Astroliving 3 Mars 2020

Horoskopi mujor MARS: Luani dhe Virgjëresha

Astroliving

Nga Paolo Fox

LUANI: Nëse duhet të diskutoni për diçka, është më mirë të mos ngurroni, pasi në prill Saturni do të dalë kundër jush. Ja pse marsi do të jetë një muaj i privilegjuar në aspektin profesional. Ata që kanë një aktivitet privat, do të fitojnë në varësi të rrethanave. Këto javë do të jenë vendimtare për ata që kanë ndërmarrë një nismë për një projekt të madh. Mes uljeve dhe ngritjeve të këtij viti, bëni mirë të mos shpenzoni shumë, të mos bëni investime të nxituara apo të rrëmbeheni nga pasionet e çastit. Nëse njëri nga ju do të shfrytëzojë rastin për të mbyllur një marrëveshje, ta bëjë pikërisht tani. Disa nga ju do të heqin dorë nga puna për të hapur një aktivitet privat. Më fatlumët janë ata që kanë një punë me marrëdhënie me publikun.

Ndjenjat do të kalojnë në plan të dytë, pasi gjatë marsit do të përqendroheni më shumë te puna. Shumë gjëra rreth jush po ndryshojnë. Lidhjet që kanë lindur si lojë apo thjesht për shkak të tërheqjes fizike do të marrin fund shumë shpejt. Nëse keni në mendje disa persona, do të çoroditeni më shumë nga ç’jeni tashmë. Marrëdhëniet e hershme kërkojnë më shumë qetësi. Ujërat do të trazohen disi në datat 13 dhe 14. Marsi mund të shndërrohet në muajin e debateve, që nuk i shërbejnë askujt. Nëse mendoni se një njeri s’ka respekt për ju, do të zemëroheni shumë. Kush ka mbetur i zhgënjyer nga një dashuri e së shkuarës, pa e kuptuar edhe vetë do të tërheqë drejt vetes njerëz të rinj. Marsi do të vërë në provë edhe lidhjet më të bukura. Tregohuni të arsyeshëm dhe gjithçka do të shkojë mirë.

Forma fizike do të vihet në provë gjatë fundjavave. Ankthi për të bërë shumë gjëra bashkë apo për t’i mbyllur punët sa më shpejt do të ndikojë në ekuilibrin tuaj psikofizik. Kushtojini më shumë kohë sportit. Pushim i detyrueshëm, sidomos në datat 13, 14 dhe 27.

VIRGJËRESHA: Kundërshtimet e vogla planetare të këtij muaji do të zhduken njëra pas tjetrës. Marsi, Jupiteri, Saturni dhe Urani do t’ju mbështetin pa kushte më vonë. Për ju është diçka shumë e bukur t’i merrni vetë në dorë frerët e jetës suaj. Sigurisht që shumë gjëra varen nga gjendja juaj shpirtërore dhe nga dëshira që keni për të arritur suksesin. Keni punuar shumë mirë kohët e fundit, ndaj tani është çasti të korrni frytet e punës suaj. Të favorizuara janë edhe shitblerjet. Ky është çasti i duhur të shisni prona që nuk ju pëlqejnë më. Yjet konfirmojnë më së miri ambiciet tuaja. Të hënat e marsit do të jenë më fatsjellëset. Nëse jeni përballë një vendimi për të pranuar një detyrë të caktuar, mendojeni mirë, pasi pikënisja është tani. Do të tregoheni diplomatë me të tjerët dhe falë emocioneve dhe ideve tuaja pozitive gjërat do të shkojnë shumë mirë.

Çiftet që duan të martohen apo të planifikojnë një bashkëjetesë e kanë rrugën të hapur. Kush nga ju qëndron gjithmonë në hije pasi ka frikë nga dashuria, duhet të reagojë, përndryshe do të humbë raste të rëndësishme. Ata që janë ndarë gjatë dy viteve të fundit, nuk duhet t’i rikthehen së shkuarës. Do të kenë probleme me ish-partnerët për shkak të parave. Pas datës 20, Dielli do t’ju mbështetë edhe më shumë. Pesë ditët e fundit të marsit do të jenë shumë interesante për beqarët, por edhe ju duhet të luani rolin tuaj.

Gjatë dy javëve të para do të ndiheni disi nervozë, pasi shkurti s’ka qenë aspak i lehtë, por pas datës 20 gjithçka do të shkojë më mirë. Pika juaj e dobët është stomaku dhe stresi do të hapë jo pak probleme. Data 27 është e duhura për të bërë një vizitë të lënë pas dore prej kohësh apo për të nisur një kurë që të ndiheni më mirë fizikisht.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor