Të zbulosh Shqipërinë me Santën 29 Qershor 2020

Larg kaosit dhe zhurmave shurdhuese, pse Livadhi është destinacioni ideal nëse pushoni me familjen

Të zbulosh Shqipërinë me Santën

Nga Santana Çomora

Kjo fundjavë i takoi Livadhit, plazhit më të madh dhe një prej më popullorëve të zonës së Himarës. Kisha shumë vite pa shkuar. Megjithatë sa zbrita nga makina ndjeva se e gjeta pak a shumë siç e kisha lënë. Dikur më të rinj frekuentonim kampingjet në këtë zonë, sot me fëmijë jemi të kushtëzuar të gjejmë rehatinë për ta.

U surprizova që Lidhavin e gjeta pa investimet ‘’bombastike’’ të rivierës së jugut dhe mbi të gjitha shijova orët e plazhit pa muzikën me volumin e lartë. Një oazë qetësie, ku tek-tuk dëgjohej ndonjë e qarë fëmije apo melodia e bukur e skafeve që përplaseshin me dallgët e detit.

Livadhi është një gji i vogël, që duket që nga rruga kryesore. Për të shkuar deri në destinacion, syri të kap një pjesë të mirë të plazheve të njohura të rivierës së jugut, si Orikumin, Qafën e Llogarasë, Palasën, Dhërmiun, Vunoin. Si komunë i përket Vlorës, edhe pse duket sikur është më afër Sarandës. Plazhi dallohet që nga rrënojat e kalasë së moçme të Himarës dhe rruga për të zbritur deri poshtë është e rrethuar nga të dyja krahët nga ullishte të vjetra, që duket sikur të urojnë mirëseardhjen.

Ne u akomoduam në një vilë, e cila sapo është hapur, shumë afër zonës së plazhit. Vila ka një strukturë moderne, me të gjitha komoditetet e kohës, me një kuzhinë për gatim si dhe me hapësirat e duhura në dhomë. Natalia, pronarja e vilës, që mbante dhe emrin e saj na mikpriti e na tregoi se toka ku ishte ndërtuar vila ishte lënë në emrin e saj nga gjyshi që e kishte rritur.

Dhe ngjitur me vilën e re, qëndronte një shtëpi e ulët njëkatëshe me ngjyrat bardhë e blu, dikur shtëpia ku kishte qëndruar vetë Natalia gjatë pushimeve të verës kur kishte qenë e vogël. Një kontrast i bukur ku puqeshin dy kohë, ajo e vjetra me të renë dhe që e zonja donte ta ruante siç e kishin lënë të parët e saj.

Sapo lamë valixhet u drejtuam drejt detit te bukur të pasdites për t’u kredhur në ujin e pastër të Jonit. Mendova se ishte pasdite e shumica e njerëzve ishin larguar, por edhe të nesërmen, ku e shfrytëzuam gjithë ditën në plazh, përsëri mbizotëroi qetësia. Gjatë gjithë vijës bregdetare të zinte syri kanoe ose skafe të vegjël.

Hapësira e bollshme e plazhit të krijonte mundësinë e shumëdëshiruar për hapësirë personale, që në këto momente është shumë e nevojshme.Përveç qetësisë, Livadhi të jep mundësinë të lëvizësh. Nëse nuk do të hash aty, mund të shkosh në Himarë, vetëm 10 minuta larg dhe të shijosh një drekë apo darkë duke bërë edhe një xhiro në shëtitore.

Darkën e parë e shijuam në një nga restorantet e Himarës, që vërtetë na pëlqeu shumë e që na sugjeruan një bukë me hudhra, gatuar me djathëra të ndryshëm, si dhe sakanaqen e famshme greke. Recetën nuk arrita ta merrja dot.

Për momentin gjeje parking edhe pa pagesë, por ndoshta në pikun e verës, duhet të heqësh pak derisa të arrish të gjesh një vend. Mëngjesin ua sugjeroj afër plazhit. Ai i është i bollshëm, me petulla, omëletë e lëng portokalli të shtrydhur. Gjatë ditës mund të konsumosh ndonjë koktej ose frape (kafen e ftohtë greke).

Livadhi mbetet një plazh familjar, larg rinisë dhe zhurmës. Në gjithë vijën bregdetare sheh dhe godina të kohës së komunizmit, që sot shfrytëzohen për shërbime të ndryshme e fill pas saj gjendet një nga hotelet më luksoze të zonës, në të cilin mund të gjesh një pjesë të mirë të Tiranës.  Këtu duhet të kesh kujdes me veshjen! ( edhe pse unë plazhin e mendoj sa më rehat ).

Por, ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte sjellja e mirë e kamerierëve dhe gatishmëria për të shërbyer në çdo tavolinë. Thua ende s’ka ardhur vala e jugut?!

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor