Personazh 20 Dhjetor 2020

Krist Peçi, 24 vjeçari që la traditën familjare të tekstilit për të hapur një fermë kërmijsh

Personazh

Nga ANI JAUPAJ

Po ua themi që në fillim, përveçse i është përkushtuar fermës, Krist Peçi ka menduar t'i çlirojë klientët nga pjesa më e madhe e punës. Ai i pastron kërmijtë, pra i shet në fazë gjysmë të gatshme, kështu që puna jonë ngelet vetëm t'i hamë. Në një moshë fare të re, vetëm 24 vjeç, Kristi i hyri një biznesi të panjohur, me risk, por që e frymëzonte. Me një traditë krejt tjetër familjare, me gjyshërit dhe prindërit rrobaqepës, Kristi studioi për inxhinieri tekstili, por deri tani, kërmijtë kanë qenë më tërheqës për të, një botë më vete për t'u studiuar.

Të sqarojmë më parë lexuesin për sikletin më të madh, atë të pastrimit të kërmijve. Në ç'fazë i shisni?

Kërmilli pasi mblidhet në fermë qëndron rreth 7-10 ditë në tharje, për të pastruar stomakun. Pastaj lahet me ujë të rrjedhshëm, të ngrohtë, dhe zihet për 40 minuta. Nxirret nga guaska dhe ndahet nga stomaku (pjesë që nuk konsumohet) më pas vendoset përsëri në guaskë dhe mbushet me gjalpë, hudhër dhe majdanoz. Kryesisht kjo është faza në të cilën e shesim, për konsumatorin.

A nuk ishte pak e pasigurt ideja e një ferme kërmijsh në Tiranë? Si nisi ky projekt?

Krijimi i një ferme për kultivimin e kërmillit ka qenë një sfidë e vërtetë. Që kur lindi si ide dhe në vazhdim. Është një fushë jo shumë e njohur për ne. Zakonisht, njerëzit që e kanë tentuar këtë sipërmarrje, kanë qenë te paduruar dhe me pritshmëri të larta, por kjo sipërmarrje është bujqësore dhe si çdo gjë në bujqësi, kërkon durim dhe ndonjëherë dhe të zhgënjen për shkak te disa faktorëve të jashtëm që shumicën e rasteve nuk i kontrollojmë ne.

A kishit modele referimi?

Ferma jonë i referohet metodës italiane që ka 40 vite që përmirësohet dhe studiohet nga "Instituti i Cherascos" në Torino.

Cili kishte informacionet e duhura për mirërritjen e tyre, apo i kërkuat pasi vendoset për të hapur fermën. Na trego pak procesin e zhvillimit të idesë.

Në fakt, krijimi i fermës ishte shumë spontan. Duke qenë se trualli ku është ndërtuar ferma është një truall ku nuk mund të shfrytëzohet për asgjë përveçse bujqësi, sipas bashkisë së Tiranës, më pëlqeu ideja për të bërë diçka të veçante dhe në përputhje me planin e bashkisë për zonën.

Si është rritja e kërmijve, cikli i tyre i jetës?

Rritja e kërmillit në cikël natyral të kompletuar është një proces që kërkon durim pasi mund te zgjasë nga 12 deri në 14 muaj.

Si ushqehen? Na tregoni ca sekrete.

Kërmilli në fermën tonë ushqehet me bimët e tij të preferuara, farat e të cilave ne i importojmë nga Italia.

Çfarë vlerash kanë?

Kërmilli është një kafshë e jashtëzakonshme, mishi i saj me pak yndyrë dhe me shumë proteina është i jashtëzakonshëm për dieta të shëndetshme dhe të ekuilibruar dhe mishi i tij përmban sasi të mëdha të kripërave minerale dhe aminoacideve thelbësore.

Sekretimi i tij, zhulja e famshme e kërmillit, ka veti të pafund të dobishme, duke qenë e pasur me kolagjen, elastinë, peptide, proteina, acid glikolik, vitamina A, C dhe E: ka veti shëruese, në fakt ndihmon në riparimin e plagëve dhe ngadalëson plakjen lëkurore, ka veti anti-rrudhë pasi stimulon prodhimin e fibrave elastike; ka efekt pastrues dhe anti-puçrra dhe falë vitaminës C është antioksidant. Me pak fjalë, pas helikulturës ka një botë të tërë për të zbuluar dhe tani ju mund ta bëni atë me ne dhe produktet tona.

A ka qenë i hapur tregu për t'i pranuar? Klientët tuaj janë vetëm restorantet apo edhe farmaceutika?

Tregu në Shqipëri është i vogël, por në zhvillim. Ndihmesë të madhe kanë dhënë shefat e kuzhinës që me talentin e tyre kane realizuar pjata që janë pëlqyer dhe nga skeptiket e kërmillit. Por sigurisht që është një komunitet njerëzish të cilët kanë jetuar ose pëlqejnë kuzhinën evropiane dhe e kërkojnë kërmillin.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor