Dekorime
Përshkrimi nga Martini Design Studio mbi projektin Libraria Bookland.
Sfidën për të dizajnuar një librari e pranova me shumë kënaqësi. Një tipologji kaq e rrallë interieri, e më tepër në një vit të çuditshëm si ky, nuk vjen shumë shpesh. Ndaj e pranova me shumë dëshirë.
Mbi të gjitha, jo vetëm që rastisi të jetë një tipologji shumë e veçantë interieri, por edhe vetë struktura e ambientit ishte shumë e pazakontë. Planimetria ka një formë atipike: nuk ka mure kënddrejta me njëri-tjetrin dhe shfaq një vetratë të madhe të orientuar në jug-perëndim që e bën praktikisht të lundrojë në dritë.
Ndërkohë prezenca e dy kolonave konstruktive, të dyja në mes të hapësirës, ishte një disavantazh që u përpoqa ta kthej në lajtmotiv të interierit. Forma e tyre rrethore frymëzoi edhe harqet mbi dhe poshtë rafteve të librave.
Paleta e ngjyrave që Martini Design Studio zgjodhi të përdorë te libraria Bookland, është një kombinim i tre nuancave pastel të së verdhës, kaltrës dhe rozës.
Plani i shfrytëzimit të librarisë është konceptuar në mënyrë që të përfshijë edhe disa kënde për qëndrimin ulur, për të rritur dhe fëmijë. Pra, është një koncept bookstore, i ndryshëm nga libraritë tipike të qytetit tonë, ku jo vetëm mund të shëtisësh ndër rafte dhe të shfletosh, por edhe të ulesh e të lexosh apo vizatosh me qetësi nëse ke dëshirë.
Përtej vetratës së gjatë ndodhet një verandë e bollshme, e gjelbëruar dhe e ndriçuar, ku mundet gjithashtu të ulesh të shfletosh dhe ta shoqërosh leximin me një filxhan çaj apo kafe. Nuk ju mbetet veçse të vizitoni librarinë Bookland, që ndodhet në katin e tretë të galeria tregtare ETC.