Nga editorët Living 25 Mars 2020

"Mbyllur në shtëpi, por të lumtur" ja si të ruani pozitivitetin në karantinë sipas lifecoach Mireda Thana

Nga editorët Living

20 marsi ishte dita e lumturisë, por duket sikur 2020 nuk është viti i duhur për ta celebruar  një gjë të tillë.  Thashë “duket”, sepse mund të jemi të lumtur edhe në këtë kohë krize botërore. Të jesh i lumtur nuk do të thotë të mos jesh në vështirësi apo të  mos jesh me humor të keq. Ndodhin edhe ditë të tilla. Ndonjëherë është pozitive edhe të ndjekim rrjedhën, të pranojmë një ditë të keqe.

Për të ditur si të jemi të lumtur dhe në kohë karantine, pyetëm lifecoach-en shqiptare Mireda Thana. “ Jemi duke jetuar një situatë të jashtëzakonshme ku qëndrimi mbyllur dhe ndërveprimi i ulët social na prek të gjithëve dhe shkakton luhatje emocionesh dhe pasiguri për të ardhmen”, thotë Mireda. Deri këtu jemi dakord të gjithë.” Problemi qëndron te fakti që kjo situatë mund të shndërrohet në një pikënisje për të vënë në dyshim veten dhe aftësitë tona për të përballur këtë situatë” sqaron ajo më tej.

Prandaj më poshtë disa këshilla nga Mireda Thana, në mënyrë që të shfrytëzoni kohën në favorin tuaj.

1. Pranojeni situatën në të cilën ndodheni dhe bëni maksimumin për të identifikuar aktivitetet që ju japin kënaqësi dhe mund t’i zhvilloni brenda shtëpisë. Krijoni një listë dhe përzgjidhni disa aktiviteteve të ndryshme çdo ditë për t’u ndjerë më mirë dhe për të pasur nën kontroll humorin tuaj.

2. Mos lejoni situatën e re t’ju shpërqendrojë nga qëllimet tuaja. Krijoni një listë më disa qëllime që doni të realizoni gjatë karantinës dhe planifikoni çdo ditë kohën në mënyrë që t’i dedikoheni punës tuaj nga shtëpia. Kujtoni: më mirë të punoni pak se aspak dhe kur nuk ndiheni të motivuar mjafton të filloni me pak punë dhe do të kuptoni sa mirë ju bën të ndiheni kur bëni gjëra si në rutinën e mëparshme; sikurse të vazhdoni të punoni për objektivat tuaja.

3. Mos krahasoni veten më të tjerët, përpiquni të jeni frymëzim më shumë se sa të kërkoni frymëzim.

4. Vlerësojeni vetën për çdo gjë që bëtë sot, planifikoni se çfarë do të bëni të nesërmen në mënyrë që të ndiheni mirë. Nga ndjekësit pozitiv stimulohet kreativiteti dhe  kreativiteti sjell veprim.

5. Ndonëse duhet të rrimë brenda dhe larg miqve e të afërme tanë, evitoni vendosjen e fokusit vetëm te vetja juaj. Përpiquni të gjeni mënyra për të qenë pranë njerëzve që kanë nevojë, duke bërë telefonata të shpeshta gjyshërve dhe të moshuarve që njihni. Shpërndani pozitivitet në kanalet tuaja të komunikimit. Nëse ka mundësi bëjini pazaret online, dedikojini kohë dhe vëmendje atyre që në këtë moment nuk mund të takoni, por që ndoshta i keni lënë pas dore dhe më parë. Ky është momenti për të rikuperuar marrëdhëniet e rëndësishme dhe për t’i kushtuar vëmendje atyre që kanë vërtetë vlerë në jetën tonë.

Kjo është koha jonë për të reflektuar dhe për të ia nisur nga e para./NGA ZHAKLIN LEKATARI      

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor