Personazh 26 Maj 2020

Futboll mbi këmbë të drunjta, historia e ekipit kryeqytetas që sfidon çdo vështirësi dhe paragjykim

Personazh

Nga ELONA JAÇELLARI/Fotografia ARMAND HABAZAJ

Kur ata luajnë futboll, e bëjnë me shpirt, në plot kuptimin e fjalës. Nuk kanë këmbë, por mungesa e gjymtyrëve nuk i pengon të bëjnë atë që duan më shumë, sa kohë që kanë shpirtin që i jep jetë ëndrrës për të vrapuar në fushën e blertë.

‘’Amputee Football Albania” është ekipi më i ri i futbollit në kryeqytet. Janë dy vajza dhe njëmbëdhjetë djem, të cilët përpos pasionit për sportin, i ka bërë bashkë edhe fakti që të gjithë kanë kufizime fizike. Dikush ka një këmbë të amputuar, dikush një tjetër, ndërsa kapiteni i skuadrës, Julian Çela, i ka të dyja. Ashtu siç edhe i takon një kapiteni, Juli është shpirti i skuadrës. E ka më të pamundur se të gjithë që të vrapojë pas topit, megjithatë ai jep gjithçka për ta mbajtur ekipin në këmbë, sepse, për këtë, jo gjithmonë duhet të jesh i tëri fizikisht. “Përpiqem të jem shpirti i skuadrës, që t’i motivoj të gjithë, - shprehet Juliani. - Ideja për të krijuar këtë ekip nuk ishte imja, por e mjekut tim amerikan, i cili është edhe presidenti i një shoqate futbolli për persona të amputuar.

E prita me shumë entuziazëm idenë, sepse e di se sa nevojë kanë këta njerëz për aktivitet, për të dalë nga shtëpia. Megjithatë kisha një lloj dyshimi se si do të pritej, sepse shumë prej këtyre personave janë keq ekonomikisht. Në fillim ishim dyzet veta, por tani kemi mbetur njëmbëdhjetë. Luajmë çdo të shtunë, por djemtë telefonojnë që të hënën, për të më pyetur se kur do të takohemi. Dy vajzat që kemi në ekip, kanë shumë dëshirë të luajnë, por, njëkohësisht, janë edhe për të na dhënë zemër.” Futbolli për Julin dhe gjithë ekipin është një aktivitet i bukur, që i nxjerr nga qoshet ku secili “kuron” plagën e vet. Nëse për njerëz të zakonshëm, ky është vetëm një aktivitet sportiv që i nxjerr nga rutina, për skuadrën e tridhjetekatërvjeçarit, e shtuna është më shumë se kaq.

“Unë kam shkelur në rrugën ku po shkelin ata dhe e njoh dhimbjen që po përjetojnë të gjithë. Kjo që po bëjmë, na bën të ndihemi sikur po ndajmë barrën me njëri-tjetrin dhe bashkë mund të jemi më të fortë. Vërtet jeta na ka ndryshuar pas fatkeqësive që kemi pasur, por asgjë s’na pengon ta jetojmë atë. Ndajmë historitë me njëri-tjetrin dhe kuptojmë që në një pikë jeta ka ndryshuar për të gjithë, por me forcën e Perëndisë jemi çuar dhe po jetojmë përsëri. Po të shohësh, ne jemi një pjesë e mirë e shoqërisë dhe mund të jemi të dobishëm,” – rrëfen i riu me këmbët e amputuara.

Juli ka një zemër të madhe, por pranë vetes ka edhe një grua të fortë, e cila e mbështet dhe nuk e ka lënë kurrë vetëm, as në çastin më të vështirë të jetës. Ajo është Erjola, e cila tregon se futbolli për Julin është bërë një motiv i ri për të ecur para. “Juli e ka mjaft për zemër këtë gjë dhe e shtuna është e panegociueshme. Ndonjëherë na del diçka dhe i kërkoj ta lërë një herë lojën, por ai s’e bën kurrë. Një herë të mos takohet me grupin, i duket sikur ç’po ndodh, sepse të gjithë mezi presin të dalin nga shtëpia e të bëjnë diçka ndryshe, që ndoshta iu kujton ç’do të thotë të jesh normal. Futbolli është diçka që mund t’i kthejë në normalitet,” - thotë Erjola.

Përfshirja në skuadër dhe pozicioni i tij si kapiten, e ka bërë më aktiv se më parë. Dy vitet e fundit, Juli ka marrë pjesë edhe në Maratonën e Tiranës, me karrige me rrota, dhe është stërvitur shumë, duke matur parametrat çdo ditë, e duke vendosur rekorde e sfida të reja me veten. Këtë bën edhe në jetë. Fati deshi që një ditë të humbiste të dyja këmbët, por nuk hoqi dorë kurrë nga jeta dhe nga dëshira për të ecur para. Tanimë po përpiqet me zemër, për ta ngritur në një rang kombëtar skuadrën “Amputee Football Albania”.

“Para se të ndodhte aksidenti, më pëlqente shumë të ecja dhe rrallë e përdorja makinën, kurse më pas i thosha Erjolës: ‘Kam vetëm një ëndërr, të vrapoj sërish’. Ndaj mora pjesë në maratonë, për t’u dhënë zemër njerëzve si unë, për t’u thënë se mund të bëjnë gjithçka që duan, pavarësisht nga kufizimet. Nëse unë e bëj, mund ta bëni edhe ju.”

SHKRIMIN E PLOTË MUND TA LEXONI NË https://www.the-living-media.com/living37.pdf.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor