Personazh 21 Gusht 2020

Romina Gjinali, vajza që nuk ndjek trendet e momentit, por që bën modë me stilin e saj unik

Personazh

Nga: Santana Çomora

Fotografia: Romina Gjinali

Romina Gjinali nuk është një figurë e panjohur për shumë përdorues të Instagramit dhe, mbi të gjitha, për shumë ndjekës të fushës së modës. Përtej fotove të realizuara me një koncept shumë ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim, Romina është një njeri kreativ, gjë që reflektohet jo vetëm në pamje, por edhe në gjendjen e saj shpirtërore.

Që e vogël, ajo ka treguar natyrën e saj. I pëlqente të krijonte veshje dhe të pikturonte. Ndryshe nga bashkëmoshataret e saj, ajo shihte vetëm kanalet televizive të huaja, si dhe shfletonte dhe luante gjatë gjithë kohës me koleksionin e revistave ''Specchio'', ''Della Stampa'', duke u edukuar me një frymë ku vajza duhet të jetë e zonja e vetes dhe e pavarur. Në 2009, falë një burse studimi, ajo transferohet në qytetin e modës, Milano, për të nisur studimet në degën e administrim-biznesit. Po atë vit, nis punën e saj të parë, në një Show Room, të markës Fabiana Filippi.

Nga Fabiana Filippi në 2009, ajo kalon në shumë marka të njohura  si Gianvitto Rossi e deri te Antonia Milano. Me përfundimin e studimeve ajo punësohet në zyrën e prodhimit, linja Knitwear të ''Vionnet Paris''. Aty nisi një kapitull i ri. Kalon orë të tëra në sallën krijuese me dizainerin dhe head of the fashion label, Goga Ashkenazi e duke mësuar shumë falë përgjegjëses së saj të “çmendur” franceze Emili. Gjatë kësaj periudhe, ajo pati propozime edhe nga marka e njohur PRADA.

Pas 10 vitesh në Itali, kthimi në Tiranë shënoi një fillim të ri për të. Ishte mësuar me një tjetër kulturë sjelljeje, gjëra të cilave vazhdon ende t’ua ndiejë mungesën. Megjithatë, Shqipërinë e ka zgjedhur si shtëpinë e saj duke arritur të gjej hapësirat e duhura për të bërë atë që ajo di të bëjë më mirë.

Çfarë stili ka vetë Romina ?

Stili im është pak eklektik, duke qenë se shpesh herë ndikon dhe gjendja në të cilën jam.  Por në përgjithësi është mjaft minimal, femëror, me një prekje chic – vintage. Ajo që vesh duhet të më pëlqejë si duket mbi mua dhe të jetë pjesë e imja, pavarësisht trendit.

Sa e lidhur je me fashion-in?

Më pëlqen të eksperimentoj me pjesë ( pieces ) që janë tendencë duke i kombinuar me pieces pak me retro ose vintage. Nuk do të thotë që unë duhet të kem çdo IT veshje. Vitet e fundit po shkoj gjithmonë e më shumë drejt vintage fashion items duke qenë se e bëjnë një look më unik. Që e vogël e kam urryer idenë e të veshurit njëlloj me të tjerët.

Këpucë apo çanta?

Pika ime e dobët kanë qenë gjithmonë këpucët. Kur vinte puna tek investimi i lekëve në rroba, kanë qenë këpucët zgjedhja ime e parë (Qesh).

Ç’përbën moda për ty?

Një mënyrë e të qenit, të shprehurit dhe një përfaqësim i vetvetes. Nuk përbën trendin e momentit apo një must have, përndryshe shndërrohet në një tjetër fasadë dhe fasada kemi parë pafund vitet e fundit.

Cilat duhet të jenë ato veshje bazike  për të qenë sa më shumë fashion dhe elegante, në të njëjtën kohë?

Materiali i mirë i një rrobe është një nga cilësitë kyçe (mësim i marrë nga ime më), dhe pikërisht në një material të mirë mund të vendosësh të investosh për një T-shirt të bardhë 100% pambuk, një xhaketë sartoriale e prerë mirë, një këmishë boyfriend e bardhë 100% pambuk, një palë sandale lëkure minimal me takë medium, një palë easy jeans, që tashmë janë klasiket e reja, shumë larg xhinseve streçe, xhaketë lëkure të ‘90s ose fustan midi femeror. Këto mendoj se janë disa nga produktet must që duhet të ketë çdo femër për të realizuar një look fashion dhe elegant.

5 këshilla nga një eksperte marketingu në lidhje më modën...( të jesh fashion e njëkohësisht të jesh dhe një drejtuese mjaft e mirë në fushën e marketingut )

Ø  Zhvillo stilin tënd personal dhe që të përfaqëson.

Ø  Investo në material. Kjo, për këpucët vlen akoma më shumë.

Ø  Dil nga komfort zone, asnjëherë nuk dhemb të provosh diçka të re.

Ø  Njih trupin tënd dhe çfarë i shkon më së miri.

Ø  Mosha është thjesht një numër.

Përtej stilit që mban emrin Romina, ajo është themeluesja e dyqanit virtual VOS, i cili përmban mbi 20 brande të zbuluara nga Evropa, duke ofruar veshje bazike me materiale cilësore si t-shirt, këmisha e xhinse deri te veshjet më in dhe trend apo për raste speciale. Kjo ide është konkretizuar së bashku me vëllanë e saj, duke qenë se e kishin të vështirë të gjenin gjëra të bukura, larg veshjeve cliche, menduan të sillnin në Shqipëri atë që kërkonin jashtë, në një version online duke iu drejtuar fillimisht gjinisë femërore dhe, në të ardhmen, dhe asaj mashkullore.

Dyqani virtual është një hapësirë ku mund të lundrosh për të zbuluar produkte, të lexosh specifika e të shohësh imazhe rreth kombinimeve të produkteve, lehtësisht nga shtëpia ose nga cilido vend që ndodhesh. Së fundmi, në VOS ata kanë lançuar dhe një hapësirë të quajtur MARKETPLACE ku mund të blihen veshje vintage në gjendje të mirë, akoma në fazën work in progress. Kjo është një mënyrë për të ofruar produkte unike, për të bërë zgjedhje më eco-friendly  dhe për të mbështetur procesin e riciklimit.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor