Aktualitet 25 Mars 2020

Shpallet gjendja e Fatkeqësisë Natyrore; Ushqimoret detyrohen të marrin furnizim për tre muaj

Aktualitet

Qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës së Fatkeqësisë Natyrore në të gjithë vendin për shkak të situatës me koronavirusin, ku deri tani janë infektuar 123 persona dhe kanë humbur jetën prej tyre.

Tashmë organi më i lartë në menaxhimin e situatës është Komiteti  Ndërministror  i  Emergjencave Civile, i njëjti organ që ishte ngritur pas tërmetit të 26 Nëntorit, por që funksiononte për Durrësin, Lezhën dhe Tiranën.

Komiteti do të kryejë koordinimin për përballimin e Fatkeqësisë Natyrore për  shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, deri në 30 ditë nga shpallja e gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Masat për situatën e re të krijuar janë disa, që nga përballimi i shpenzimeve shtesë, vënia në dispozicion e godinave shtetërore, vendosja në karantinë e të infektuarve dhe garantimi i shërbimit mjekësor dhe furnizimi me pajisjet e duhura për shmangien e infektimit, pa përjashtuar këtu edhe kontrollet në banesa për evidentimin e personave të infektuar.

Sipas një një vendim tjetër të qeverisë detyrohen bizneset që tregtojnë produkte ushqimore të marrin masa për mbajtjen e rezervave që tregtojnë për një periudhë 3-mujore me qëllim përballimin e situatës së shkaktuar nga infeksioni COVID-19. Nëse mallrat nuk do të jenë shitur, do të blihen nga Drejtoria e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit.

 

Veç kësaj, subjektet që tregtojnë me shumicë barna/pajisje mjekësore, subjekte që prodhojnë barna dhe pajisje mjekësore dhe subjektet që ofrojnë shërbime shëndetësore, të jenë në gatishmëri dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizime me barna dhe pajisje mjekësore dhe për të ofruar shërbime shëndetësore të nevojshme, në kuadër të përballimit të situatës së emergjencës së shkaktuar nga COVID-19.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor