Shëndeti i gruas 15 Shkurt 2020

Nga kostoja e shpenzimeve deri tek rreziqet shëndetësore; Ja ç'duhet të dijë një grua shtatzënë që do të lindë me operacion e s'e merr fare parasysh lindjen natyrale

Shëndeti i gruas

Lindja me operacion shoqërohet me rreziqe, ku përfshihet edhe qëndrimi më i gjatë në maternitet. Zakonisht, pas lindjes me operacion një grua qëndron deri në tri ditë, ndërsa një tjetër që lind në mënyrë natyrale, qëndron dy ditë.
Rreziku i infeksionit është më i madh. Meqenëse kemi të bëjmë me një operacion, rreziku i infeksionit pas lindjes është më i madh se në lindjet natyrale.
Komplikacionet e kirurgjisë. Meqenëse lindja me operacion është një ndërhyrje kirurgjikale, ajo shoqërohet me rreziqe, si: komplikacion, infeksion të plagës, hemorragji, dëmtim të organeve të ndryshme dhe mpiksje gjaku. Gjithashtu, një rrezik është edhe anestezia e përdorur në këtë ndërhyrje.
Një lidhje e vakët me foshnjën dhe pak mundësi për ta ushqyer me gji. Në orët e para pas lindjes, nuk do të jeni në gjendje t’i jepni gji foshnjës ose të merreni shumë me të. Por kjo është e përkohshme, sepse pasi ta merrni veten, do të keni kohë të mjaftueshme për të dyja këto.
Lindja me operacion mund të kushtojë më shumë krahasuar me lindjen natyrale.

Rreziqet për nënën.
Rreziqet që mund të shoqërojnë lindjen me operacion, janë si më poshtë:
Komplikacionet në të ardhmen. Pas çdo shtatzënie rritet edhe rreziku i të tjerave që mund të keni në të ardhmen. Ky rrezik rritet gjithnjë e më shumë pas lindjeve me operacion. Pjesa më e madhe e grave mund të bëjnë deri në tri operacione cezariane. Gjithsesi, çdo operacion është më i ndërlikuar se i fundit. Për disa gra, rreziku i komplikacioneve, si infeksioni apo hemorragjia, nga një operacion në tjetrin rritet në mënyrë të papërfillshme, por për disa të tjera, rreziku i komplikacioneve rritet ndjeshëm pas çdo operacioni.
Shkëputja e mitrës në shtatzënitë pasardhëse.
Nëse vendosni që të bëni lindje natyrale pas një lindjeje me operacion, ekziston rreziku i shkëputjes së mitrës. Këto rreziqe janë të vogla, por gjithsesi, duhet t’i diskutoni më parë me mjekun.
Probleme me placentën. Rreziku i problemeve të placentës, te gratë, lindja e mëparshme e të cilave ka qenë me operacion, në shtatzënitë pasardhëse është më i madh. Ndër këto probleme mund të përmendim placenta previa-n e cila ndodh kur placenta mbulon të çarën e qafës së mitrës dhe shpesh shkakton lindje të parakohshme. Kjo dhe komplikacionet e tjera të shkaktuara nga lindja me operacion, rrisin ndjeshëm rrezikun e hemorragjisë.
Rritja e rrezikut të histerektomisë. Disa probleme, si placenta akreta, ku placenta është e ngjitur pas murit të mitrës, kërkojnë heqjen e kësaj të fundit (histerektomia) gjatë procesit të lindjes ose më pas.
Dëmtim i zorrëve ose i fshikëzës së urinës. Gjatë lindjes me operacion, dëmtimi i paqëllimshëm i zorrëve apo fshikëzës së urinës është i rrallë, por ka mundësi të ndodhë në operacionet e mëpasshme. Edhe komplikacionet me placentën mund ta dëmtojnë fshikëzën e urinës. INFORMACIONI eshte shkeputur nga libri Udherrefyes per nje shtatzeni te shendetshme, sjelle ne shqip nga BOTIMET LIVING. Librin mund ta beni tuajin duke e blere online ne kete link 

 

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor