Personazh 19 Maj 2020

Portreti familjar i Gerta Hetës; Zgjidhja origjinale për të ndarë punët në mënyrë që të gjithë të jenë të lumtur

Personazh

NGA: ZHAKLIN LEKATARI
FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Gerta  aktualisht është drejtuese, administratore dhe moderatore e radios “Kiss FM”, e thënë ndryshe, tre në një ose e gjithë eksperienca profesionale e finalizuar në një vend të vetëm. Në fakt, radio ja është territori i Gertës, një punë që ajo e ka bërë gjithë jetën, punë të cilën e adhuron dhe e bën me shumë kënaqësi. Fakti që radioja ndodhet afër shtëpisë së saj, është komoditet i madh, sidomos kur je edhe nënë, edhe sipërmarrëse, pasi lufta më e madhe është ajo me kohën.

Natyrshëm më lind pyetja nëse fëmijët e saj e dinë se çfarë do të thotë të punosh në radio, nëse e dinë se ç’përgjegjësi ke kur mendimet e tua ndikojnë në formim opinionesh. Gerta thotë që edhe për shkak se është afër me shtëpinë, vajzat e dinë punën e mamit dhe kanë qejf kur vendosin kufjet dhe dëgjojnë zërin e tyre në mikrofon. Shton se të dyja vajzat janë të intonuara, sidomos Matea, e vogla, e cila e ka zërin edhe më të plotë, por sipas saj: “Koha do ta tregojë, nuk i shtyj fare drejt muzikës, të bëjnë çfarë të duan.”

Jam kureshtare të di se cili nga prindërit ndikon te vajzat, duke “imponuar” pasionin apo profesionin e vet dhe Gerta pohon që sipas saj, vajza e madhe, Luna, ka talent në sporte, është e talentuar në not dhe në garat e para që mori pjesë, zuri vendin e parë. Pra, sipas Gertës, ajo ka një inteligjencë sportive, ndërkohë që nuk mund të thotë se ka zë, por është e intonuar, sepse ka shumë vesh. Mirëpo ka shumë dëshirë të këndojë, prandaj koha do ta tregojë nëse Luna do zgjedhë profesionin e

Shtëpia e tyre është e mbushur me organo, topa futbolli dhe vegla muzikore; pra, një ambient i hareshëm dhe plot mundësi  argëtimi. Ndërsa për vajzën tjetër thotë që ndonëse është ende e vogël, adhuron futbollin dhe këngën, dhe ka zë shumë të mirë.

Shtëpia e tyre është e mbushur me organo, topa futbolli dhe vegla muzikore; pra, një ambient i hareshëm dhe plot mundësi argëtimi. Për sa i përket medieve dhe televizionit, ajo u lejon atyre vetëm këngë me tekste, por jo me imazhe. Sipas Gertës, videoklipet e sotme nuk kanë ndonjë model të vërtetë për t’u ndjekur, kanë shumë lakuriqësi dhe shumë antivlera, të cilat ajo nuk do t’i përcjellë tek të bijat.

Personalisht mendoj që ato janë vajza me fat, sepse një familje multietnike dhe kulturore, është gjithmonë një mjedis më i pasur për fëmijët, duke ia nisur që nga gjuha, ndonëse Matko tashmë jeton prej dhjetë vitesh në Shqipëri dhe e flet mirë gjuhën shqipe. Kështu, vajza e madhe e flet mirë gjuhën e të atit, ndërkohë që e vogla, di vetëm gjërat bazike, por komunikon shumë mirë anglisht. Familja e Gertës shkon dy herë në vit në Kroaci, ndërkohë që një herë në vit, prindërit e Matkos vijnë për vizitë në Shqipëri. Kur e pyes nëse e ka pasur ndonjëherë në plan të largohet në Kroaci, ajo më thotë JO, sidomos për shkak se gjuha do ta pengonte të punonte dhe të ishte e realizuar nga ana profesionale. Kështu, kanë gjetur një të mesme të artë, ku ai ka sakrifikuar në një vend që i pëlqen, duke krijuar një familje të lumtur.

Duke vazhduar bisedën, kuptoj që Gerta ka një burrë “thesar”, sepse jo vetëm që në shtëpi punët janë të ndara, por kontributin në kuzhinë e jep ai. E them shpesh që burrave u shkon kuzhina dhe më vjen mirë që dikush e mendon si unë. Këto detyra kanë qenë të ndara që në fillimet e marrëdhënies: ai gatuante, ndërsa Gerta lante enët. Ajo thotë se nuk ka kërkesa për ushqimin dhe Matko menaxhon çdo gjë, e vetmja gjë që i mungon, janë gatimet tradicionale shqiptare. Megjithatë, edhe për këtë shije të munguar ajo ka gjetur zgjidhjen te familja e origjinës ose më mirë të themi, tek e ëma. Speca të mbushur, patëllxhanë të mbushur, tavë kosi, presh apo bamje, janë pjata të cilat Gerta i shijon në shtëpinë e prindërve. Ndërkohë pastat, pleskavicat, purenë me filetë dhe spinaq i shijon nga duart e Matkos. Dashuria kalon nga stomaku për të dyja gjinitë. Ky është një model dhe një shembull shumë i mirë për vajzat që po rriten. I lehtësuar dhe nga jeta prej futbollisti, që e ka detyruar të udhëtojë që shumë i ri, Matko ka mësuar shpejt të kujdeset për veten dhe e ka pranuar pa asnjë problem këtë zgjedhje. Kjo, sepse, në të vërtetë, jeta e tij nuk pati ndryshime të mëdha në mënyrën e organizimit të punëve të shtëpisë.

Kur e pyes se çfarë kanë menduar për të ardhmen dhe shkollimin e vajzave, Gerta mëthotë se kanë dëshirë që vajzat, Luna dhe Matea, të shkollohen jashtë, por, për ta rëndësi ka që fëmijët të jenë të lumtur, kudo që ta gjejnë vendin e tyre në botë, Itali, Gjermani, Amerikë, Kanada, Shqipëri. Gerta dhe Matko kanë vendosur të investojnë për shkollimin e tyre.

Gerta më thotë që po jeton një periudhë paqeje dhe  stabiliteti. Vajzat po rriten. Edhe Matea e vogël, që lindi shumë  para kohës së caktuar, duke i trembur dhe duke bërë që gjithë vëmendja të ishte tek ajo. Gerta beson që shtatë vitet e para të jetës janë shumë të rëndësishme për fëmijët, ndaj dhe ka vendosur që të shkëputet nga jeta mondane, nga evenimentet, nga mbrëmjet e vona, për t’iu dedikuar plotësisht fëmijëve. Kur e pyes si e kanë marrëdhënien vajzat me njëra-tjetrën ajo thotë që tashmë janë në fazë zënkash, sepse Matea ka vëmendje më të madhe, për të cilën Luna është xheloze. Si çdo fëmijë i parë në një familje, ajo është mësuar me disa ritme dhe tradita të caktuara, që me ardhjen në jetë të fëmijës së dytë, prishen.

Kështu, ndonëse edhe Luna e di që mami i do të dyja, përsëri kërkon vëmendjen që i ka munguar ose i kthehet motrës, duke e akuzuar për palumturi. Këto episode familjare janë të bukura, sidomos kur Gerta më rrëfen që kur janë jashtë, vajza e madhe kujdeset shumë për të voglën dhe ka gjithmonë frikë se mos humbet. “Aty, - thotë Gerta, - e kuptoj që ajo e do shumë motrën.”

Ajo pohon se të bijat janë shumë aktive, shprehëse, të lëvizshme dhe ndonjëherë, sipas saj dhe pak “grifsha” ose natyra shpërthyese. Këto, siç thotë Gerta, janë probleme që i ka krijuar vetë, duke u plotësuar kërkesat dhe duke u dhëne pushtetin e së qarës.

Sipas saj prindërimi nuk është i vështirë, problematika më e madhe është lodhja fizike, dhe kur vendosi të krijonte familje, ishte e sigurt dhe e gatshme për atë fazë të re të jetës. Ajo thotë se përkujdesja për fëmijën të vjen natyrshëm dhe, ndonëse ka çaste që fëmija të vendos në situata të çuditshme, duhet ndjekur logjika dhe gjykimi personal, duke menduar që zgjedhja e bërë është më e mira. Ajo nuk e vret mendjen nëse ka marrë vendimin e duhur, pra, nuk ka dyshime të mëdha për mënyrën e saj të prindërimit.

(Shkrimin e plotë e gjeni në numrin e fundit të revistës ''Living'' ose online duke klikuar REVISTA LIVING ONLINE)

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor