Femijet 14 Prill 2020

"ABC-ja e edukimit", logopede Aurora Lushej tregon se ç'duhet të bëjnë prindërit për të inkurajuar sjelljen e mirë tek fëmijët

Femijet

Përgjatë viteve të punës me fëmijë të moshave të ndryshme, shpesh jam përballur me fëmijë me sjellje të papërshtatshme apo të padëshirueshme dhe prindër me nevojë imediate për ndihmë, në mënyrë që të përmirësonin sjelljen e fëmijës së tyre dhe jo vetëm. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë, sjellja është e mësuar dhe modeli i sjelljes për fëmijët, janë së pari prindërit.

Aktualisht jemi në një situatë të vështirë për secilin nga ne por nga ana tjetër, një mundësi e mirë për prindërit, për të përmirësuar sjelljen e fëmijës së tyre duke qenë se kanë më shumë kohë në dispozicion. Një qasje pozitive dhe konstruktive është shpesh mënyra më e mirë për të udhëhequr sjelljen e fëmijës tuaj. Kjo do të thotë ti jepni vëmendje kur sillen mirë, në vend që të aplikoni pasojat/ndëshkimet kur fëmija bën diçka që juve nuk ju duket e përshtatshme. Më poshtë do paraqesim disa këshilla praktike për të vënë në zbatim këtë qasje pozitive:

· Ji model për të

Përdor sjelljen tënde si guidë për fëmijën tënd. Ajo çfarë ti bën është shumë më e rëndësishme sesa ajo çfarë ti thua. Për shembull, nëse ti do që fëmija yt të thotë të “Të lutem”, thuaje edhe ti. Nëse nuk do që fëmija yt të flasë me zë të lartë, atëherë përdor një të folur të qetë dhe në mënyrë të sjellshme.

· Tregoji fëmijës tënd si ndihesh

Duke i treguar fëmijës tënd në mënyrë të sinqertë sesi të bën të ndihesh sjellja e tij, e ndihmon atë të shohë ndjenjat e tij tek ti. Saktëso “Unë” në mënyrë që fëmija të shikojë gjërat nga perspektiva jote, për shembull “Unë po mërzitem sepse ti po bën shumë zhurmë dhe unë nuk po arrij të flas në telefon.”

· Përgëzo momentet kur fëmija po sillet mirë

Përgëzimet janë shumë të rëndësishme për të motivuar një sjellje pozitive tek fëmija, kapni momentin dhe i thoni “ Më pëlqen loja që po bën!”; “Tani po luan shumë mirë!”. Kjo padyshim është më e vlefshme sesa ti japësh vëmendje maksimale fëmijës ndërkohë që ai po luan në mënyrë të shkujdesur.

· Dëgjo fëmijën tënd në mënyrë aktive

Ndërkohë që fëmija flet, tunde kokën në shenjë pohimi që po e dëgjon dhe kupton atë. Gjithashtu thuaj atë që ti mendon se fëmija po ndjen, “Duket sikur ndihesh shumë e mërzitur që t’u gris fletorja”. Duke reaguar në këtë mënyrë, e ndihmon fëmijën të reagojë siç duhet me tensionin dhe emocione të forta si frustrimi, që shpesh çojnë në sjellje të padëshirueshme. Reagimi yt gjithashtu i ndihmon ata të ndihen komod dhe të respektuar.

· Mbaj premtimet!

Kur ju i qëndroni premtimeve tuaja, të mira apo të këqija qofshin ato, fëmija mëson t’ju respektojë dhe të ketë besim tek ju. Fëmija mëson se ti nuk do e zhgënjesh kur i ke premtuar diçka të këndshme dhe mëson se nuk duhet të përpiqet të ndryshojë mendimin tënd në lidhje me një aktivitet kur ti ia ke shpjeguar qartë arsyet dhe pasojat. Pra, kur ti i premton se do të dilni për një shëtitje në park pasi të mbarojë detyrat, bëjeni! Kur i thoni se do largoheni nga dyqani kur fëmija po vrapon i shkujdesur në dyqan, bëjeni!

· Krijoni ambient stimulues për sjellje pozitive

Ambienti ndikon në sjellje dhe kjo është e vërtetuar tashmë, kështu, ju mund të modifikoni ambientin për të ndihmuar fëmijën tuaj të sillet mirë. Bëni të mundur që hapësira e fëmijës të ketë objekte të sigurta dhe stimuluese për të luajtur me to. Sigurohu që nuk mund të arrijë gjëra që mund të thyhen apo që mund ta lëndojnë atë.

· Zgjidh betejat e tua

Përpara se të përfshihesh në një aktivitet që po bën fëmija yt, specifikisht duke thënë “Jo” apo “Stop”, pyete veten nëse vërtet duhet të ndërhysh. Duke ulur në minimum instruksionet, kërkesat dhe reagimet negative, ju krijoni më pak mundësi për konflikte apo ndjenja negative. Rregullat janë të rëndësishme por përdorini ato vetëm kur është e nevojshme.

· Përgatituni për situata sfiduese

Ka momente që të kujdesesh për fëmijën dhe të kryesh gjëra që duhet ti bësh, bëhet sfiduese. Parapërgatite fëmijën për ndryshimin e aktivitetit. Jepi 5 minuta kohë përpara se të ndryshosh aktivitetin që fëmija po bën. Bisedo me të për rëndësinë që ka bashkëpunimi i tij dhe në këtë mënyrë ai do të jetë i përgatitur për atë që ti pret nga ai.

Së fundmi dhe më e rëndësishmja, mbani një sjellje të qëndrueshme karshi fëmijës tuaj, në mënyrë që fëmija juaj të ndihet i sigurt.

Msc. Aurora Lushej

Logopede /Terapiste ABA

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor