Shtatzania 12 Dhjetor 2020

Puna gjatë shtatzënisë; Si të përballoni lodhjen

Shtatzania

Puna mund t’ju duket tepër e lodhshme kur jeni shtatzënë, veçanërisht nëse në mëngjes keni të përziera apo ndiheni të pafuqishme. Mundohuni që gjatë tre apo katër muajve të parë të punoni më pak, nëse natyra e punës jua lejon këtë gjë. Me të hyrë në tremujorin e dytë, gjërat do të ndryshojnë për mirë; të përzierat do të ikin, do të ndiheni më energjike dhe do të përjetoni një periudhë të mrekullueshme! Në tremujorin e tretë, mundohuni t’i merrni gjërat sa më lehtë. Për disa gra, puna është një mundësi e mirë që të mos e mbajnë mendjen gjithë kohën te foshnja që do të sjellin në jetë. Më poshtë, do të gjeni disa këshilla që ta kaloni sa më lehtë dhe qetë shtatzëninë gjatë kohës që jeni në punë. Këto këshilla vlejnë edhe për punët e shtëpisë.

Si të përballoni lodhjen: mund të ndiheni të lodhura dhe gjatë një dite pune mund ta keni të vështirë të çlodheni sadopak. Mund të ndiheni më mirë nëse:

 Konsumoni ushqime të pasura me hekur dhe proteina. Lodhja mund të jetë simptomë e anemisë që manifestohet me mungesë hekuri, por do të ndiheni më mirë nëse i përshtatni ushqimet që konsumoni sipas nevojave të trupit. Zgjidhni ushqime, si: mish të kuq, mish shpendësh, fruta deti, perime jeshile, drithëra me krunde, makarona, bizele, arra, lajthi, bajame dhe fara të ndryshme.

 - Pushoni pak dhe shpesh. Mund të rifitoni energji duke u ngritur shpeshherë nga vendi i punës e të lëvizni përreth, por edhe duke qëndruar disa minuta me sytë mbyllur dhe këmbët lart.

- Hiqni dorë nga disa punë. Do të ndiheni më të çlodhura, sikur pas punës të hiqni dorë nga disa punë shtëpie ose të lini dikë tjetër të merret me to.

-Vazhdoni rutinën sportive. Ndonëse gjimnastika mund të jetë gjëja e fundit që ju shkon në mendje pas një dite të gjatë dhe të lodhshme, ajo mund t’ju ndihmojë të jeni më energjike, veçanërisht nëse e kaloni gjithë ditën ulur pas tryezës së punës. Pas pune, bëni një shëtitje ose ndiqni një kurs gjimnastikor për gratë shtatzëna, për aq kohë sa mjeku ju thotë se nuk ka asnjë problem.

 Flini herët. Vërini qëllim vetes që të bëni shtatë deri në nëntë orë gjumë çdo natë. Në muajt më të vonë të shtatzënisë, është mirë që të pushoni në anën e majtë, pasi kjo përmirëson qarkullimin e gjakut të fetusit dhe parandalon ënjtjen e trupit. Mund të ndiheni edhe më rehat nëse vendosni jastëkë mes këmbëve dhe poshtë barkut.

 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor