Shtatzania 4 Mars 2020

Si të përballojmë humbjen e një shtatzënie në fazat e vonshme të saj?

Shtatzania

Edhe pse rrallë, ndodh që një fetus të vdesë në fazat e mëvonshme të shtatzënisë. Kjo njihet si vdekja intrauterine e fetusit, ose lindje e foshnjës së vdekur. Kur foshnja vdes në çdo fazë, por veçanërisht në shtatzëninë e vonshme, humbja është e madhe dhe hidhërimi zor se kapërcehet. Foshnja që keni mbajtur brenda jush për shumë muaj, për të cilën kishit ëndërruar dhe planifikuar gjithçka, krejt papritur nuk është më. Mund t’ju duket sikur ju është shembur toka nën këmbë dhe mendoni se jeta nuk do të jetë më njësoj. Megjithatë, mund të bëni diçka për ta përballuar dhe të lehtësoni sa më shumë dhimbjen. Do të ndiheni më mirë, nëse:

Pranoni humbjen: të pranoni fatin, është një hap i rëndësishëm për ta marrë veten nga humbja. Ndoshta mund ta keni më të lehtë nëse mendoni që atë foshnjë nuk e kishit parë apo shtrënguar kurrë në krahë ose edhe që nuk i kishit vënë një emër. Mund ta keni më të lehtë të përballeni me humbjen, nëse ajo do të jetë më reale, si për shembull, nëse organizoni edhe ndonjë funeral.

Ruani një kujtim të foshnjës: ekspertët thonë se njeriu ndihet më mirë nëse mban një fotografi ose kujtim nga personi që ka ndërruar jetë. Ndaj, mbani një kujtim të prekshëm nga foshnja, që ajo të mbetet pranë jush edhe në të ardhmen. Thojuni të afërmve ose miqve, që të mos e pastrojnë dhomën e foshnjës, nëse ju keni nevojë për më tepër kohë për ta pranuar humbjen.

Hidhërimi: qani sa herë dhe për sa kohë që e ndieni të nevojshme. Shprehini ndjenjat tuaja dhe përjetojini sa më shumë ato. Është mirë që të mos e anashkaloni procesin e zisë.

Kërkoni mbështetje: mbështetuni te partneri, të afërmit dhe miqtë. Ndonëse asgjë nuk mund t’jua heqë dhimbjen, mund të merrni më tepër forca nga njerëzit që ju duan dhe ju mbështesin. Pas humbjes së foshnjës, mund të përfitoni nga këshillimi profesional ose mund t’i bashkoheni një grupi prindërish, që kanë përjetuar të njëjtën humbje.

Ju dhe partneri ndoshta pyesni veten pse duhej ta përjetonit pikërisht ju këtë humbje. Nuk do të keni kurrë një përgjigje të kënaqshme për këtë pyetje filozofike, por ndoshta do të ndiheni më mirë po të mësoni shkaqet fizike të vdekjes së foshnjës, që ta kuptoni pak a shumë atë që ka ndodhur. Pasi të keni kaluar tronditjen e parë, ndoshta do t’i diskutoni rezultatet e autopsisë me mjekun. Ju mund ta pranoni më mirë humbjen, nëse e dini shkakun e vdekjes ose detajet e asaj që mund të ketë ndodhur.

Marrë nga libri ' Udhërrëfyes për një shtatzëni të shëndetshme' 
 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor