Pjata kryesore 13 Prill 2020

Receta e Sulltanit Që Magjepsi Perandoreshën e Francës; Mish Qingji Me Pure Patëllxhani Në Tavë

Pjata kryesore

Gjatë një vizitë në sarajet Topkapi në Stamboll, veçanërisht në seksionin e kuzhinës, mund të mësosh shumë për recetat e preferuara të disa prej sultanëve më të famshëm të Perandorisë Osmane.

Një prej tyre është ajo e Hünkar Beendi,(receta që i pëlqeu Sultanit) një gatim me bazë patëllxhani dhe mish qingji që thuhet se ka qenë e preferuara e Sultanit Murad IV. Kjo recetë besohet të jetë gatuar për herë të parë në shekullin e shtatëmbëdhjetë.

Megjithatë shumë historianë kanë dyshime për këtë periudhë, duke qenë se domatja, e cila është pjesë e recetës, ka hyrë në vendet e Lindjes së Mesme, përfshirë Turqinë, diku në shekullin e 19-të.

Receta është përmenndur edhe në letërkëmbimet e Perandoreshës Eugenia e Francës (gruaja e Perandorit Napoleoni III) e cila në vitin 1869 vizitoi Perandorinë Otomane. Gjatë një vizite në Pallatin Beylerbeyi, perandoreshës iu servir një pjatë, të cilën ajo nuk e kishte provuar kurrë. Ajo e përshkroi këtë pjatë si shumë të shijshme dhe interesante. Perandoresha u impresionua aq shumë sa i kërkoi kryekuzhinerit të sarajeve t’i jepte recetën por sipas historianëve, ky i fundit refuzoi të ndante recetën me Perandoreshën.

Mish Qingji Me Pure Patëllxhani Në Tavë
Përbërësit:

1 kg mish qingji tul i prerë në copa mesatare.
2 lugë gjelle salcë domate
2 lugë gjelle salcë specash,
3 thelbinj hudhre të shtypur,
2 qepë të grirë hollë,
3 gjethe dafine,
2 lugë gjelle vaj ulliri
2 speca jeshilë të prerë hollë
4 domate të qëruara dhe të prerë në copa
2-3 lugë gjalpë,
1 filxhan me ujë të nxehtë,
Gjysëm filxhan çaji me majdanoz.
(për purenë e patëllxhanit)

4-5 patëllxhanë të mëdhenj
50 gramë gjalpë
35 gramë miell shumëpërdorimësh
300 ml qumësht.
Gjysëm filxhani djathë kaçkavall të grirë hollë.
Përgatitja:

Përgatitja e një recete fillon që në mbrëmje me marinimin e mishit.

Vendosini copat e mishit në një enë të madhe qelqi.

Shtoni salcën e domates dhe të specit, 2 gjethe dafine, gjysmën e qepës së grirë, kripë dhe piper.

Mbulojeni enën me qese kuzhine dhe lëreni në frigorifer për tu marinuar për 6 deri në 12 orë.

Të nesërmen, nisni përgatitjen duke kavërdisur qepën e mbetur deri sa të zbutet dhe të marrë një ngjyrë të artë.

Shtoni mishin e qingjit, hudhrat, specat jeshilë, domatet e prerë në copa, gjalpin dhe ujin e nxehtë.

Lëreni mishin të ziejë për 45 minuta në temperaturë mesatare dhe më pas lëreni mënjanë.

Për përgatitjen e pursë, si fillim duhet t’i piqni copat e patëllxhanit në furrë duke i mbështjellë me letër alumini.

Më pas merrni pjesën e tulit dhe shtypeni deri sa të formohet një pure homogjene.

Në një tigan shkrini gjalpë, shtoni miellin dhe përziejini së bashku për dy minuta.

Shtoni qumështin dhe më pas tulin e zbutur të patëllxhanit.

Përziejini për rreth 6-7 minuta deri sa salca të trashet.

Shtoni djathin kaçkavall në dy minutat e fundit.

Hiqeni nga zjarri dhe servireni në pjatë duke shtruar si fillim purenë dhe më pas mishin e gatuar të qingjit dhe sipër tij majdanoz të grirë./Agroweb.org/

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor