 Dhjetor 2020

Fëllëxa, qëndistarja e fundit e Beratit që nuk është ngritur nga makina qepëse prej 30 vitesh

Personazh

Nga ANI JAUPAJ

Fëllëxa Gjeçi punon 18 orë në ditë. I mjaftojnë vetëm 4 orë gjumë edhe pse sytë nuk i çlodhen asnjëherë. Është ulur në tezgjah që 18 vjeç, kur mbaroi shkollën e mesme, në Berat, por nuk zgjati shumë. "Ime më ka qenë artizane, prej saj kam mësuar. Mësova tezgjahun, por me kalimin e kohës nuk kishte më kërkesa për të kështu që kalova te makina qepëse".

Një dhomë të vogël të shtëpisë Fëllëxa e ka vetëm për të ekspozuar punën. Aty, afër dritares, për t'u ndihmuar nga drita, ka edhe makinën qepëse. Prej muajsh nuk e viziton njeri për të parë modelet kështu që, bashkë me të bijën, kanë gjetur zgjidhjen e kohës, rrjetet sociale. Enisa, vajza e madhe, fotografon të gjitha punët e të ëmës për t'i  ekspozuar më pas në Facebook.

"Klientet tona jetojnë thuajse të gjitha jashtë shtetit. Në fillim punoja vetëm me Greqinë, sepse lidhja ishte më e lehtë, por tani që janë rrjetet sociale dhe punët mund t'i shohë kushdo, ka porosi nga e gjithë bota. Greqia eshtë gjithashtu e famshme për punën e dorës prandaj edhe janë të interesuar. Tani kemi klientë nga Gjermania, Anglia, Amerika, gjithandej"- tregon Fëllëxa.

Së fundi ka edhe klientë të huaj. Ky është 'shërbimi' i ri që  u mundësua nga Enisa. Ajo menaxhon faqen e të ëmës dhe komunikon në anglisht me klientët. Të mos ishte për porositë online, këta muaj të vështirë do ishin ekonomikisht të papërballueshëm për artizanët. Megjithatë, nëse ka pasur më tepër kohë, Fëllëxa e ka shfrytëzuar për të realizuar punë që kërkojnë më shumë kohë e durim.

Sado që shikimi i  saj po dobësohet, nuk i ka ulur orët e punës. 2 vajzat e saj janë ende të vogla, kanë nevoja financiare për t'u shkolluar. As Sarinda, as Enisa nuk kanë interes për të mësuar punën që bën e ëma. I pëlqejnë e vlerësojnë punët e saj, por vetë nuk duan të mësojnë. Brezi i Fëllëxës është i fundit që po zhvillon në këto ritme traditën e punës së dorës, në Berat e kudo. Nesër, kur sytë e saj mos të durojnë më, do ngelen vetëm punët e imta që realizon prej 30 vitesh. 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor