Personazh 30 Tetor 2020

Dikur ekskluziviteti i gjysheve; Aksesorët e punuar me lesh ose deve për fëmijë më të bukur për momentin

Personazh

Vjeshta sjell aksesorët e ngrohtë, punuar me lesh apo deve. Dikur ekskluzivitet i gjysheve tona të dashura, sot I zonjave të dhëna pas punës së dorës, modelet e teknikat janë përsosur. Suela Brahimllari nga Tirana, inxhiniere ndërtimi,në kohën e saj të lirë sajon me shtiza kafshë, si dhe rikrijon personazhet më të dashur të filmave vizatimorë për fëmijë...

Pasioni i saj ka nisur që në moshën 12-vjeçare, kur së bashku me shoqet e lagjes punonte me grep, vetëm se ndryshe nga të tjerat, nuk bënte çentro, por gjëra të veçanta si fruta, perime, lule, etj.

“I kam akoma në shtëpi punimet e asaj kohe”, thotë ajo. “M’i ruan mami në një sirtar e sa herë që shkoj në shtëpinë e prindërve, m’i tregon një nga një, madje edhe historitë që fshihen pas tyre, të cilat unë nuk i mbaj mend”.

Suela ka mësuar të punojë nga shoqet e lagjes, por s’e kishte ushtruar për 16-17 vite punën me shtiza, që prej moshës 12-vjeçare. Përpara një viti e gjysmë, asaj i lindi ideja të dekoronte kapele vere me lule të punuara në grep. Fillimisht ia bëri dhuratë një mikeshës së saj, e cila i porositi dy kapele të tjera dhe kështu filloi loja...

“Unë zbukuroja kapele vere, që i postoja në faqen time personale të Facebook-ut. Porositë shtoheshin dita-ditës, por nuk e kisha menduar që mund të zgjaste kaq shumë. Ishte një projekt që e krijova vetëm për sezonin e verës, por meqë kërkesa kishte shumë dhe interesi ishte i madh, unë nisa të bëjë dhe kapuça me shtiza, për vjeshtë dhe dimër”. Merr porosi nga të njohur e të panjohur dhe janë aq shumë sa

ndonjëherë e  ka të vështirë t’u përgjigjet të gjithëve. Aksesorë unikë, që nuk i gjen askund tjetër në treg

Suela krijon kapuça që ngjasojnë me kafshë të caktuara, personazhe filmash vizatimorë, aksesorë të cilët nuk gjenden në treg apo dyqane. Shpesh kapuçat shoqërohen me breçka apo çorape, duke krijuar kështu një kostum të mirëfilltë për fëmijët e vegjël. Përpos kësaj, ajo aktualisht punon me fotografët më të mirë për fëmijë, të cilët vazhdimisht i kërkojnë aksesorë.

“Kur shikoj fotot ku fëmijët kanë veshur një punim timin më mbushen sytë me lot dhe jam e lumtur se ata kur të rriten do të shohin fotot dhe aty do ketë gjithashtu një pjesë të punës e pasionit tim”, thotë Brahimllari. Në fillimet e saj e kishte të vështirë të arrinte format e përsosura, por me kalimin e kohës ia mori dorën. “Një kapuç me figura është më impenjativ se një kapuç i thjeshtë dhe më shumë kohë do të bëhen sytë, veshët, hunda”, thotë Suela.

Ajo punon me materiale të ndryshme, madje i ndërthur shpesh ato me njëra-tjetrën në një punim. Përdor pambuk, akrilik, dantella, gurë, nga më të thjeshtët deri te më të shtrenjtët, perla, fjongo e metrazhe. “Sa herë jam te dyqani i aksesorëve, shkoj të marr listen që kam përgatitur dhe rri një orë më tepër, sepse zbuloj një material të ri çdo herë”.

“Do t’ua trashëgoj vajzave talentin”

Edhe pse pjesa dërrmuese e punëve të Suelës janë për fëmijë, ajo mund të sajojë modele edhe për të rriturit.

“Mamatë zakonisht kanë më tepër qejf që fëmijët e tyre të duken bukur se sa vetë ato, ndaj porosisin kryesisht për ta, jo për veten”, thotë. “Por unë punoj gjithçka që më kërkohet”. Suela gjen kohë të krijojë diçka speciale edhe për vajzat e saj të vogla. Evelinit e Anabelit i pëlqen t’u bëjë kapuça me personazhe, dantella apo kordele. Modelet ua bën të dyjave njësoj, meqenëse janë binjake identike. Do t’i pëlqente që këtë talent për punën e dorës t’ua trashëgonte atyre. “Teksa punoj, ato më shikojnë gjithë kuriozitet dhe duket që i tërheq kjo gjë”, thotë. “Por edhe po të bëhen inxhiniere ndërtimi si mami dhe babi, prapë do të më bëhej shumë qejfi”.

Nga Gentian Minga 

Fotografia: Mirela Druga 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor