Personazh 25 Maj 2020

"Nuk dëgjojnë, nuk flasin, por DASHUROJNË" historia emocionuese e Anit dhe Lidias

Personazh

Nga ZHAKLIN LEKATARI/Fotografia ARMAND HABAZAJ

Në një kohë tjetër, për t’i kërkuar një intervistë Klismanit dhe Lidiës, një çifti që nuk flet dhe nuk dëgjon, me siguri do të më ishte dashur të lidhesha me një të afërm apo kujdestar të tyre, por sot mjafton një mesazh në profilin e Facebook-ut të Lidiës për t’u marrë vesh sakaq, dhe pak ditë më pas, ja ku jemi me fotografin Armand Habazaj, duke realizuar fotot. Edhe pse në terren i shoqëron halla e Lidiës, Venka, të merresh vesh me njerëz që nuk flasin e dëgjojnë, jo vetëm që nuk është e pamundur, por është e thjeshtë. Kjo, falë teknologjisë.

Herë pas here, kur Klismani do të më thotë diçka, s’është nevoja të ndërhyjë shoqëruesja. Shkruan në telefon dhe ma tregon. Kështu i dha përgjigje edhe pyetjes sime se ku do t’i pëlqente të jetonte, përpos Shqipërisë. “Në Belgjikë, Zvicër, Austri”, thotë. Janë të gjitha vende me një sistem të zhvilluar arsimor dhe asistencë për njerëzit me aftësi të kufizuara. “Nuk mendoj për vete, - thotë Klismani, babai i Kleit dyvjeçar, - por për tim bir. Që të rritet e të marrë shkollimin e duhur.” Ky është pengu i tij.

Edhe pse ka pasur një jetë relativisht të mirë e pa telashe, Ani, siç i thërrasin shkurt, nuk ka mundur të bëjë realitet një nga ëndrrat e tij më të mëdha: shkollimin. Ka mbaruar vetëm tetë klasë shkollë. As gjimnaz e aq më pak, shkollën e lartë. Por, sigurisht, ai ka bërë realitet ëndrrën e tij më të madhe, që ia kalon shkollës: familjen. Ai dhe Lidia u njohën shumë të rinj dhe u dashuruan, u martuan dhe dy vite më parë sollën në jetë djalin e tyre, i cili gjithashtu nuk dëgjon, por kjo nuk përbën ndonjë problem të madh, pasi të tre merren vesh mirë me njëri-tjetrin. “Historia jonë e dashurisë ka nisur thjesht dhe bukur, kur kemi qenë në shkollë, - nis të rrëfejë Lidia. - Pastaj u njohëm më mirë në Shoqatën e Njerëzve që nuk Dëgjojnë. Ishim shokë të një grupi dhe Ani më ngacmonte, më bënte për të qeshur, më rrinte afër dhe kjo u vu re nga shokët tanë. Një ditë, një shoqja ime më thotë: ‘Ani të do, nuk e ke vënë re?’ E kisha kuptuar, por kisha prioritet shkollën dhe nuk doja të shpërqendrohesha nga synimi kryesor.” Por Ani nuk hiqte dorë dhe takimet u shpeshtuan.


“Kuptova se ai ishte i vendosur për lidhjen tonë. Gjërat nuk kanë qenë të lehta, pasi të vret edhe opinioni, shoqëria.” Lidiën dhe Anin i bashkoi edhe natyra e tyre e gjallë dhe plot jetë. Ata ishin ndër më aktivët në shoqërinë e tyre. Ani, përveçse një djalë i bukur, i pashëm në sytë e Lidiës, ishte njëkohësisht shumë i kulturuar, i dashur dhe social. Kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet që nga dita kur u
lidhën dhe asgjë nuk ka ndryshuar mes tyre. Ardhja në jetë e një fëmije, edhe pse mund t’i ketë sfiduar, nga ana tjetër i ka lidhur më shumë. Gjatë gjithë këtyre viteve të lidhjes kanë bërë gjithçka bashkë. Edhe kanë udhëtuar në shtete të ndryshme të botës, ku kanë marrë pjesë në trajnime dhe aktivitete të organizatës së tyre, ANAD, ku Klismani punon prej disa vitesh tashmë.

Edhe pse ndryshojnë në disa gjëra, të tjera i kanë të përbashkëta. Të dy janë romantikë, iu pëlqen e bukura, natyra, të bëjnë udhëtime “në shi, në borë, në diell, në det, në mal, në fshat”, siç thotë përmes gjuhës së shenjave Lidia. “Ani është më kokëforti nga ne të dy, - shton ajo, duke qeshur, - por lidhja jonë është më se normale. Mes nesh ka edhe debate, nuk e mohojmë.” Vendimi për t’u martuar nuk ishte i vështirë. Dëshira dhe nevoja e tyre për të krijuar familje ishte e madhe. Donin të kishin dikë në krah për gjithë jetën. Kështu, vendosën të bënin edhe një ceremoni të thjeshtë martesore, ku shkëmbyen unazat dhe premtimin se do të jenë bashkë në përjetësi.

Dy vite më parë sollën në jetë bukuroshin Klei, kaçurrelat dhe sytë e bukur të të cilit tërheqin vëmendjen e të gjithëve në qendrën
tregtare, dhe njerëzit nuk ngurrojnë t’i buzëqeshin. Ardhja e tij në jetë e ndryshoi përjetësisht jetën e Klismanit dhe Lidiës, të cilët çdo vendim që marrin sot, e kanë për djalin. Edhe dëshirën për të ikur jashtë e kanë më shumë prej tij. “Martesa nuk është e thjeshtë, ka angazhime, preokupime dhe shumë sakrifica nga të dyja palët, - thotë Lidia,
por ajo ka qëlluar me fat. 

SHKRIMIN E PLOTË E GJENI NË NUMRIN E RI TË REVISTËS LIVING ose duke klikuar në https://www.the-living-media.com/living37.pdf.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor