Dekorime 25 Dhjetor 2020

Ornela, 25-vjeçarja që ndërtoi shtëpinë më të famshme të Instagramit për të sjellë në jetë vajzën

Dekorime

Ani Jaupaj 

Moshatarët e saj nuk kanë për ta besuar, por ja që kjo është historia! Ornela Latifaj ishte 25 vjeç kur ngeli shtatzënë dhe e kishte ndarë mendjen që nuk do kthehej nga materniteti në një shtëpi që nuk ishte e saja. Çfarë bëri? Gjeti një shtëpi të vjetër, në lagjen ku ishte rritur, e bleu me çmim mjaft të arsyeshëm, dhe e rrëzoi në tokë. Do të niste gjithçka nga e para.

"Shkova në një studio projektimi por projekti i shtëpisë nuk më pëlqeu kështu që provova ta bëja vetë. Kuptohet që jam e pasionuar pas arkitekturës dhe dizajnit, ndryshe nuk do kisha as informacionet thelbësore. U ktheva në studion e projektimit për të bërë matjet, por dështoi sërish. Nuk kisha gjetur njeriun e duhur për të bashkëpunuar kështu që praktikisht më ngeli në dorë gjithçka"- tregon Ornela për kohët e para kur guxoi të krijonte shtëpinë e ëndrrave. 


Nuk ishte fare e lehtë, kuptohet, sepse edhe buxheti i saj dhe i të shoqit nuk ishte i palimituar. Në këtë pikë hyri në fuqi një tjetër ide e shkëlqyer që e bluante prej kohësh. "Të ardhurat tona nuk mjaftonin për të bërë aredimin që dëshiroja kështu që bëra një plan marketingu. Do ta bëja shtëpinë të famshme në Instagram, do ta mobiloja me mobilje të lira që t'i hiqja e ndërroja vazhdimisht duke i shitur online. Duke pasur ndjekës do gjeja dhe klientë të fushës, të gatshëm për të reklamuar bizneset e tyre, pra do shisja imazhin". Gjithçka funksionoi për bukuri! Maison 17 është bërë një nga shtëpitë më të famshme të Instagramit.


Ornela i ka qëndruar numrit historik të shtëpisë së vjetër, prandaj e ka quajtur 'Maison17'.  Por përveç numrit, çdo gjë ndryshon kaq shpesh në shtëpinë e saj. Gjatë ditës, Ornela i kushtohet biznesit të saj të veshjeve, ama natën mendon vetëm për ndryshimet që mund të bëjë në shtëpi. Ia del gjithmonë të tregoj një pamje të ndryshme të saj. Me pikturën pasion, nuk e ka shumë të vështirë. "Kam pikturuar gjithmonë. Prindërit e mi kanë qenë rrobaqepës dhe kam stiliar veshje edhe për ta, pra nuk ka qenë një argëtim fëmijërie, i kam kushtuar kohë.".


Megjithatë, kaq nuk mjafton! Gjërat sot ndryshojnë kaq shpejt sa që duhet të jesh çdo ditë në korrent të tendencave e ndryshimeve që sjell moda. 
"Lexoj vazhdimisht, çdo gjë. Kam qenë gjithmonë ndjekëse e blogereve të huaja që bëjnë të njëjtën gjë, lexoj revistat e dizajnit. Pastaj, mjafton të ndjekësh kryesoret sepse bazat i vendos 'alta moda', ata poshtë tyre bëjnë përshtatje. Më pëlqen stili nordik dhe atë ndjek më tepër". 

I vetmi problem i Ornelës është mungesa e kohës, sidomos në këto kohë festash që i duhet të ndjek biznesin, por të bëjë edhe dhurata. Krishtlindja dhe Viti i Ri e kanë bërë që t'i kushtojë më tepër kohë paketimit të dhuratave dhe shtrimit të tryezës. Të gjitha idetë dhe propozimet i ndan me ndjekësit e saj në Instagram. "Shpesh kam vështirësi në  gjetjen e objekteve që kam në mendje, por përshtatem sipas rrethanave. Unë i bëj fotografitë vetë, natën, sepse atëherë mundem. Fle shumë pak orë, mendoj gjithmonë çfarë të ndryshoj në shtëpi"- dhe Ornela ia del gjithmonë. Mjafton të shihni fotografitë e Maison17 për t'u bindur!

 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor