Showbiz 12 Shkurt 2020

Vjosana e filmit 'Eja' rrëfen historinë e dashurisë së jetës së saj

Showbiz

Kanë kaluar më shumë se 30 vite që kur Ermira Zyrakja luajti rolin e Vjosanës tek filmi 'Eja', të vetmin rol në jetën e saj, por publiku e mban mend ende portretin e brishtë e vajzës me sy të kaltër. Ajo ishte nxënëse e pianos në lice kur u pikas nga regjisori Piro Milkani i cili e shihte si të duhurën për këtë rol. Më pas ajo vazhdoi t'i përkushtohej pianos dhe në fillim të viteve '90 kur interesi për artin në Shqipëri ndryshoi, ajo bëri disa përpjekje për të marrë pjesë në konkurse jashtë vendit. Dhe iu dha mundësia të fitonte një bursë 2-vjeçare në Roterdam.

Ndërkohë që priste të largohej për në Roterdam, ajo bëri një udhëtim drejt Gjenevës për të dhënë 3 koncerte. Në mbarim të njërit prej koncerteve,  një zviceran i afrohet dhe pasi e uron për performancën e pyet 'Mund të takohemi dhe të flasim për Shqipërinë?'. Kjo iu duk një ftesë e bukur dhe e pranoi. Ishte Fransua Lefort, asokohe asistent profesor për shkencën e biologjisë molekulare dhe gjenetike. Ermira ishte mahnitur se sa informacione kishte ai për Shqipërinë dhe se ishte një dëgjues i rregullt i Radio Tirana në frëngjisht. Dhe fati e donte që përpara t'i dilte një grua e bukur dhe artiste nga Shqipëria e cila më vonë do të bëhej bashkëshortja e tij. Aktualisht ai është zv/president i parlamentit të kantonit të Gjenevës.

Por Ermirës i duhej të largohej për në Roterdam pas disa kohësh dhe që në takimin e parë ai tha: "Unë do të vij aty ku të shkoni ju". E habitur nga kjo deklaratë e fortë, pasi ata sapo ishin njohur, Ermira e pyeti 'Po si është e mundur, ne njihemi shumë pak?'. "Me aq sa kemi folur për shqiptarët, unë të njoha dhe mendjen dhe shpirtin", ishte përgjigja e tij. Por Ermira Zyrakja Lefort ndenji në Gjenevë dhe sot ajo është nënë e dy vajzave që dinë shumë mirë shqip.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor