Dekorime 18 Dhjetor 2020

Arkitektja Nada Çela prezanton projektin më të fundit, një shtëpi ëndrrash brendash një hapësire të vetme

Dekorime

Në stilin bashkëkohor kemi një larmishmëri te stileve. Ky stil huazon cilësi nga modernizmi,minimalizmi, Art Deco dhe stile të tjera globale pa u përqendruar tek ndonjë në veçanti. Megjithëse dizajni kontemporan ,është për nga natyra i paqartë,i ndryshueshëm,ka disa cilësi që ndihmojnë në përcaktimin e tij.

“Open Space” është çelësi i shumë dizajnëve bashkëkohore, pra lëvizja e natyrshme nga një ambient në tjetrin pa barriera ,ku ngjyrat dhe materialet shkrihen në vazhdimësi. Pra ky stil ne thelb ka perceptimin e një hapësire të vetme, të njëtrajtshme ku materialet e ngjyrat shkrihen përgjatë të njëjtës rrjedhë.

Mirëpo kur bëhet fjalë për ambientet e fjetjes,perceptimi i një open space bëhet më i vështirë. Nada Cela, arkitektja  Mean Joke Interior Design që tashmë e njohim për punët e saj te veçanta të prezantuara vazhdimisht në revistën Living, tregon sfidën gjatë projektimit dhe zbatimit të kësaj hapësire unike.

Një kat identik me katin e poshtëm të vilës, ku kemi sallonin dhe kuzhinën dhe 2 dhoma gjumi. Në këtë rast jemi përballë faktit që kemi një sipërfaqe 140 m2 me funksionin dhoma fjetjeje. Një sipërfaqe shumë e madhe për 3 dhoma gjumi, hapësira drite në të gjithë perimetrin,ku një pjesë është fasade xhami e harkuar.

Sapo e sheh hapësirën ti e di që pjesa më tërheqëse është kjo fasadë xhami e cila do ti përkiste dhomës matrimoniale dhe tualetit të saj. Një vaskë elegante që qëndron më vete,me pamje nga qyteti.

Një tualet i hapur që nuk kufizohet me dhomën, por veç një ndarje ambienti e pjesshme ku qëndron dhe televizori i dhomës e bëjnë shume natyrshëm kalimin nga dhoma e fjetjes në pjesën e dushit.

Dhoma martesore është konceptuar si një hapësirë e hapur me gardërobën dhe një ndenjeje të vogël ku pjesëtarët e familjes mund të kalojnë së bashku kohë të çmuar. Duke qenë se fëmijët janë të vegjël, lind natyrshëm nevoja e një hapësire ku mund të qëndrojnë së bashku ndërkohë që njëri prej fëmijëve është duke fjetur.

Sigurisht qe sfida e një hapësire të hapur në dhoma fjetjeje është shumë e vështirë,por këtë gjë e kemi zgjidhur me ndarjet e ambientit me vetrata të lëvizshme dhe xhama të cilëve i kontrollohet transparenca. Krevatin martesor përrveç faktit që e kemi pozicionuar në qendër të dhomës e kemi evidentuar me shumë me ngjyrën e veçantë blu oqean.

Ngjyrat e përdorura janë disa nuance të grisë,në tone të ndryshme,e bardha pjesërisht në tavane,e zeza ne ndarjet e xhamit dhe disa spote te jashtëm si dhe roza salmon për ti dhënë ngrohtësinë dhe stilin e duhur.

Gardëroba është trajtuar simetrike,ku ngjyrat ndajnë krahët përkatës. Materialet janë mdf me rimeso lisi dhe mdf lisho me bojë izoluese antracit dhe me efekt të gomuar. Një rëndësi të veçantë ka ndriçimi i cili është i pranishëm në çdo objekt duke i dhënë peshën e duhur secilës pjesë.

Në tavan kemi fshehur kondicionimin si dhe spotet e inkasuar. Forma qe ndjek tavani është si rrjedhojë e ndarjes funksionale dhe tregon vazhdimësinë e lëvizjes drejt zonës se sallonit.

Në sallon kemi një kolltuk shume te gjerë dhe të rehatshëm dhe një mobilje qe kryen disa funksione, mini-kuzhinë (një lavapjatë të vogël, një frigorifer të inkasuar) si dhe një kristaliere ku mbahen gotat dhe pijet e ndryshme që konsumojnë të rriturit e familjes. Një ndarje me ristela e cila është e spostueshme për të fshehur pjesën e lavapjatës e bën akoma më interesante hapësirën.

Dhoma e djemve

Një dizajn shumë i ëmbël, një dhomë shumë e qetë me 2 krevate treçerekëshe, dollap dhe hapësirë studimi për 2 fëmijët. Kemi zgjedhur kombinimin e 2 ngjyrave të qeta,një ngjyre gri pastel dhe tjetra emdief me rimeso lisi natyral.

Ndrçimi sigurisht që është pjesë shumë e rëndësishme e të gjitha hapësirave. Kemi theksuar me ndriçim pjesët më interesante. Ngjyra të qeta, ndriçim i duhur i japin hapësirave ngrohtësinë e duhur.

Dhoma e vajzës

Gjatë projektimit të dhomës së vajzës, përveç zgjidhjes funksionale të hapësirave,kemi dashur ti japim rëndësi dizajnit dhe ngjyrave. Një dhomë ngjyrë pudre,muret dhe mobiljet, trajtimi i mureve me dekore allçie na frymëzon dhe për mobiljet me dekore të ngjashme. Një dhomë e ëmbël,ku I jepet prioritet jo vetëm fjetjes dhe sistemimit të rrobave por dhe studimit dhe rekreacionit.

Tualeti

Ashtu si në stilin e gjithë hapësirave kemi përdorur pllaka imitacion guri dhe parketi. Dizajnin e kemi pasuruar me një ngjyrë gri çimento për ti dhënë më shumë stil dizajnit.

Ambienti i dushit është konceptuar një xhep i veçantë ne tualet i cili ndahet nga pjesa tjetër me një derë xhami. Objekti i lavamanit përfshin 2 lavamanë dhe rafte të mbyllura ku brenda janë të gjithë aksesorët e nevojshëm për sistemimin e produkteve të tualetit.

Një mobilje tjetër kemi në tualet e cila fsheh lavatriçen e tharësen e rrobave, por njëkohësisht sistemon kova, lecka dhe detergjentë të ndryshëm.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor