Letra 12 Mars 2020

"Jemi mjekë, jo magjistarë. Ju lutem vetëizolohunI" thirrja e doktoreshës shqiptare në Itali që duhet të lexoni të gjithë

Letra

Në këto ditë të vështira jo vetëm për popullin italian dhe kinez, më të prekurit deri tani nga pandemia e Coronavirusit, të shumë janë ata personazhe të njohura publike, por edhe mjekë që përdorin rrjetet e tyre sociale për të lëshuar thirrje për ndërgjegjësim të popullatës. Mes syresh përmendim edhe doktoreshë Romina Selenicën, nmjekja nga Tirana e cila prej 11 vitesh punon në sistemin shëndetësor italian, e cila përmes një videoje në Facebook u ka bërë thirrje shqiptarëve të ndërgjegjësohen. Ajoa shprehet se Shqipëria duhet të mësojë nga gabimet e Italisë dhe qytetarët të izolohen për të ndaluar përhapjen e virusit.

 “Ashtu siç ishte e pashmangshme, Coronavirusi trokiti në dyert tuaja, erdhi në familjet tuaja dhe uroj në sa më pak të tilla. Ishin qesharake memet dhe lajmet në media që na cilësonin imunë pasi gjithë bota është prekur nga Coronavirusi. Jemi në stad pandemie, që do të thotë përhapje e virusit në nivel interkontinental. Pavarësisht kësaj, si një mjeke që prej 11 vitesh jeton në Itali, mund t’ju them atë që kam përjetuar këto ditë dhe shpresoj që eksperienca ime të shërbejë për popullin shqiptar si një leksion. Gabimet e këtij vendi të shërbejnë si një leksion për të shpëtuar jetën e gjyshërve, prindërve, fëmijëve, për të shpëtuar jetën tuaj.


Nuk është asgjë ekstreme në masat që merren për të parandaluar përhapjen e virusit. Unë nuk jam për të bërë alarm, por dua të ndërgjegjësoj se asgjë nuk është më e rëndësishme se ndalimi i përhapjes së këtij virusi. Nuk është e vërtetë që vetëm pacientët kritikë, vetëm pacientët me patologji kronike i kanë falur jetën këtij virusi. Asgjë nuk është ende konkrete. Nuk kemi një kurë, nuk kemi një statistikë, një protokoll për këtë virus. Por çfarë mund të bëni ju? Dua t’ju bëj thirrje të shmangni daljet e tepërta, shmangni qendrat tregtare, mos i çoni fëmijët në park lojërash në qoftë se nuk është në ambient të hapur.

Po na dalin çdo ditë raste të reja. Jemi mjekë, nuk jemi magjistarë, jemi për t’ju kuruar, por nëse një popull i tërë sëmuret, nuk ka aq mjekë. Italia që ka një sistem shëndetësor elitar, gjendet sot përpara emergjencës më të madhe të viteve të fundit. Kolegët janë sot të detyruar të zgjedhin se cili pacient meriton terapinë intensive, do të thotë të zgjedhësh se kush pacient do të vdesë, do të thotë të zgjedhësh se kush ka më shumë shanse për të jetuar. Por nuk është kjo ajo që ju duhet të dini. Ne kemi nevojë për ju!

Secili nga ju duhet të ndërgjegjësohet. Lëreni atë takim dashurie, atë takim biznesi, atë udhëtim. Nuk merr fund jeta për 14 ditë pushim. Qëndroni me familjarët tuaj dhe mos i hapni derën koronavirusit. Ju lutem ndiqni këshillat e domosdoshme, lani duart, vendosni maskat, ruani distancën. Vetëm kështu mund të ndalojmë koronavirusin. Vetëm ju mund ta ndaloni! Uroj që shteti shqiptar të mësojë nga gabimet e fqinjëve. Keni shansin e mirë për të izoluar koronavirusin. Ju lutem izolohuni sa të jetë e mundur. Nuk është e rëndësishme paraja, siç thotë shprehja e popullit: Të gjithë në atë botë jemi të barabartë! Ju lutem ndërgjegjësohuni!”

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor