Letra 11 Mars 2020

Reagon Edi Oga "Jemi në luftë! Hiq dorë nga egoizmi yt dhe mundohu të mos infektohesh"

Letra

Jemi në luftë!
Jemi në luftë me një virus, i cili mund të prekë këdo, por sëmur dhe vret më të moshuarit dhe më të dobëtit. Mbase ti që po lexon nuk je i moshuar dhe nuk e fut veten tek më të dobëtit, por me siguri ke pranë dikë që është i tillë dhe nuk dëshiron që ai të sëmuret dhe më keq akoma, ta humbasësh!
Ti duhet të mbrohesh!
Ti duhet të mbrohesh për vete, por sidomos për ata që mund ta pësojnë më keq!
Hiq dorë nga egoizmi yt dhe mundohu të mos infektohesh!
Në këtë mënyrë ti ke bërë detyrën tënde qytetare dhe mbi të gjitha, atë njerëzore!
Zbato këshillat e mbrojtjes personale!
Zbato rregullat e higjienës trupore!
Mbi të gjitha, qëndro në shtëpi!
Nëse e ke të domosdoshme të dalësh, qëndro në distancë nga personat e tjerë!
Shmang praninë në grupe të mëdha njerëzish dhe mos ndërvepro fizikisht me ta!
Këto më lart, duhet t’i zbatojmë pa i peshuar fare në mendjen tonë. Truri ynë ka tendencën të kundërshtojë çdo ndryshim që cënon “normalitetin” e përditshmërisë sonë, por kësaj rradhe nuk duhet ta dëgjojmë trurin tonë!
Njerëzit e zakonshëm, në botëkuptimin e tyre, mendojnë se mjekimi është zgjidhja më e mirë për sëmundjet, por gabohen; mjekimi më i mirë është parandalimi!
Parandalimin, në masën më të madhe, e kemi vetë në dorë!
Kjo nuk është një luftë që fitohet me ilaçe; kjo është një luftë që luftohet me produktin suprem të lëndës gri të trurit, me ndërgjegjen!
Duhet të mbledhim mendjen, o njerëz!
Na duhet ta fusim trurin në punë!
Sot, truri ynë na shërben më tepër se kurrë më parë!
Nëse truri ynë nuk prodhon mjaftueshëm ndërgjegje, le ta fikim fare!
Mbase do të ishte më e shëndetshme të jetonim për ca kohë duke besuar verbërisht në ndërgjegjen dhe dijen e trurit të tjetërkujt!

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor